Aleanca e drejtësisë me krimin e bën Kosovën një vend të pashpresë

  • 30 March 2019 - 08:03
Aleanca e drejtësisë me krimin e bën Kosovën një vend të pashpresë

 Kapiti: Kërcënimi më i madh shtetit dhe shoqërisë shqiptare sot u vjen nga drejtësia e politika dhe pushteti i kriminalizuar e i korruptuar

 “Gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët me aleancën dhe heshtjen e tyre ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit e kanë bërë këtë shtet ‘të pajetueshëm’ dhe ia kanë marrë peng të ardhmen Kosovës, apo e kanë shndërruar në një oazë të krimit të organizuar, ku nuk sundojnë ligji, rendi dhe shteti i së drejtës, e pa funksionimin e tyre as që do të ketë perspektivë ekonomike dhe zhvillim ekonomik e siguri...”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Ndonëse çdo ditë ka kritika të bazuara për dështimin e drejtësisë në zbatimin e ligjit, kur vjen puna te adresimi konkret i përgjegjësisë, mungojnë emrat. Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se pse nuk ka llogaridhënie, pse nuk bëhen të ditur kush janë prokurorët dhe gjykatësit e paaftë që meritojnë ndëshkim për mospunën e tyre. Sipas analistëve, pse nuk bëhet e ditur se a është ndëshkuar qoftë edhe një prokuror apo gjyqtar për dështim në punën e tij gjatë vitit të kaluar e deri tash. Edhe përkundër pyetjeve dërguar KGJK-së,KPK-së dhe ZPD-së, asnjë institucion nuk ka kthyer përgjigje. Njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se pikërisht mosndëshkimi dhe mosdhënia përgjegjësi e prokurorëve dhe gjyqtarëve, e kanë sjell shtetin e Kosovës në një oazë dhe çerdhe të krimit të organizuar.

Analistët alarmojnë se krimi i organizuar në Kosovë si dhe strukturat primitive dhe të dhunshme kriminale u kthyen në organizata të komplikuara e kërcënuese për vendin, të cilat investojnë kinse në biznese të “ligjshme” të mafio-oligarkëve, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave si në Kosovë po ashtu edhe në parajsa fiskale. Sipas analistëve janë bërë një politika me organizatat kriminale të nëntokës në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Nëntoka me mafio-oligarkët janë në “një limbo” mes aktiviteteve të paligjshme që i kanë pasuruar dhe i pasurojnë, si dhe atyre gjoja të ligjshme, përmes së cilave qarkullojnë dhe pastrojnë paratë. Analistët po ashtu alarmojnë se në këtë rreth tepër kriminal janë edhe gjykatat dhe prokuroritë, duke mos u marrë fare me mafio-oligarkët, politikanët e lidhur me ta, si dhe nëntokën.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Prokurorët i kanë të gjitha…përveç rezultateve

Analisti Hasan Preteni vlerëson se nuk ka transparencë dhe nuk ka llogaridhënie. “Në mungesën e këtyre dy elementëve atëherë ka korrupsion, ka mospunë dhe mosefikasitet. Që 20 vjet liri dhe që 11 vjet shtet asnjë prokuror, asnjë gjyqtar dhe asnjë hetues nuk është larguar nga puna për mosefikasitet ose mosarritjen e normave. Si askund në botë, qytetari i Kosovës nuk e njeh asnjë prokuror (përveç nëse është pjesë e familjes) nuk është bërë i njohur asnjë prej tyre që kishte me u identifikuar me një rast. Ishte prokurori Blakaj ai që filloi të bëhet i njohur për publikun, por edhe ai u detyrua të largohet menjëherë pas një fillimi të mbarë. Prokurorët dhe gjyqtarët janë duke u paguar si askund në regjion, i kanë privilegjet si askund tjetër, e kanë mundësinë e punësimit të shumëfishtë.

Dhe, vetëm atë që nuk e kanë janë rezultatet”, potencoi Preteni. Sipas tij, nuk ka rast përveç në Kosovë ku një prokuror e ngrit vetëm një aktakuzë për 4 vjet.“Edhe në raportet e Prokurorisë Speciale ka aq pak aktakuza që del se ka prokuror që nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë. Edhe pse rezultati i një prokurori nuk varet nga numri i aktakuzave, por nga numri i rasteve që i fiton, e po të ishte ashtu, asnjë prokurori nuk do t’i vazhdohej kontrata. Politika ua siguroi atyre të gjitha të mirat, e ata politikës po ia kthejnë favoret me mospunë dhe me mosndëshkim. Koalicion joparimor dhe i dëmshëm për ardhmërinë e vendit”, ka vlerësuar Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Image
Skender Kapiti

 Kosova e prangosur nga mafio-oligarkia politike

Analisti tjetër, Skënder Kapiti, vlerësoi për “Kosova Sot” se Kosova është kapur dhe prangosur nga mafio-oligarkia politike dhe juridike e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës nga regjimi kriminal e genocidial serb, sot fatkeqësisht Kosova ka rënë pre e korrupsionit dhe e krimit të tij, të krimit të organizuar, të krimit gjyqësor dhe abuzimeve me detyrat shtetërore dhe të krimit të hajdutërisë”, u shpreh ai. “Kërcënimi më i madh shtetit dhe shoqërisë shqiptare sot i vjen nga drejtësia dhe politika e pushteti i kriminalizuar dhe i korruptuar.

Shteti, pushteti dhe drejtësia duhet t'u shërbejnë ligjit dhe qytetarëve, por realiteti është krejtësisht në kundërshti me atë se si ai duhet të jetë. Kjo sepse si shteti, pushteti e drejtësia janë antishteti, janë e funksionojnë si antipublike dhe si antiligj, pasi shteti, pushteti dhe drejtësia janë prona private të mafio-oligarkisë që i ka kapur ato”, ka theksuar më tej Kapiti. “Kur politika funksionon si organizim antipublik, si hajni e organizuar mirë dhe si pushtet mbret dhe i pasfidueshëm juridikisht, aty shteti dhe demokracia funksionojnë së prapthi.

Drejtësia në Kosovë nuk merret me krimin e organizuar, as nuk e bën luftën kundër krimit dhe korrupsionit politik dhe institucional, sepse vetë drejtësia është pjesë e kësaj korporate korrupsioni, por edhe vegël dhe instrument mbrojtjeje dhe avokatie e këtij sistemi dhe të kësaj politike të korruptuar”, ka thënë më tej Kapiti.

 

Image
Blerim Burjani

Lëndët po kalben në sirtarë

Analisti Blerim Burjani thekson se “shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë performancë të dobët vjetore dhe deri më tash nuk ka pasur ndonjë evoluim të punës së tyre, ka munguar vlerësimi, por edhe ndëshkimi i atyre që nuk e kanë përfunduar punën si duhet.

Si rezultat i kësaj çështje të performancës së dobët kanë mbetur qindra lëndë në sirtarë të pakryera, që të gjitha parashkruhen. Parashkrimi që ndodh për të gjitha lëndët e pakryera buron nga mospuna e gjyqtarëve, përplot lëndë të pakryera dhe pa ndonjë përgjegjësi adekuate, sikurse të kishte shumë punë të pakryera ishte dashur të merren masa ndaj atyre që kanë ngelë mbrapa. Pra, së pari duhet të dihet për çka nuk janë kryer lëndët, pastaj të shkohet në komision disiplinor për të gjetur shkakun”.

 Kelmendi: Këta mafio-oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë
“Fatkeqësisht, apo për fatin e keq të drejtësisë e mossundimit të ligjit, prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion së bashku me mafio-oligarkët e që këta mafio-oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror apo qoftë në nivelin lokal... mbase dhe duke qenë e kundërligjshme ndodh që prokurorët në Kosovë shumicë e rasteve të kallëzimeve penale i hedhin poshtë pas heshtjes së gjatë e mosndërmarrjes së veprimeve ligjore pa asnjë argument, apo këto lëndë i lënë të parashkruhen nëpër sirtarë...në fakt kjo neglizhencë e qëllimshme profesionale atakon drejtpërdrejt funksionin e drejtësisë dhe në anën tjetër nxjerr në pah faktin se Drejtësia në Kosovë ka nevojë imanente për prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë e me etike dhe integritet, që nuk e shesin dhe nuk e trafikojnë drejtësinë”, theksoi Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)