Gurthyesit, prona të politikanëve, bëjnë kërdi me natyrën

  • 29 March 2019 - 08:10
Gurthyesit, prona të politikanëve, bëjnë kërdi me natyrën

Drenori: Shumica e gurthyesve janë prona të politikanëve me fuqi politike

 “Këta banditë kanë uzurpuar edhe male e fusha, gjethe dhe gurë. Vetëm pyetni Gani Thaçin, vëllain e Hashim Thaçit, se gurthyes i kujt është ai te bjeshka e Astrazubit, jo larg Malishevës, e të shohim se a po gjen ndonjë arsyetim.

Bëjnë kërdi në natyrë, ndotin ajrin dhe rrezikojnë shumë shtëpi e prona dhe a reagon dikush. Reagimet e disa qytetarëve nuk merren aspak për bazë, sepse këta kryebanditë i kanë bërë zap edhe prokuroritë dhe gjyqësitë”, është shprehur analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”

Është e mundur që shumë gurthyes në Kosovë janë prona nën hije të pushtetarëve të nivelit të lartë, të cilët shkatërrojnë bjeshkët pa ua prishur askush tymin e duhanit. Analistët dhe ekspertët e ekonomisë thonë se është fakt se edhe ndërtimi i autostradave të shtrenjta i fryn çmimet për të marrë gurët e thyer për shtrim rrugësh, duke i pasuruar politikanët dhe ata që janë të lidhur me ata, siç është rasti i vëllait të presidentit Hashim Thaçi Gani Thaçit.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se çdo dikaster në Kosovë është në duart e bandave politike. “Merreni me mend, këta kryebanditë shkuar kryebanditëve, pos këtyre dikastereve gjigante, kanë uzurpuar edhe male e fusha, gjethe dhe gurë.

Vetëm pyetni Gani Thaçin, vëllain e Hashim Thaçit, se i kujt është ai gurthyes te bjeshka e Astrazubit, jo larg Malishevës, e të shohim se a po gjen ndonjë arsyetim. Bëjnë kërdi në natyrë, ndotin ajrin dhe rrezikojnë shumë shtëpi e prona dhe a reagon dikush. Reagimet e disa qytetarëve nuk merren aspak për bazë, sepse këta kryebanditë i kanë bërë zap edhe prokuroritë dhe gjyqësitë.

Jo vetëm që nuk i burgosin, por askush nuk ua ndalon veprimtarinë”, është shprehur ai. Sipas tij, ata shkatërrojnë pyje dhe shtratin e lumenjve. Ndonjë bos i vogël i ndonjë gurthyesi, sa për të mbajtur gjallë familjen, ka kaluar nëpër sitat e këtyre kryebanditëve dhe kryehajnave shtetërorë”, është shprehur ai.

Image
Xhavit Drenori

Të rinjtë autostradat i përdorin vetëm si transit, për t’u larguar sa më parë nga ky vend

Xhavit Drenori, asamblist në komunën e Drenasit, ka theksuar se nuk ka asnjë dyshim që shumica e gurthyesve ose janë pronë direkt e politikanëve me fuqi politike, ose gurthyesve u qëndrojnë në prapaskenë këta njerëz.

“Është shqetësuese se në çfarë gjendje i kanë sjellë bjeshkët e caktuara. Besoj që duhet të hulumtohen lejet mjedisore që i lëshon MMPH-ja. Ndërsa për çmime nuk jam në dijeni, por ‘Bechtel Enka’ zakonisht nga këta gurthyes blen gurin e thyer/bluar. Pra, nga milionat e autostradave, një pjesë e tyre përfundon në xhepat e disa njerëzve të politikës”, është shprehur ai për gazetën.

Image
Driton Gashi

Analisti Driton Gashi theksoi se në një vend ku shkatërrohet natyra e mjedisi, sikur në këtë rast, vetëm për përfitime profitabile e shuma marramendëse, të cilët kanë vendosur që të ndërtojnë vetëm autostrada për të rritur kapitalin e tyre, e qëllimin për t’u pasuruar, ai shtet nuk meriton të quhet një shtet normal.“Vetë këto investime në autostrada e kanë shndërruar Kosovën në pronë private.

Autostradat, të cilat kanë qenë investime të pabesueshme, ku një shtet normal nuk do të vepronte kësisoj, kur dihet që mbi 60 për qind e njerëzve janë të papunë dhe shumë të rinj duan të ikin nga ky vend dhe autostrada është një investim kapital i vdekur.

Ndërsa, Kosova po të ishte një shtet normal nuk do të përqendrohej tek ndërtimi i rrugëve, por tek ndërtimi i një mirëqenie shoqërore, pra gjithë ato miliona, duhej të investoheshin tek hapja e vendeve të reja të punës dhe në investime të tjera kapitale të mirëfillta”, është shprehur ai. Ai shton se qytetarët e Kosovës, sidomos të rinjtë, këtë autostradë do ta përdorin vetëm si transit, për t’u larguar sa më parë nga ky vend.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Mbrapa atyre kompanive qëndrojnë politikanë të fuqishëm

“Do të ishte naivitet nëse besojmë që kompanitë me përfitime milionëshe në vit janë të njerëzve të thjeshtë. Mbrapa atyre kompanive qëndrojnë politikanë të fuqishëm, por edhe familjarë të tyre, siç është vëllai i presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçi.

Ai është edhe bosi i kompanive të sigurimit. Këto fundërrina kanë plaçkitur dhe shkatërruar çdo gjë pa i penguar askush dhe sikur të vijnë në pushtet njerëzit më të mirë dhe më të ndershëm të këtij vendi s'do të mund ta këndellin. Pas dy dekadave po i shohim pasojat e këtyre pisllëqeve që janë bërë për këto dy dekada.

Ikja e qytetarëve është dëshmia më e mirë. Por kjo nuk është asgjë. Do të ikin gjysma e popullatës, dhe shteti do të shkojë drejt zhbërjes. Do të ikin për faj të këtyre horrave. Pa qytetarë nuk ka shtet. Me pleq e plaka nuk mbahet shteti”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Faik Krasniqi.

(Kosova Sot)