Politika e dështuar e barazoi kriminelin me viktimën

  • 29 March 2019 - 08:30
Politika e dështuar e barazoi kriminelin me viktimën

Asnjë padi nuk e bëri shteti për masakrat që po përkujtohen këto ditë

“Kjo heshtje që po ndodh i bie sikur nuk na kanë sulmuar neve serbët këtu, por sikur ne paskemi shkuar dhe i kemi sulmuar serbët atje në Serbi dhe pastaj ata kanë ardhur këtu për të na ndjekur dhe për të bërë farosje masive. Kjo heshtje nënkuptohet kështu nga dikush që nuk është i informuar sa duhet, prandaj është koha e fundit që dikush ta marrë përgjegjësinë dhe të veprojë në atë drejtim nga ana e institucioneve tona, edhe nga politika, por edhe nga drejtësia”, u shpreh Naim Alshiqi nga fshati Dyz i Podujevës

Derisa jemi në kohën e shënimit të përvjetorit të 20-të të mbarimit të luftës për çlirim, luftën e filluar nga formacionet e UÇK-së dhe të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe me qëllim të mbështetjes së kësaj lufte të drejtë për liri, politikanët tanë kujtohen të shkojnë nëpër tubimet përkujtimore të shënimit të ditës së rënies së dëshmorëve dhe viktimave civile të luftës dhe aty të flasin fjalë të mëdha patriotike kundër Serbisë, por megjithatë akoma nuk kanë bërë asnjë veprim institucional që të ushtrojnë padi për këto krime të bëra në Kosovë kundër shtetit, ushtrisë dhe policisë serbe.

Me këtë fjalor patriotik të rrejshëm, dhe me këtë heshtje karshi krimeve serbe, tanimë janë irrituar shumë edhe qytetarët, të cilët akuzojnë krerët e shtetit dhe politikën që po qeveris vendin në të gjitha nivelet, se ata janë dhënë që të gjitha pas hajnisë në periudhën e pasluftës, janë dhënë pas plaçkitjes dhe i kanë harruan pothuaj tërësisht krimet dhe dëmet e luftës nga Serbia! Duke u sjellë në këtë mënyrë skajshmërisht të papërgjegjshme, qytetarët, me të cilët ka biseduar gazeta, theksojnë se kanë fituar bindjen se kemi shkuar aq mbrapa në raport me Serbinë, saqë me këtë lënie në harresë të krimeve të luftës, realisht po barazohet viktima me kriminelin, madje edhe duke u detyruar grupe qytetarësh që në mënyrë individuale t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtarë të drejtësisë, sikur është rasti i fundit nga Podujeva që po përgatitet t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

Sipas qytetarëve, e gjithë kjo harresë, i gjithë ky dështim në kërkim të drejtësisë për krimet e bëra në Kosovë, vjen edhe nga pasojat e rënda të udhëheqjes së këtij procesi dialogimi nga një individ tepër i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, pasi presidenti mban përgjegjësinë kryesore, për injorimin e krimeve të luftës për rreth 12 vjet rresht. Kjo kastë politike e papërgjegjshme, sipas bindjes së krijuar nga qytetarët, asnjëherë nuk ishte në gjendje t`ia kërkojnë Aleksandër Vuçiqit kompensimin për dëmet dhe drejtësinë për viktimat.

Serbia bëri terror në Kosovë

Qytetari Naim Alshiqi është nga fshati Dyz i Podujevës dhe thotë se në luftën e fundit ka dy familjarë të vrarë nga forcat serbe, e që, sipas tij, jo vetëm për hir të familjes së tij, por të të gjitha familjeve në Kosovës që kanë humbur të afërmit e tyre kanë pësuar edhe materialisht duke iu plaçkitur dhe djegur pasuritë e qytetarëve, është e pafalshme heshtja e politikës dhe institucioneve që i kanë lënë dy dekada mbrapa dhe nuk kanë iniciuar asnjë padi të vetme kundër krimeve serbe.

“Është dashur që njerëzit tanë të jenë shumë më të përgjegjshëm, shumë këmbëngulës për ta shtyrë përpara një proces të tillë, është dashur të jenë iniciatorë këmbëngulës që të mos heshtën për asnjë moment krimet dhe dëmet e luftës, sepse me këtë lloj mosinteresimi që e kemi deri më tani, e që dihet botërisht, e ka kuptuar gjithë rruzulli tokësor, bota, se serbët në Kosovë kanë kryera masakra, kurse tani nga mosveprimi për të kërkuar drejtësi, realisht ne po mbetemi në pozitën e fajtorit”, u shpreh ai.

“Ne nuk kemi nevojë të bëjmë asnjë shpifje kundër Serbisë, kemi mjaft fakte e mjaft argumente që i ka parë bota dhe ato duhet t’u ofrohen institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, në mënyrë besnike, ashtu sikur që ka qenë. Ka plot dëshmitarë që mund të flasin me deklarata të sakta, me numër e me datë që akoma i mbajnë në mend. Duhet t’i bëhet e qartë edhe drejtësisë ndërkombëtare me fakte se çfarë terrori ka bërë Serbia në Kosovë kundër popullit tonë”, vlerësoi Alshiqi për “Kosova Sot”.

Krimet u lanë në harrese nga të gjitha qeveritë

Qytetari tjetër, Haki Veseli, me profesion jurist, thotë se jo që pushtetarët kanë “harruar” ta bëjnë temë çështjen e krimeve, dëmeve të luftës, por as që pritet nga të tanishmit të nxjerrin këtë temë nga harresa, sepse asnjëherë deri më tani nuk kanë provuar ta bëjnë këtë, qoftë duke shfrytëzuar kanalet e tjera të drejtësisë ndërkombëtare, si Gjykatën e Strasburgut, për të cilën tani ka një iniciativë në Podujevë, sepse këta janë të dhënë vetëm pas përfitimit në interesin personal dhe nuk janë të interesuar për shtet aq sa për të sunduar në pushtet.

“Unë mendoj që kaherë është dashur të bëhen këto paraqitje para drejtësisë ndërkombëtare, edhe për të paditur, edhe për t’u ankuar për viktimat dhe për krejt dëmet që i ka bërë Serbia, por faktikisht duhet ta themi atë të vërtetën që nuk është bërë deri më tani pothuajse gati asgjë, nuk është bërë ama bash asgjë në këtë drejtim. Mirëpo, mendoj që megjithatë nuk është vonë kurrë dhe duhet që shteti të gjejë mjetet dhe metodën që të veprojë në këtë drejtim”, u shpreh ai.

“Nëse vazhdojmë të vonohemi pasojat do të vazhdojnë të mbeten të mëdha, evidente, sepse gjërat vjetërsohen, edhe pse nuk zhvlerësohen dhe rastet penale kurrë nuk mund të zhbëhen. Sado raste të vjetërsuara ato mund të ringjallen dhe të vihet drejtësia në vend, sepse e drejta e popullit është që të kërkojë drejtësi edhe për viktimat, edhe për dëmet e luftës dhe për të gjitha dëmet materiale e masakrat njerëzore. Janë në dispozicion të mundshëm nivelet e ndryshme të drejtësisë, gjykatave ndërkombëtare që herët apo vonë duhet të japin verdiktin e drejtësisë, duhet të japë llogari dikush, e në këtë rast nuk ka se kush tjetër veç shtetit serb, madje edhe për ato veprime kriminale që i ka bërë si ish- trashëgimtare e ish- Jugosllavisë”, tha Haki Veseli për “Kosova Sot”.

Secili të kontribuojë në Gjykatën e Strasburgut

Po aq kritik i ashpër është edhe qytetari tjetër Milaim Bislimi, po ashtu me profesion ekspertit në drejtësi, të juristit. “Unë mendoj që pikërisht kjo vetiniciativë e qytetarëve të Podujevës për padi në Gjykatën e Strasburgut, është një iniciative tepër e mirë, sepse dihet që asnjëherë çështjet e hapura penale nuk mund të vjetërsohen, dhe fatmirësisht ka akoma njerëz të tillë të vullnetit të mirë dhe guximit e qëndrimit konsistent që nuk i lënë gjërat në harresë, por i ngjallin ato dhe provojnë të bëjnë veprime konkrete. Derisa po heshtin këto institucionet tona, është një veprim i qëlluar që paditë penale kundër Serbisë në gjykatat ndërkombëtare të fillojnë që nga veprimet e para gjenocidiale kundër popullatës shqiptare, edhe me helmimet, edhe me masakrat e luftës së fundit, edhe për dëmtimin e pronave se sa ka qenë fatura për dëmet që janë bërë.

Këtu mund të japë kontribut secili veç e veç, edhe institucionet kulturore e fetare, sikur që është edhe Bashkësia Islame që ka pasur një numër të madh të xhamive të shkatërruara e të dëmtuara dhe akoma nuk kanë bërë një padi kundër Serbisë me fakte se sa xhami janë shkatërruar gjatë luftës, janë rrënuar e janë djegur. Kështu duhet të veprojë secili institucion veç e veç, sepse pa angazhim serioz të përgatitjes së padisë kundër Serbisë dhe çuarjes së drejtësisë në vendin e vet, nuk mund të arsyetohet as ajo që sot flitet e thuhet dëmet, për krimet dhe për viktimat”, theksoi Bislimi për “Kosova Sot”.

Kosova e humbi hapin

Qytetari tjetër, Besnik Arifi tha për “Kosova Sot” se falë heshtjes së pushtetarëve, kujtesa për krimet serbë në Kosovë ka filluar tani të zbehet edhe tek qytetarët, sepse tek kjo zbehje po ndikon ndërrimi i gjeneratave. “ Deri tash Kosova e ka humbur hapin për ta ushtruar një padi ndërkombëtare kundër krimeve që ka bërë Serbia, kurse në aspektin e trajtimit politik, tash kur përgatitet për bisedime, Kosova është dashur ta nxjerrë këtë temë në rendin e parë dhe si pikën e parë të fillimit të këtyre bisedimeve për të gjetur zgjidhjen ligjore të adresimit të përgjegjësisë”, tha Besnik Arifi për “Kosova Sot”.

Fjalë shumë e vepra pak

Akuza të rënda hedh kundër të gjitha qeverive të deritanishme që nuk janë marrë me ngritjen e një padije kundër Serbisë, për të gjitha krimet e luftës edhe qytetari në moshë, që ka përjetuar rëndë tre regjime kriminale serbe, Musli Shkodra.

“Deri më tash të gjithë këta fjalët e kanë të mëdha e veprat e veprimet nuk i kanë askund. Diturinë që ka arritur ta bëjë Kosova pak kush e ka në botë, por këtë dituri nuk po e zbatojnë në vepër në interes të popullit e të shtetit, prandaj e kanë harruar edhe këtë obligimin që kanë ndaj popullit për të kërkuar drejtësi për krimet serbë që janë bërë ndaj popullatës së Kosovës gjatë historisë, por në veçanti gjatë luftës së fundit”, potencoi Shkodra për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)