Qarri: Asnjëri nga pushtetarët e 'luftës' dhe të 'paqes' nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës

  • 29 March 2019 - 15:25
Qarri: Asnjëri nga pushtetarët e 'luftës' dhe të 'paqes' nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës

Analisti Gani Qarri vlerëson se kaluan 20 vjet të plotë nga krimet e bëra në Prekaz, Reçak, Mejë, Izbicë, Suharekë, Gjakovë e vendbanime të tjera, të mëdha e të vogla të Kosovës, por fatkeqësisht drejtësia nuk është vendosur as përmbushur asnjëherë dhe për asnjërën nga to, deri më tani.

“Për aq më tepër, krimi i organizuar shtetëror i regjimit okupues të Milosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë, përkundër barbarisë, gjenocidit dhe shkatërrimeve drakonike në fshatrat dhe qytetet e Kosovës, jo vetëm se nuk është trajtuar kurrë as prej vetë shtetit tonë të kapur nga mafia, por edhe mijëra padi privatë të individëve dhe familjeve kosovare, u hodhën poshtë nga gjykatat e dirigjuara prej politikës së kriminalizuar që tash e 20 vjet ka kidnapuar majat e pushtetit në shtetin tonë të brishtë.

Për pasojë, fatkeqësisht ekziston rreziku real, që pikërisht për shkak të mosndëshkimit të krimeve dhe “faljes” së kriminelëve serbë, nga Thaçi & CO, kriminelët të tentojnë sërish rikthimin, në vendin e krimit, ndërsa gjenocidi dhe krimi i organizuar shtetëror të konsiderohen edhe nga ish- shteti okupues serb, ndërmarrje normale, nxis orekset për ripërtëritjen e tyre dhe të ringjallet sërish bindja në Serbi, për ndërhyrje të reja në vendin tonë”, u shpreh ai.

“Habit fakti se si as tani, 20 vjet pas, asnjëri nga pushtetarët "e luftës" dhe të "paqes", nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës, të cilat jo vetëm se u hodhën poshtë nga gjykatat vendore, por nuk janë kompensuar asnjëherë as nga autoritetet serbe edhe pse ishte Serbia ajo që ushtroi gjenocid dhe bëri krimet më monstruoze në Kosovë.

Për aq më keq, nuk është vetëm drejtësia që ka dështuar të shpaguajë familjarët, t’i trajtojë krimet e luftës si dhe t’i shqyrtojë dëmet e luftës, të bëra nga regjimi kriminel i Milosheviqit dhe Vuçiqit, por fajtori kryesor është pikërisht kjo klasë politike e inkriminuar dhe tërësisht e dështuar politike, e cila mundësoi që kriminelët dhe urdhërdhënësit e këtij regjimi okupues, të mos ballafaqohen asnjëherë me forcën e ligjit, pasi ishin të zënë duke vjedhur popullin e vet për 20 vjet rresht.

Ndaj, megjithëse Kosova edhe pas 20 vjetësh përkujton viktimat, të rënët dhe të kidnapuarit nga regjimit pushtues i Milosheviqit, përderisa asnjë masakër nuk është trajtuar nga drejtësia dhe nuk ka asnjë të ndëshkuar nga ligji, nuk mund të kuptohet më se për çfarë dialogu, të llojit të Hashim Thaçit mund të flitet ndërmjet Kosovës së mbushur me varre dhe Serbisë agresore, kriminelët e të cilës, jo vetëm se nuk kërkon askush t’i vendosë në bankat e drejtësisë, por kërcënojnë me rimësymje dhe revanshime të reja”, potencoi më tej Qarri.

(Kosova Sot)