Eksperti i sigurisë alarmon rëndë Kosovën: Serbia po realizon qëllimin e saj

  • 29 March 2019 - 14:41
Eksperti i sigurisë alarmon rëndë Kosovën: Serbia po realizon qëllimin e saj

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet është treguar i ashpër me politikanët kosovar, gjatë qëndrimit të tij në Skenderaj ditë më parë, ku kritikoi hapur liderët shtetërorë për veteranët e rrejshëm.

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, tha Lebet.

E pas kësaj deklarate, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se po të vendoste ai, atëherë ambasadorin zviceran do ta largonte menjëherë nga “Kosova Sot”.

E kjo deklaratë e Pal Lekajt, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ku pothuajse shumica e ambasadorëve të shteteve perëndimore kanë dalë në krah të ambasadori zviceran. Poashtu, ne Kosovë po kërkohet edhe dorëheqja e menjëhershme e Pal Lekajt nga pozita e ministrit.

Image
Fadil Kajatazi

E lidhur me këtë, për “Kosova Sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fadil Kajatazi. Ai ka alarmuar Kosovën , pasi sipas tij Serbia është duke realizuar qëllimin e saj, që Kosovën ta fus në konflikt me ndërkombëtarët.

“Që nga viti 1999, kur Serbia dështoi ta mbaj të pushtuar Kosovën ushtarakisht, ajo ka investuar që përmes agjenturës së saj të krijojë gjendje kaosi në Kosovë. Njëra prej synimeve të Serbisë në gjendjen kaotike kosovare është edhe futja e Kosovës në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare. Edhe Pali, edhe Nasimi, edhe Zafiri e të tjerët, nëse këtë punë e bëjnë nga injoranca nuk ju merret për të madhe, por nëse e bëjnë me vetëdije, ju bëjnë shërbim të madh (gratis) shërbimeve inteligjente serbe”, ka thënë Kajtazi për “Kosova Sot”.

Sipas tij ambasadori zviceran ka thënë një të vërtetë dhe është urgjente kërkimfalja nga institucionet shtetërore dhe shkarkimi nga detyra i Lekajt.

“Këto punë duhet të jenë prioritet i institucioneve shtetërore, pasi mbijetesa e shtetësisë së Kosovës është e varur nga aleatët perëndimorë. Se pari, është tragjike për një popull të ketë ministër me kapacitete të nivelit të Palit dhe, së dyti, edhe më tragjike është heshtja e kryeministrit, ministrit të punëve të jashtme dhe presidentit. Ambasadori zviceran ka thënë një të vërtetë dhe, është urgjente kërkimi i faljes nga institucionet shtetërore dhe shkarkimi nga detyra e Palit. Kjo do të ndikonte që të ju ndërpritet ndihma shërbimeve inteligjente serbe ne funksion të futjes së Kosovës në konflikt me aleatët perëndimorë”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

E kujtojmë së kohë më parë, edhe Nasim Haradinaj e kishte fyer rëndë ish ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, të cilin e kishte quajtur “palaqo”.

(Kosova Sot)