Kelmendi: Kosova dështoi të shfrytëzojë mekanizmat ndërkombëtarë

  • 29 March 2019 - 14:04
Kelmendi: Kosova dështoi të shfrytëzojë mekanizmat ndërkombëtarë

Çështja e përgjegjësisë së Serbisë kundruall Kosovës, qoftë për vrasje e masakra, qoftë për dëbim të shqiptareve jashtë atdheut, qoftë për dëme materiale të shkaktuara, qoftë për dëm moral, ka mbetur një çështje e pazgjidhur dhe askush nuk është përgjigjur.

Kanë kaluar mbi 20 vjet nga dhuna e tillë gjenocidiale dhe ende nuk kemi një aktakuzë, përkatësisht padi penale apo civile kundër Serbisë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.

Kosova, për fat të keq, asnjë qeveri e deri më tash, as UNMIK-u, as EULEX-i nuk kanë bërë analizën e dhunës së tillë dhe të dëmeve të shkaktuara. Tash po merret Kosova me një dëm jashtëzakonisht të rëndë e që janë përdhunimet e femrave shqiptare nga kriminelët serbë. Thuhet se janë 20 mije femra, por prova konkrete nuk ka arritur asnjë qeveri, as kjo e tashme të nxjerrë.

Brenda vendit gjykatat kanë refuzuar të gjitha paditë e paraqitura nga qytetarët, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dështuar në hetimet e rasteve të dhunës të të gjitha fushave dhe nuk ka ngritur asnjë padi për asnjë kriminel serb apo të tjerë në Kosovë.

Çdo padi e paraqitur për dëm material dhe moral është refuzuar nga gjykatat. Në planin e tashëm për bisedimet me palën serbe flitet për 22 miliardë dëme të krijuara nga Serbia në Kosovë, por nuk llogariten dëmet morale, vuajtjet shpirtërore, të të rënëve e të zhdukurve etj. Në anën tjetër, qeveritë e deritashme dhe njerëzit që kanë punuar në to janë pasuruar, kanë krijuar mjete të mëdha materiale dhe financiare. Bëjnë një jetë përrallore. Kanë makina të shtrenjta dhe shtëpi milionëshe.

Kalojnë nga një shtet në shtetin tjetër. Për këta ka mjetë financiarë. Por, Kosova nuk ka mjete financiare dhe as vullnet për të bërë analizën adekuate të dhunës, të krimit dhe të gjenocidit serbomadh në Kosovë. Asnjë padi organet kompetente nuk e kanë ngritur me asnjë gjykatë ndërkombëtare.

Dihet se në Gjykatën e Strasburgut kemi pasur mundësi të dalim atje me padi në emër të Shqipërisë, sepse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, rrjedhimisht nuk mund të bëjë padi në gjykata evropiane pa u bërë anëtare e këtij institucioni. Por, pavarësisht kësaj mënyrat dhe format ekzistojnë”, u shpreh analisti Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)