Mos shkoni te varrezat e dëshmorëve, e keni dh....punën

  • 31 March 2019 - 07:34
Mos shkoni te varrezat e dëshmorëve, e keni dh....punën

Amaneti i të rënëve u shkel e u harrua krejtësisht

”Kur është në pyetje te kreu aktual i Qeverisë së Kosovës, i Parlamentit, e për atë të Presidencës as të mos flasim më, sepse është katastrofë dhe mjerim, këta që të gjithë gati, kush më shumë e kush më pak, janë të mbështjellë me antishqiptarizmin e tyre të madh dhe antipatriotizmi i tyre për shtetin, mendoj që nuk fillon me ardhjen e tyre në këto pozita, por antishqiptarizmin, antishtetin dhe antikombëtarizimin e kanë të mbjellë shumë më herët.

Tash është një fat i mirë që janë edhe mediet në shumësinë e tyre dhe janë më liberale dhe më të guximshme, një pjesë e tyre, dhe secilit po ia nxjerrin në shesh të larat dhe të palarat, që i kanë pasur dhe që i kanë edhe tani”, u shpreh veprimtari i çështjes kombëtare, ish- i burgosur politik dhe luftëtar i UÇK-së, Salih Salihi për “Kosova Sot”

Të pakënaqur, të mashtruar dhe të revoltuar me këtë kastë politike që po e qeveris vendin tash e dy dekada, madje edhe duke u thirrur në vlerat e luftës, pavarësisht se po shkelin mbi to, qytetarë me të cilët ka biseduar gazeta kërkojnë që të tillëve t’u pamundësohet vazhdimi i qeverisjes së vendit, të ndëshkohen edhe me votë, edhe me protesta të kundërshtohet kapja e shtetit nga ana e tyre.

Për më tepër, qytetarët mendojnë se shumicës së këtyre politikanëve kosovarë do të duhej ndaluar që mos të shkojnë më fare tek varret e dëshmorëve, sepse, duke lakmuar pas pushtetit, duke u zhytur në krim e korrupsion, politikanët e inkriminuar kosovarë i kanë harruar edhe dëshmorët e kombit, viktimat dhe dëmet e luftës, e për vete i kanë bërë qindra miliona. Shumica e qytetarëve të shtetit akoma të varfër të Kosovës ndihen të lodhur me pushtetarët e inkriminuar kosovarë, të cilët kanë shkelur edhe gjakun dëshmorëve, prandaj nuk përjashtohet si zgjidhje e vetme organizimi i një revolte popullore që të ndalet degradimi i shtetit, i cili çdo ditë e më shumë po shkon drejt shkatërrimit nën udhëheqjen e këtyre politikanëve të kriminalizuar.

Edhe pse tanimë po pritet që në gjysmën e dytë të këtij viti, të ketë zgjedhja të reja në Kosovës, qytetarët janë në mjegull, sepse dhe nuk dinë se si ta orientojnë votën e tyre, ngase pa marrë parasysh se cila parti po udhëheq koalicionin, të gjitha partitë, pa dallim, janë bërë pjesë e mafio-oligarkisë kriminale, të cilëve u prijnë Devollët dhe jo vetëm, pra të gjithë këta pushtetarë të kriminalizuar në 20 vjetët e fundit po dalin të njëjtë, duke përfshirë edhe qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë, i cili u zgjodh dy herë kryetar nga VV-ja.

Patriotizmi fals i liderëve

qytetarit Shemsi Muçiqi, sa u takon këtyre 20 vjetëve të kaluar këta që janë në pushtet, nuk e kanë treguar as minimumin e patriotizmit në ndërtimin e shtetit. “Këta as nuk kanë pasur patriotizëm, kurrë as nuk do të kenë, sepse realisht këta janë njerëz të pandjenja. Këta nuk kanë kurrfarë ndjenje kombëtare, por e shikojnë vetëm interesin e tyre personal dhe për popull e për shtet as që iu shkon mendja që të interesohen.

Për këto 20 vjet janë tepruar e na kanë dalë mbi kokë jo 100%, por 200% e më shumë këta po na shesin vazhdimisht patriotizëm të rrejshëm fals, që nuk po i beson më askush, prandaj t’ju them të drejtën, kur po i shoh te varrezat e dëshmorëve që po shkojnë, unë me vete po pyes se si nuk iu vjen turp që t’i shohë dikush aty”, u shpreh ai. “Është turp për ta kur dalin dhe duken rrugës e jo më që të shkojnë edhe aty, sepse turpi sa shkon e rritet për të bërat e tyre. Po e them këtë, sepse shumica nga këta kanë shkelur mbi gjakun e dëshmorë dhe të bashkëluftëtarëve të tyre dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me patriotizëm, por vetëm po i ruajnë lidhjet e tyre me krimin dhe korrupsionin, kurse rinia po ikën prej veprimeve të tyre”, theksoi Shemsi Muçiqi.

Veprimtari i çështjes kombëtare, ish- i burgosur politik dhe luftëtar lirie në UÇK, Salih Salihi, tha për “Kosova Sot” se është fakt i pamohueshëm që ndërtimi i piramidës politike kriminale është nga kreu shtetit e teposhtë, kush më shumë e kush më pak është pjesë e saj. “Sidomos, Kadrija dhe Hashimi, nuk mund të gjendjen në histori diku që të mbeten në kujtim se kanë bërë ndonjë vepër patriotike dhe atdhetare. Avazin e tyre të vjetër këta janë duke e vazhduar edhe sot e kësaj dite. Pra, antishqiptarizmi i tyre nuk është krijuar dje, por këta mund ta kenë një bazë të mëhershme tradicionale edhe në familje, shumë më herët sesa që këta janë duke e bërë sot. E, sa i takon asaj që këta shkojnë për t’i vizituar familjet e dëshmorëve, nëpër tubimet përkujtimore dhe nëpër akademi, e shkojnë tek varrezat dhe përulen para dëshmorëve, ky është një patriotizëm fals i tyre, sepse këta po shkojnë edhe atje lart në ‘Velani’ te Rugova, tek ai që deri dje e kanë sharë dhe nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër tij. Dhe, tani ne duhet t’i pyesim se cili je ti këtu sot.

Image
Salih Salihi

Sa i përket atdhetarizmit dhe vizitave të familjet e dëshmorëve, këta po të kishin vetëm pak fytyrë dhe moral, këta nuk do të ishte dashur të shkojnë atje fare. Mirëpo, për shkakun që këta po shkojnë nëpër këto aktivitete, unë nuk po shkoj. Unë e kam pasur një shok që këto ditë e ka pasur përvjetorin, Ismet Asllanin, një njeri shumë kombëtar që ka dhënë shumë për shqiptari me krejt familjen e tij, edhe në luftë, edhe në logjistikë, por unë nuk shkoj aty, pasi janë këta”, tha Salih Salihi për “Kosova Sot”.

Image
Ali Demiri

Kosovës i duhen politikanë të rinj

Qytetari Ali Demiri tha për “Kosova Sot” se edhe një patriotizëm i madh i këtyre politikanëve që po plasohet me fjalë nëpër tubimet përkujtimore nuk është gjë tjetër veçse patriotizëm fals, prandaj nuk do të ishte gabim sikur të tillëve t’u ndalohet të marrin pjesë ne ceremonitë e tilla. “Unë mendoj që ka ardhur koha dhe duhet që të zgjidhjen në të ardhmen krejtësisht njerëz të rinj të politikës për të na përfaqësuar në këto institucione. Mendoj që duhet të ndërrohen të gjithë këta politikanë, sepse krejt këto parti politike, kush më shumë e kush më pak, e kanë provuar pushtetin dhe qeverisjen e vendit, dhe asnjë nga këto realisht nuk ka bërë asgjë.

 Duhet të zgjidhen e ta marrin në dorë qeverisjen e vendit disa të rinj, që nuk kanë pasur kurrë deri më tani pushtet dhe që nuk janë të korruptuar dhe të inkriminuar, ndoshta e marrin më seriozisht çështjen e shtetit dhe punojnë, sepse këta që janë tani nuk kanë bërë asgjë”, u shpreh ai. “Po mbushen 20 vjet pas luftës dhe ky vend vetëm ka stagnuar, nuk ka përparuar aspak, prandaj edhe rinia ka marrë botën në sy dhe po ikin jashtë, sepse nuk po kanë perspektivë që të qëndrojnë e të presin ditë më të mira këtu.

Madje, jemi dëshmitarë se po ikin edhe ata që kanë një lloj pasurie, që kanë para, sepse është bërë këtu një jetë e frikshme nga krimi dhe korrupsioni. Unë mendoj që edhe opsioni i protestës kundër këtyre të korruptuarve do të ishte zgjidhje për t’i hequr nga pushteti sa më shpejt, por po duket që populli sikur është duke fjetur”, potencoi Ali Demiri për “Kosova Sot”. Sipas tij, të tillët nuk kanë asnjë të drejtë morale që të shesin patriotizëm duke folur fjalë të mëdha nëpër tubimet përkujtimore që tani janë duke u mbajtur në përkujtim të viktimave dhe të dëshmorëve.

Image
Halil Fazliu

Udhëheqje më të papërgjegjshme nuk kemi parë

“Unë po ju them me plot përgjegjësi, se udhëheqësi më hiç e më të dobët e më të papërgjegjshme kush në mend nuk e mban që ka pasur, e unë tani i kam mbushur 83 vjet. Për mënyrat se si është qeverisur në faza të caktuara, unë mbaj në mend mirë për plot 75 vjetët e kaluar. Tash me këtë qeverisje që e kemi, ky popull ka ardhur në kufijtë e ekzistencës, shumica, derisa një pjesë tjetër është pasuruar dhe as vetë nuk e dinë sa kanë pasuri, të cilën nuk e kanë bërë me punë, por vetëm me hajni dhe me faqe të zeza, e që në të kaluarën, edhe pse kemi pasur një regjim tjetër, populli ynë nuk i ka pasur në traditë.

 

E kemi pasur besën, e kemi pasur nderin dhe respektin, por tani këta janë zhveshur nga të gjitha këto tradita të mira që i kemi pasur në të kaluarën. Me të drejtë po thuhet nëpër disa tubime përkujtimore, po bëhen thirrje që këtyre t’u ndalohet të afrohen dhe te varret e dëshmorëve. Për besë, këta janë duke shkelur me të dyja këmbët në gjakun e dëshmorëve tanë”, tha Halit Fazliu për “Kosova Sot”.

Image
Hamit Dalipi

Vetëdija qytetare duhet të rritet

“Defektet dhe lidhjet me krimin duken prej lart teposhtë, në të gjitha nivelet, prej më të madhit e deri tek më i vogli. Po të pyetesha unë, as te varrezat e dëshmorëve nuk i kisha lënë këta të afrohen, por ja që unë dhe ti nuk mund të vendosim për këto gjëra.

Përfundimisht jemi në një udhëkryq të madh, sepse edhe kur po mbahen zgjedhjet e reja, përsëri po fitojnë këta, edhe pse ne po mendojmë se kemi votuar për ndryshime, e me çfarë metode po i fitojnë këta zgjedhjet me të vërtetë unë nuk po e di. Po më duket që sa i takon largimit të tyre nga pushteti me anë të protestave, po tregohemi akoma të papjekur dhe të paorganizuar.

Nuk e kemi fituar akoma kulturën e popullit evropian që i kundërvihet së keqes, shembulli konkret ishte në Francë, kur për një ngritje të vogël të çmimit të naftës u trazua shteti. Derisa nuk e kemi këtë vetëdije, edhe ne do të mbetemi kështu si jemi”, tha Hamit Dalipi.

(Kosova Sot)