13 muaj të Pacollit në pushtet, 13 çnjohje

  • 29 March 2019 - 08:01
13 muaj të Pacollit në pushtet, 13 çnjohje

Guraziu: Sa më shpejt që të largohet Behgjet Pacolli nga ky post, aq më mirë

”Që nga ardhja e Behgjet Pacollit në krye të Ministrisë së Jashtme, politika jonë e jashtme është dëmtuar keq, është për keqardhje se si përfaqësohet vendi ynë, si përcillen qëndrimet zyrtare shtetërore dhe si komunikohet me aktorë shtetërorë të vendeve të tjera. Ministri Pacolli ka dështuar plotësisht në procesin e lobimit për njohje”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Ali Hertica

A është Behgjet Pacolli kryedështimi i Qeverisë ‘Haradinaj’, i cili arriti që për 13 muajt e fundit jo vetëm të mos sjellë asnjë njohje, por për më tepër 13 shtete kanë tërhequr njohjen e tyre? Këtë pyetje e ngrenë analistët, të cilët thonë se do të vazhdojë çnjohja e Kosovës, për sa kohë do ta kemi Pacollin ministër të Punëve të Jashtme.

Por, më e keqja, sipas tyre, është se kur do t`i kërkojë ky popull llogari politikanëve për dështimet e mëdha dhe për gënjeshtrat e mashtrimet e tyre. Analistët janë të mendimit se duhet kërkuar përgjegjësi nga secili ministër, kryeministër, president, kryetar komunash, e deri te zyrtaret më të vegjël, pasi që këta njerëz i paguan populli, nga buxheti i shtetit, ndërkaq këta e mashtrojnë dhe e vjedhin popullin.

Sipas tyre, politikanët tanë sillen me buxhetin e shtetit dhe me vetë shtetin si të ishte një mundësi plaçkitje, e jo për të kontribuar për qytetarët, të cilët i paguajnë ata.

Image
Ali Hertica

Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë, Ali Hertica, theksoi për gazetën “Kosova Sot” se është e dhimbshme për një qeveri të një shteti, i cili ka potencial të shumtë akademik, mos të përfshihet nga kjo klasë politike dhe të lejohet një njeri si Behgjet Pacolli të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme. Që nga ardhja në krye të Ministrisë së Jashtme të Behgjet Pacollit, politika jonë e jashtme është dëmtuar keq, është për keqardhje se si përfaqësohet vendi ynë, si përcillen qëndrimet zyrtare shtetërore dhe si komunikohet me aktorë shtetërorë të vendeve të tjera. Po përmend vetëm telegrafikisht shkarjet e dëmshme, që ministri Pacolli i ka bërë.

Që nga ardhja në krye të Ministrisë së Jashtme, ministri Pacolli ka dështuar plotësisht në procesin e lobimit për njohje.
Ai boton fotografi me zyrtarë shtetesh, që nuk na kanë njohur shtetin e Republikës së Kosovës dhe deklaron se pas këtyre takimeve nuk ka rezultate, ngase këto janë mashtrime dhe kjo tregon qartë se si ky zotëri mashtron dhe shpenzon buxhetin e shtetit, sepse këtij i mungojnë shumë elemente që duhet t’i ketë një politikan shtetëror, ku së pari ka një problem serioz, gjuha e tij, sjellja e tij dhe mënyra si flet, si argumenton dhe si i kontakton, ngase i njëjti nuk ka qëndrim politik e as diplomaci që t’i bindë bashkëbiseduesit se fjala është për një ministër serioz i punëve të jashtme të një shteti, ku të gjitha këto reflektojnë deri te marrëdhëniet bilaterale të një shteti”, është shprehur analisti Hertica për “Kosova Sot”.

Sipas tij, ky është një ministër me performancë shumë e dobët të punëve të jashtme.“Prandaj, e them se me Behgjet Pacollin në krye të kësaj ministrie e kemi shumë vështirë që të bëhemi anëtarë të Interpolit, por vetëm nëse na ndihmojnë miqtë tanë. Qeveria e Kosovës të japë dorëheqje për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja, të cilat duhet ta konsolidojnë dhe ta forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euroatlantike.

Kjo është një politikë pa vizion dhe e pakonsoliduar profesionalisht me stafin e saj, që për 13 muajt e fundit jo vetëm që të mos sjellë asnjë njohje, por për më tepër 13 shtete kanë tërhequr njohjen e tyre”, është shprehur ai.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Pushtetarët paguhen nga buxheti për mospunën e tyre

Analisti Shefik Shkodra thekson për gazetën “Kosova Sot” se politika e jashtme është ekuivalente me atë të brendshme. “Asnjë njohje, asnjë veprim konform ngjarjeve të deritanishme. Tash sa kohë flitet për çnjohje. Me siguri më shumë nga propaganda serbe, por edhe nga paaftësia e një politike të pakonsoliduar, duke u publikuar mendimi se Kosova do të pësojë ndryshime të reja në korrigjime, ndërrime etj. Kështu që opinioni publik jashtë e brenda është dezorientuar në kahe të padefinuara.

Behgjet Pacolli, ministër i Punë të Jashtme, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Do të duhej t'i kërkohej përgjegjësi, sikur edhe ministrave të tjerë. Ka shumë çështje të pasqaruara para qytetarëve. Këta është e qartë se paguhen nga buxheti për (mos)punën e tyre”, është shprehur ai.

Analisti Ragip Guraziu theksoi për gazetën “Kosova Sot” se Behgjet Pacolli është dështimi total, pasi asnjë njohje që 13 muaj nuk e solli dhe 13 shtete e kanë tërhequr njohjen e tyre.“Faktet po na flasin vetë se sa do të vazhdojë çnjohja e Kosovës, me Pacollin ministër i Punëve të Jashtme.

Punët do t’i kemi piskë, sepse Pacolli është biznesmen i mirë, por ministër i Punëve të Jashtme i keq. Sa më shpejt që të largohet Behgjet Pacolli nga ky post, aq më mirë është”, është shprehur Guraziu.

Image
Ibrahim Kelmendi

Kelmendi: Populli injorant i ka sundimtarët që i meriton

“Vetëm ata që nuk kishin informacion dhe ndonjë intersgji, mund të ketë shpresuar se Behgjet Pacolli është njeriu i duhur për post të zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Meqë koalicioni i tanishëm qeveritar duhet të jetë formuar me komandim të BIA-s dhe DGSE-së, sigurisht që edhe emërimi i njerëzve në poste kaq të larta shtetërore ka qenë përzgjidhje e atyre shërbimeve, sepse kishin synim kryesor komplotimin e shtetit të Kosovës.

Dhe, një kësi plëngprishësi duhet të dëshmonte se është kuisling i zellshëm, që jo vetëm nuk do të sigurojë njohje të reja, por do të komplotojë edhe disa prej njohjeve që kishin ndodhur. Populli injorant i ka sundimtarët që i meriton, nuk kërkon dot llogari! Fatkeqësisht”, theksoi analisti Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)