Musliu: “Pronto” Prokuroria selekton rastet që i amniston nga ekspozimi publik

  • 30 March 2019 - 14:14
Musliu: “Pronto” Prokuroria selekton rastet që i amniston nga ekspozimi publik

Aktakuza e ngritur për Fondin e 3 përqindëshit, ndaj Bujar Bukoshit, Ardhe Gashit dhe Naser Osmanit është mbajtur qëllimisht larg syve të publikut.

Kjo mënyrë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ia ka humbur vlerën skandaleve.

“IKD monitoron sistematikisht sistemin e drejtësisë në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Ky rast është mbajtur qëllimisht larg syve tanë dhe të publikut. Ky rast dëshmon gjetjet sistematike të IKD-së që prokuroria dhe gjyqësori janë selektiv dhe qytetarët i trajtojnë në mënyrë të pabarabartë”, ka thënë Musliu për Express.

Musliu tha se prokuroria për ngritjen e aktakuzave, shpesh njofton publikun përmes komunikatave për media por kjo nuk ka ndodhur me këtë rast.

“Pronto Prokurori i Shtetit në mënyrë selektive vendos kënd ta ekspozojë në publik e kënd ta amnistojë. Është e papranueshme që sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë me këtë logjikë”.

Në fund të muajit janar të këtij viti, Prokuroria kishte lëshuar një njoftim se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave se në Malishevë kishin vjedhur pako cigare dhe gjësende të tjera në një market.

Por, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe as Zyra e Prokurorit të Shtetit s’kishte lëshuar asnjë njoftim, asnjë informacion se para një viti i ka ngritur aktakuzë ndaj tre personeve, profil i lartë, nën akuzën se kanë keqpërdorur paratë e Fondit të Trepërqindëshit.

Koha Ditore raportoi sot se aktakuzën e kishte ngritur Faik Halilaj, i cili ka dalë në pension, ndërsa, lëndën e ka marrë prokurori tjetër, Atdhe Dema, i cili ka edhe lëndën e hidrocentraleve dhe lëndën e rritjes së pagave të Qeverisë.

Express ka provuar të kontaktojë me Prokurorin Dema, por i njëjti nuk është përgjigjur se pse s’ka pasur kurrëfarë njoftimi për ngritje të aktakuzës dhe as s’ka pasur data se kur janë mbajtur seancat gjyqësore.

Bujar Bokoshi ka konfirmuar për Express se ka nisur procesi gjyqësor. Ka refuzuar të flasë më shumë duke këshilluar që të kontaktohet avokati i tij, Besnik Berisha. Ky i fundit s’është përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte nisur hetimet ndaj Bukoshit më 2015. Ndërsa në fillim të vitit 2016 i kishte kërkuar ndihmë edhe Prokurorisë së Tiranës për të hetuar tre kosovarët.

“Kërkesa për hetim ka mbërritur në Tiranë nga Prokuroria Speciale e Kosovës në datën 15 janar 2016 dhe mban numër protokolli 190/1”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë së Tiranës.

Insajderi kishte publikuar dokumente tre vite më parë në të cilat dokumentoheshin tërheqje të  mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës gjatë viteve 2006-2011.

Këto para janë tërhequr nga bankat  në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të deponuara fondet e 3 përqindëshit.

Të dhënat e këtyre fondeve, tregojnë se Fondi i Republikës së Kosovës-i regjistruar si OJQ- ka llogari në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë. 16 transaksionet bëhet fjalë për shtatë, deri në 50 mijë euro.

Atëkohë, Bukoshi e kishte pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa. Ky i fundit s’është pjesë e aktakuzës për Fondin e Trepërqindëshit edhe pse kishte qenë edhe Ministër i Financave në Qeverinë në Ekzil.

Bukoshi kishte konfirmuar se paratë ishin tërhequr nga Naser Osmani, deputet i LDK-së dhe Atdhe Gashi, ish këshilltar i tij.

Por, Naser Osmani e Atdhe Gashi kishin mohuar  se kanë pasur qasje në llogaritë bankare jashtë vendit. Kishin thënë po ashtu se këtë detyrë brenda Kosovës e kanë pasur deri në vitin 2006. Pretendojnë se kanë tërhequr shuma të vogla parash nga një llogari në Bankën Private të Biznesit për pagesa të zyrave, punëtorëve e shpenzime tjera për UFORK-un.

E, Mustafa, ish-ministër në Qeverinë e Bukoshit në Ekzil, nuk ka pranuar të flas për këtë çështje. Mustafa kishte thënë në vitin 2000 se në fond kishin mbetur edhe 50 milionë marka gjermane.

Fondi i Trepërqindëshit ishte themeluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Familjet kosovare ishin detyruar të paguanin 3 për qind të të ardhurave të tyre qoftë në Kosovë apo jashtë saj.

Me këtë fond kishin funksionuar institucionet paralele në Kosovë në vitet e 90’ta. Ishin paguar mësimdhënësit e mjekët që kishin punuar jashtë institucioneve të Jugosllavisë në Kosovë.

Krahu tjetër i luftës kishte themeluar Fondin Vendlindja Thërret që po ashtu ishte keqpërdorur.

Së fundmi, Xhavit Haliti e Anton Quni ishin përplasur në Parlament se ku ishin shkuar milionat e këtij fondi.

(Kosova Sot)