Kosova nën urdhrat e Erdoganit – 1 vit nga deportimi i pabesë i gylenistëve

  • 29 March 2019 - 17:23
Kosova nën urdhrat e Erdoganit – 1 vit nga deportimi i pabesë i gylenistëve

Saktësisht një vit më parë, Kosova u përkul para urdhrave të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan duke ia dorëzuar gjashtë shtetas të cilët ai i konsideronte terroristë

Duke i rrëmbyer e deportuar, në ditën kur ata gëzonin leje qëndrim në Kosovë, përmes një operacioni të organizuar mirë, pak kohë ju është dashur organeve të rendit që këta gjashtë persona t’i vendos nën pranga, për t’i nisur pak orë më vonë përmes aeroportit të Prishtinës për në Turqi.

Krejt operacioni i orkestruar nga ata që e dinin rrezikun e reagimet që mund të vinin prapa saj, u krye pa asnjë pengesë, e u mjaftua me disa shkarkime, e rritje në pozitë nga krerët e shtetit të Kosovës.

Tash kur ka kaluar një vit, Prokuroria Speciale e Kosovës është ende duke u marrë me hetime për rastin, duke bërë të ditur vetëm se kanë intervistuar disa persona.

Derisa për Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina është përgatitur aktakuzë nga Byroja e Terrorizmit dhe Krimeve të Organizuara e Prokurorisë Republikane të Stambollit, autoritetet e vendit kanë dështuar që të akuzojnë ata persona që qëndrojnë prapa atij organizimi.

Për familjet e të deportuarve ndërkaq, jeta nga atëherë ka vazhduar me frikë.

Si kishte nisur aksioni?

Mëngjesin e datës 29 mars të 2018-tës, ashtu si çdo ditë tjetër, kishte nisur njëjtë për gjashtë familjet nga Turqia që kishte vite që kishin zgjedhur Kosovën për të jetuar e punuar.

Por, dita për mjekun e pesë punonjësit e shkollës “Mehmet Akif” nuk vazhdoi njëjtë.

Në vende të ndryshme, të gjithë këta para orës 08:00 të mëngjesit u arrestuan dhunshëm nga policia kosovare.

Atëherë kur lajmi u shpërnda në vend, liderët e shtetit dolën me reagime duke dënuar aktin, por, nuk u ndërmor asgjë për ndalim të aeroplanit që i transportoi këta persona.

Diku rreth orës 11:00, gjashtë shtetasit turq, kaluan edhe kontrollet e fundit përmes aeroportit, e vazhduan për në aeroplanin e kompanisë “Birlesik Insaat” që lehtësisht kishte gënjyer organet e vendit për arsyen e fluturimit, e sa persona do të hipnin në aeroplan.

Nga aeroporti gjashtë shtetasit turq patën kontaktin e fundit me Kosovën, e përfunduan në shtetit turk aty ku tash e një vit po përballen me drejtësinë nën akuzat për bashkëpunim me Gylenin – armikun e Erdoganit.

Shkarkime e emërime

Të gjithë liderët kosovarë, patën deklaruar se operacioni i deportimit ishte organizuar kur ata nuk kishin as të vetmin informacion, ose të paktën kështu deklaroheshin.

I gjithë faji ju kishte mbetur vartësve të tyre, e për këtë liderët kishin vendosur që t’i dënonin me shkarkime, e t’i shpërblenin me emërime në poste tjera përgjegjësit.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj e drejtori i AKI-së, Driton Gashi u panë si dy personat kompetentë që kishin kryer planin e kidnapimit, e të dy këta u shkarkuan nga pozitat.

Por, vetëm Sefaj vuajti pasojat sa i përket pozitës. Pak kohë ju është dashur të parit të shtetit, Hashim Thaçit që për operacionin ta shpërblejë Gashin me një post në kabinetin e tij.

Tendencë për ta shpallur të pafajshëm e një mbrojtje e jashtëzakonshme ndërkaq u bë për atë që kishte nën kontroll Policinë e Kosovës.

Shpend Maxhuni, që urdhëroi policinë për të kryer disa arrestime, nuk u dënua.

Përkundrazi, Maxhuni falë operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, gëzon tashmë postin e të parit të Institucionit më të Lartë të Sigurisë në vend, AKI-së.

Shpend Maxhuni pak pas skandalit u emerua shef ne AKI

Hetimet që zbardhën fakte e mbetën vetëm në letër

Meqenëse pak ditë pasi që ndodhi operacioni “Gylenistët”, Prokuroria Speciale e Kosovës filloi hetimet, ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj ndonjë personi e rasti është ende në fazën e intervistimeve.

Intervistime për disa muaj me radhë kryen edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, në komisionin hetimor që u krijua në parlament.

Duke marrë në pyetje personat që u mendua që qëndrojnë prapa ekzekutimit të urdhrave të asaj dite, u gjetën fiks 31 shkelje e u hartua raport i plotë nga ekspertë amerikan, që më vonë u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale, për t’iu bashkëngjitur dosjes së hetimeve.

Përveç se u identifikuan raste  kur njerëzit që gëzojnë pozita të larta ranë ndesh me atë që deklaroheshin se dinin atë ditë, pa therë në këmbë mbeti i pari i shtetit Hashim Thaçi.

Thaçi injoroi krejtësisht të gjitha thirrjet që iu bënë për të raportuar në komision, duke përfituar nga benefitet që ia sjell pozita.

Megjithatë, atij i dërgonte lavde të shumta vetë presidenti turk Tayyip Erdogan duke e përgëzuar për “dhuratën”, e për këtë afërsi të tij me të, deri më tani Thaçi nuk ka folur asnjë fjalë. Në anën tjetër, Erdogani fliste ndryshe për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Presidenti turk kishte konfirmuar atëherë se Agjencia Kombëtare e Inteligjencës turke së bashku me AKI-në kishin kapur gjashtë turqit që i quante përfaqësues të lartë të “FETO”-s në Ballkan.

Institucionet nuk bashkëpunojnë me njëra tjetrën për rastin

Përveç shkeljeve që i kanë identifikuar e bërë publike në rastin “Gylenistët” nga komisioni, organet e rendit kanë dështuar të bashkëpunojnë mes vete edhe në dënimin e atyre që i kishin mashtruar haptazi.

Vetë kompania që kreu transportin e gjashtë turqve e kishte mashtruar Ministrinë e Infrastrukturës duke kërkuar leje kalimi komerciale vetëm për një person, e që rezultoi të jetë krejtësisht ndryshe.

Krejt çka ju duhet MI për të dënuar “Birlesik Insaat” me 1 milion euro është një dokument e pamje të kamerave të sigurisë që ka kohë që janë bërë publike, por, askush nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka marrë mundin që t’i dërgojë këto pamje zyrtarisht – ani pse çka ka ndodhur e si ka ndodhur veçse dihet.

Madje, nga MPB thonë se as nuk i kanë ato të cilat i kërkon Ministria e Infrastrukturës, edhe pse është kompetencë e tyre.

Por, rasti në mes të MPB-së, e MTI-së, nuk është i vetmi i kësaj natyre, te institucionet nuk ka disponim për të mësuar e dënuar orkestruesit e rastit “Gylenistët”.

Deportime gabimisht

Mësuesi i lëndës së Kimisë, Hasan Huseyin Gunakan, ditën e 29 marsit të vitit të kaluar iu bashkua listës së personave që kërkoheshin nga shteti turk, e që iu dorëzuan Erdoganit me një operacion të organizuar mirë nga inteligjenca kosovare, ani pse gjatë rrëmbimit autoritetet e kuptuan se nuk kishin kapur personin të cilin po e kërkonin.

Në fakt, autoritetet po kërkonin Hasan Huseyin Demir, mirëpo, nuk ju prishi punë edhe kur gjatë arrestimit kuptuan se kishin vënë nën pranga njeriun e gabuar.

Siç ka raportuar pak ditë më parë Gazeta Express, Hasan Demir kishte qëndruar një kohë në Qendrën e Azilit në Magure, por, ishte larguar për në Gjermani nga frika e pasiguria që kishte po të vazhdonte jetën në Kosovë.

Askush nga organet e vendit madje nuk ka dhënë përgjegjësi se si u dorëzua gabimisht e po gjykohet Gunakan në Turqi.

Pala mbrojtëse e personave që janë deportuar po kërkon në vazhdimësi ndihmë nga drejtësia vendore, ndërkaq, për dyshimet se qëndrojnë prapa puçit të vitit 2016-të në Turqi, ata mund të mbesin në burg deri në 30 vjet.

Gjashte personat qe u deportuan per ne Turqi

Reagime të ashpëra nga ambasadat

Derisa ndërkombëtarët kishin dënuar që nga fillimi bashkëpunimin e Kosovës dhe Turqisë në këtë organizim, kritikat u rritën në prag të një vjetorit kur u kërkua përgjegjësi nga politika e AKI.

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënoi përpjekjet e disa personave për të penguar punën e komisionit hetimor të krijuar në Kuvend, ndërkaq, kësaj deklarate iu dha mbështetje edhe nga Ambasada e Britanisë së Madhe e Gjermanisë.

Sot gjatë ditës ndërkaq ka reaguar edhe ambasada e Zvicrës që ka kërkuar nga institucionet që të mos pengojnë punën e komisionit.

Kosova vazhdon të mbetet në vendet e vetme të cilat iu kanë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Erdoganit për ekstradim, e kjo që nga fillimi u paralajmërua si ndikim e rrezikim i raporteve me BE-në, e SHBA-në

(Kosova Sot)