I hedhin në erë makinën, verifikohen konfliktet e 43-vjeçarit, ja çfarë tha në polici

  • 29 March 2019 - 11:43
I hedhin në erë makinën, verifikohen konfliktet e 43-vjeçarit, ja çfarë tha në polici

Detaje te reja nga shpërthimi i fuqishëm i tritolit në Fushë-Krujë. Objektivi ishte makina e një 43-vjeçari. Sipas Policisë, një sasi eksplozivi shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e banesës së një personi, që paraprakisht rezulton pa precedentë.

Sasia prej 300 gramësh eksploziv shpërtheu brenda oborrit te banesës së Afrim Çekut, në lagjen “Hasan”. Shpërthimi ka qenë i fortë dhe për pasojë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht, veç panikut te familjarët nuk pati persona të lënduar.

Në dëshminë e parë për Policinë, Afrim Çeku mësohet se ka thënë se nuk ka konflikte, ndërsa ai rezulton pa precedentë. Policia ende nuk ka një pistë zyrtare për arsyet e atentatit me tritol, ndërsa tha se po punon për identifikimin e autorëve.

“Më datë 27.03.2019, rreth orës 23:10, në fshatin Hasan, Fushë Krujë, në automjetin e shtetasit A.C., të cilin e kishte parkuar në oborrin e banesës së tij , është vendosur një sasi lënde e dyshuar plasëse, e cila ka shpërthyer dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, tha Policia.

Sipas grupit hetimor, pavarësisht se Çeku deklaron se nuk ka probleme me persona të tjerë, ai ka konflikte të hapura, të cilat po verifikohen nga ana e Policisë. Disa persona janë pyetur për këtë ngjarje, mes tyre edhe të dyshuar, por Policia nuk ka asnjë të ndaluar për vendosjen e lëndës plasëse.

Ky ishte rasti i dytë brenda kësaj jave dhe i gjashti prej muajit janar, që konstatohen shpërthime në rrethin e Krujës. Katër ditë më parë, një atentat me eksploziv dështoi në fshatin Mallkuç, ku një sasi lëndë plasëse u gjet poshtë makinës së një 43-vjeçari.

Ndërsa më herët janë regjistruar shpërthime me tritol ndaj një biznesi, një efektivi të Policisë dhe në disa raste u është vënë eksploziv shtyllave të tensionit të lartë, duke rrezikuar lënien pa energji gjysmën e vendit.

(Kosova Sot)