Shkon në 19 numri i viktimave të zjarrit në ndërtesën shumëkatëshe

  • 29 March 2019 - 12:32
Shkon në 19 numri i viktimave të zjarrit në ndërtesën shumëkatëshe

Të paktën 19 persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar dhe janë ngujuar pasi një zjarr i madh shpërtheu në një ndërtesë shumëkatëshe në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka.

Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shihen flakë të mëdha në katin e nëntë dhe të dhjetë të ndërtesës me gjithsej 22 kate. Njerëzit që ndodheshin brenda ndërtesës përpiqeshin të lëshoheshin poshtë duke u mbajtur në kabllot e pajisjeve për klimatizim të ndërtesës.

Mediet lokale kanë raportuar se të paktën gjashtë njerëz janë përpjekur të kërcejnë nga lartësia për të shpëtuar nga zjarri.

Policia e ka konfirmuar numrin e personave të vdekur dhe ka njoftuar se 70 njerëz janë lënduar. Zjarri kishte shpërthyer rreth mesditës së të enjtes në ndërtesën që shfrytëzohet për zyra në një rrugë të ngarkuar të zonës tregtare.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë të paktën 20 zjarrfikës, të cilët janë ndihmuar nga helikopterët e ushtrisë, të cilët nga ajri kanë hedhur ujë mbi ndërtesën e djegur.

Debashish Bardhan, zëvendësdrejtor i zjarrfikësve, tha se situata tashmë është nën kontroll dhe se shumica e njerëzve të ngujuar në ndërtesë janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot)