Australia planifikon ligje të ashpra për rrjetet sociale

  • 30 March 2019 - 10:20
Australia planifikon ligje të ashpra për rrjetet sociale

Sipas një ligji të ri, të propozuar nga qeveria e Australisë, udhëheqësit e rrjeteve sociale mund të dënohen me tri vjet burgim dhe kompanitë e tyre mund të ndëshkohen me 10 për qind të qarkullimit në rast se dështojnë t’i largojnë shpejt nga platformat e tyre materialet që përmbajnë dhunë.

Masakra e 15 marsit në Christchurch të Zelandës së Re, në të cilët u vranë 50 besimtarë myslimanë në dy xhami dhe e cila u transmetua drejtpërdrejt në Facebook, ka shkaktuar kritika për rolin e rrjeteve sociale në shoqëri.

“Kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale kanë përgjegjësi që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme për t’u siguruar se produktet e tyre teknologjike nuk do të keqpërdoren nga terroristët vrasës”, tha kryeministri australian, Scott Morrison, përmes një deklarate.

Nëse ky ligj i merr votat e mjaftueshme në kuvend, ai mund të përdoret për t’i akuzuar kompanitë e mëdha, si Facebook, Google dhe YouTube, në rast se ato nuk i largojnë menjëherë materialet që përmbajnë dhunë. Vendimin për shpejtësinë e largimit të materialeve të ndaluara do ta marrë një juri e krijuar nga gjykata.

Qeveria do ta dërgojë këtë projektligj në kuvend gjatë javës së ardhshme, vetëm një javë para zgjedhjeve federale.

Morrison gjithashtu tha se Australia e ka krijuar një task forcë, në të cilën janë përfshirë përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të rrjeteve sociale, por se rezultati i bisedimeve deri tash nuk ka qenë i kënaqshëm.

“Ata nuk e kanë paraqitur ndonjë zgjidhje të menjëhershme për çështjet që janë ngritur për shkak të horrorit në Zelandë të Re” tha Mitch Fifield, ministër i komunikimeve, shkruan “Reuters”

(Kosova Sot)