Ish deputeti e akuzon Thaçin: Ka bërë krime në të kaluarën, u bë njeri i Serbisë

  • 29 March 2019 - 18:55
Ish deputeti e akuzon Thaçin: Ka bërë krime në të kaluarën, u bë njeri i Serbisë

Ish-deputeti Adem Salihaj u shpreh se Kosova, si edhe në të gjitha luftërat e mëparshme, edhe këtë herë, u masakrua pamëshirshëm nga Serbia.

"Mbi 14 mijë të vrarë, nga të cilët pati foshnje, fëmijë, pleq e gra. Mbi 20 mijë gra shqiptare të dhunua nga serbët. Qindra-mijëra shtëpi, objekte biznesi dhe objekte të tjera të djegura e të rrënuara. Dhjetëra- mijëra kafshë të therura, të djegura e të plaçkitura. Gjësende ari dhe sende të tjera të plaçkitura nga policia dhe paramilitarët serbë. Qindra miliona euro të fondit pensional dhe fondeve të tjera të plaçkitura. Ende edhe mbi 1600 të pagjetur. Bilanci është i tmerrshëm. Dëmi i përafërt material llogaritet në mbi 20 miliardë euro. Të mos flasin për vuajtjet e tmerret e pafund të familjeve që iknin nga mali në mal, nëpër borë e acar, pa veshmbathje e ushqime. Gjithë ato tmerre, duke parë anëtarët e familjes, duke ua masakruar dhe gratë e vajzat, duke ua dhunuar", ka thënë ai.

"Të gjitha këto nuk patën aspak rëndësi për Hashim Thaçin dhe komandantët e tij, të cilët, pas hyrjes së trupave të NATO-s, vrapuan t'i uzurponin institucionet, fabrikat, ndërmarrjet shoqërore, shtëpitë e braktisura dhe të plaçkitnin atë që kishte mbetur pa u plaçkitur. Këta njerëz, që patën ndikim fatal në gjithë periudhën e pasluftës, nuk bënë asgjë për t'i hetuar, zbuluar dhe gjykuar kriminelët serbë për të gjitha ato krime që bënë ndaj shqiptarëve", potencoi më tej Salihaj.

"Në gjithë këtë periudhë të gjatë të bisedimeve me Serbinë, Thaçi, jo vetëm që nuk e shtroi në tavolinë të bisedimeve asnjë nga këto krime, por, përkundrazi, e qiti Kosovën në pozitë inferiore, sikur të ishim në ata që kemi bërë krime ndaj Serbisë e jo Serbia ndaj Kosovës. Thaçi, duke u frikësuar për lëkurën e tij, meqë ka bërë krime në të kaluarën dhe, me kalimin e kohës u bë njeri i Serbisë, e vuri Kosovën në pozitën e fajtorit dhe filloi të negociojë me Serbinë për kompensimin e saj, duke ia ofruar një pjesë të madhe të territorit të Kosovës, madje edhe pasurinë më të madhe të Kosovës, 'Trepçën', e cila vlerësohet në mbi 500 miliardë euro. Partitë politike në Kosovë nuk po bëjnë diçka serioze për ta ndalur gjithë këtë zhvillim tepër negativ, i cili do të jetë shkatërrues për Kosovën", ka vlerësuar Adem Salihaj për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)