Zbulohen SMS-të për vrasjen e Jurgen Kurtit, si u porosit vëzhgimi dhe ekzekutimi me 25 plumba

  • 29 March 2019 - 16:26
Zbulohen SMS-të për vrasjen e Jurgen Kurtit, si u porosit vëzhgimi dhe ekzekutimi me 25 plumba

Në dosjen hetimore të ngjarjes së 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë, ku u vra me armë zjarri Jurgen Kurti, për identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes, kanë ardhur në ndihmë dhjetëra kamera sigurie.

Kamerat kanë fokusuar një makinë tip “Mercedes Benz E Clas”, ngjyrë gri, e cila u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja. Gjithashtu edhe shkëmbimin e mesazheve në një lokal përballë palestrës, ku ndodhej 26-vjeçari Kurti para se të vritej. Sipas materialit që është referuar në Prokurorinë e Tiranës nga Policia, mësohet se kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, kanë fiksuar makinën “Mercedes Benz E Clas”, ngjyrë gri.

Kjo makinë është fokusuar për herë të parë nga kamerat e sigurisë rreth orës 20:00. Në këtë orë, automjeti futet kundërvajtje në vendin ku më vonë u ekzekutua Jurgen Kurti. E njëjta makinë është fiksuar nga kamerat edhe kur del nga aty, pranë Postës nr.8 e më pas në rrugën “Sulejman Delvina”, pasi kishte bërë tri xhiro rreth vendit të ngjarjes. Në materialin referues, Policia thekson se targat e mjetit rezultojnë të vjedhura. Ndërsa shton se, më vonë, referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, ka rezultuar se automjeti ishte në pronësi të shtetasit Klodjan Bane (Buxhuku).

Ky person, në pamjet filmike të analizuar nga Policia, shfaqet kur shkon te vendi i ngjarjes dhe qëndron afro një orë aty. Madje, në një moment ai del disa herë nga makina dhe kamerat pranë zonës e kanë fokusuar, edhe duke fotografuar hyrjen e pallatit ku banonte Jurgen Kurti, vend ku më vonë ai mbeti i vrarë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 25 gëzhoja arme zjarri, 4 predha, etj.”, thuhet në materialin hetimor. Jurgen Kurti është mbajtur nën vëzhgim nga Elsi Levendi, i cili ka komunikuar me mesazhe me një numër të panjohur. Më poshtë, dinamika e plotë e ngjarjes, identifikimi dhe deklarimet e të arrestuarve.

Nga informacionet e siguruara nga Policia në rrugë operative, është mësuar se përveç ekzekutorit, i cili ka qenë me një automjet tip “Mercedes Benz E Class”, me ngjyrë gri, një tjetër shtetas e ka ndihmuar duke e orientuar për lëvizjet e viktimës. Këto të dhëna kanë orientuar veprimet për administrimin dhe këqyrjen e pamjeve filmike, duke filluar nga vendi i ngjarjes dhe në vazhdim.

Nga pamjet filmike të marra në vendin e ngjarjes, rezulton se një automjet tip “Mercedes Benz E Class”, me disa karakteristika dalluese si: drita e frenës te pjesa e bagazhit, që kur frenon rezulton të ndizet vetëm çereku i saj, nga e djathta në të majtë, ka mungesën e shkrimit të të dhënave në pjesën e bagazhit, ka një antenë në pjesën qendrore të xhamit të pasmë. Ky automjet konstatohet për herë të parë rreth orës 20:00 që vjen te vendi i ngjarjes kundërvajtje dhe më pas bën 3 xhiro përreth vendit të ngjarjes, duke kaluar nga Posta nr.8, te vendi i ngjarjes e më pas tek një market dhe duke dalë sërish në rrugën “Sulejman Delvina”.

Në këtë formë unaze automjeti është konstatuar 3 herë. Gjatë kësaj kohe kjo makinë mbante targën AA 926 GP, e cila figuron e vjedhur në Tiranë, më 17.08.2016, në pronësi të shtetasit Sh.A. Rreth orës 20:30, ky automjet shkon te vendi i ngjarjes, ku shikohet të qëndrojë i ndaluar aty për rreth një orë. Drejtuesi i mjetit shfaqet disa herë, duke dalë nga makina dhe në një nga këto momente kur del, konstatohet duke bërë veprime të ngjashme me fotografimin e shkallës së shtetasit Jurgen Kurti.

Gjatë kësaj kohe, shtetasi Elsi Levendi konstatohet se vjen nga Posta nr.8 dhe ulet te kafja ngjitur me hyrjen e palestrës. Më pas qëndron aty. Rreth orës 22:05, shtetasi Jurgen Kurti del nga palestra nën shoqërinë e një vajze dhe së bashku shkojnë drejt Postës nr.8. Në këto momente shtetasi Elsi Levendi, në dukje të kamerave të sigurisë, bën veprimin e komunikimit me mesazhe telefonike dhe automjeti i parkuar te shkalla e banesës së shtetasit Jurgen Kurti fillon të lëvizë e të shkojë drejt Postës nr.8.

Rreth orës 22:08, shtetasi Jurgen Kurti kthehet nga Posta nr.8, ku vihet re se tani e ndjek automjeti “Mercedes Benz E Class”, i cili arrin më parë te shkalla e banesës dhe zbret drejtuesi i mjetit nga makina, duke marrë një send në dukje si armë zjarri dhe shkon drejt hyrjes së pallatit, duke bërë veprime të njëjta me atë të gjuajtjes me armë zjarri. Më pas hipën në makinë dhe shkon drejt ish lokal “Shushicës”. Ky automjet konstatohet më pas te Kopshti Zoologjik dhe në këtë kohë shtetasi Elsi Levendi shihet duke shkuar drejt Postës nr.8 dhe hipën në një taksi që qëndronte aty pranë një kompanie taksish. Me ketë taksi ai niset drejt Liqenit të Thatë.

(Kosova Sot)