Të varfër, pa strehë e të pashpresë, qytetarët mallkojnë politikanët e korruptuar

  • 31 March 2019 - 07:54
Të varfër, pa strehë e të pashpresë, qytetarët mallkojnë politikanët e korruptuar

Komuna i ka lënë në mëshirën e fatit

“E kemi këtë gjendje të mjerë unë me familjen time dhe shumë familje të tjera me fajin e politikanëve tanë, që nuk po mendojnë për popullatën e varfër, por vetëm për familjet e tyre dhe militantët partiakë. Prandaj, pushtetarët tanë kësisoj po na e vrasin të ardhmen e fëmijëve tanë dhe shumë fëmijëve të tjerë skamnorë në tërë Kosovën”, ka thënë Besarta Ajeti për “Kosova Sot”

Image

Qeverisja e keqe dhe korrupsioni e kanë thelluar varfërinë në Kosovë. Familje të shumta skamnore ka edhe në komunën e Prishtinës. E tillë është edhe familja Ajeti. Besarta dhe Burim Ajeti kanë dy fëmijë, Agonisin (8) dhe Agonisa(5) dhe që tash e katër vjet jetojnë në lagjen në afërsi të QKUK-së, në rrugën “ Volfgang Petersen”.

E zonja e shtëpisë, Besarta (që nuk pranoi të dalë në foto), na rrëfen për gazetën “ Kosova Sot’, se tash e katër vjet kenë ardhur për të jetuar në këtë barakë- shtëpi, që ka qenë e familjes së babait të saj, i cili është duke jetuar në Prishtinë. Ajo tregon se shtëpia e burrit, në fshatin Lluga të Podujevës, ka qenë një rrezik permanent për t’ua marrë jetën dhe për t’u shembur dhe për t’u rrënuar, por edhe nga kjo banesë- barakë duhet që të largohen derisa ta bëjnë një zgjidhje. Besarta tregon se ka lindur në Prishtinë, kurse familja katëranëtarëshe e saj po mbijetojnë vetëm në saje të ndihmave të familjarëve, miqve dhe dashamirëve dhe njerëzve shpirtmirë, sepse burri është i papunë dhe është një punëtor krahu dhe punon vetëm kohë pas kohe.

“Vërtet na është mërzitur jeta, sepse i kemi dy fëmijë, njëri në shkollën fillore e tjetra, vajzë, në mësimin parashkollor dhe mezi po ia dalim, sepse detyrohemi të paguajmë rrymën elektrike, ujin dhe shërbimet e tjera komunale”, është ankuar Besarta.

Gjendje e pashpresë, ikja alternativa e vetme

Si çdo familje tjetër në nevojë, po të mos ishin familjarët nuk do të dinin çka të bënin. “Më së shumti po na ndihmon motra ime, por edhe vëllai, sepse kanë ardhur kohë të vështira për të mbijetuar, prandaj apelojmë tek familjarët e pasur dhe zemërgjerë, të cilët janë në gjendje të mirë materiale, që të na ndihmojnë materialisht, në mënyrë që edhe neve më në fund të bëhemi me shtëpi apo me ndonjë banesë tonën, sepse jeta që po e bën familja ime nuk është aspak e lehët dhe mezi po ia dalim. Babanë e kam një invalid lufte dhe ai po na ndihmon aq sa ka mundësi”, u shpreh Besarta, e cila ankohet në pushtetin që po i injoron të varfrit. “E kemi këtë gjendje të mjerë unë me familjen time dhe shumë familje të tjera, me fajin e politikanëve tanë që nuk po mendojnë për popullatën e varfër, por vetëm për familjet e tyre dhe militantët partiakë.

Prandaj, pushtetarët tanë kësisoj po na e vrasin të ardhmen e fëmijëve tanë dhe shumë fëmijëve të tjerë skamnorë në tërë Kosovën”, ka shfryrë ajo. “Kjo gjendje e mjerë po na e dikton nevojën që të ikim jashtë Kosovës, sepse po e presim vetëm liberalizimin e vizave dhe do të ikim jashtë Kosove, sepse tash për tash në Kosovë me këta pushtetarë, që na e pinë gjakun, nuk ka ardhmëri dhe as edhe perspektivë”, ka thënë më tej Besarta.

Image

Në mëshirën e fatit

“Nuk kemi shtëpi apo banesë tonën, nuk kemi punë dhe po jetojmë vetëm në saje të solidaritetit të njerëzve zemërgjerë dhe ndihmave të kohëpaskohshme të familjarëve tanë. Disa herë kemi aplikuar për ndihma sociale, por kërkesat tona janë refuzuar si të pabaza në vazhdimësi. Burri im nuk ka nënë e babë, e ka vetëm një motër dhe ajo është martuar dhe nuk është në gjendje që të na ndihmojë me para. Me këta pushtetarë që i kemi që nga pas lufta asnjëherë nuk do të bëhet mirë për qytetarët tanë, ndërsa popullin ishalla e ndihmon i Madhi Zot dhe i shpëton nga goja e këtyre pushtetarëve hajna.

Unë nuk e di se çfarë po mendojnë këta. Në shtetet e tjera fëmijët kanë benefite dhe ndihma apo shtesa fëmijërore, kurse në Kosovë kjo nuk po ndodh, andaj nuk ia vlen që të lindësh fëmijë e të futesh në gjynahe deri në fyt me fëmijët tuaj, sepse ata duan të hanë e të pinë dhe duan veshmbathje, por me çfarë t’i blesh ato. Prandaj, tash askush nuk po lind më shumë se 1 apo dy fëmijë dhe e tëra kjo po ndodh nga skamja e madhe që e ka kapluar Kosovën dhe kjo ka bërë që të bjerë nataliteti i shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Besarta Ajeti për “Kosova Sot”.

Çifti i moshuar, në hall për strehë

Në kushte shumë të rënda po e kalojnë pleqërinë edhe bashkëshortët Hizri Metolli (77 vjet) dhe Elfete Metolli (60- vjeçare), nga fshati Marefc i komunës së Prishtinës, të cilët po jetojnë që nga pas lufta në këtë shtëpi të vjetër që gjendet në kuadër të kompleksit të QKUK-së. I zoti i shtëpisë, Hizriu, tregon për gazetën “ Kosova Sot”, se tërë muajin mezi po e kalojnë me një ndihmë sociale prej vetëm 75 eurove, ngase të dytë veç faktit se janë të moshuar, ata janë edhe të sëmurë. Madje, gjysmën e këtyre parave të ndihmave duhet shpenzuar për barnat e bashkëshortes së tij, Elfetes.

“Unë jam i ndarë nga djemtë e mi dhe për ne dy pleqtë nuk po ka se kush të përkujdeset. Kurrë nuk më ka shkuar mendja se do të jetojmë kësisoj, sepse kemi menduar që pas luftës të gjithë shqiptarët do të jetojnë si është më së miri, por nuk doli ashtu, sepse pushtetarët tanë po mendojnë vetëm për veten e tyre dhe asgjë për popullin, prandaj e kemi këtë situatë të rëndë ekonomike unë dhe shumë familje të tjera. Kjo, ngase çfarë mund të bëjmë unë me një pension prej 75 eurove, kur jam i sëmurë nga zemra, prandaj me çka të jetojmë e të ushqehemi”, është ankuar Hizriu.

“Ne kemi konkurruar për banesë disa herë, por nuk na është ndarë banesa e solidaritetit, sepse u janë ndarë atyre që komisionit të banesave u kanë dhënë si ryshfet para. Unë do të isha i kënaqur sikur kjo shtëpi me dy ari truall të ishte e imja dhe nuk do të anohesha fare, por e keqja është se shtëpia është në pronë të spitalit dhe neve po jetojmë në ankth nga dita në ditë dhe po kemi shumë frikë se do të na largojnë shumë shpejt edhe nga kjo shtëpi.

Sepse, vërtet i kemi punët shumë ligsht dhe kemi nevojë urgjente për një shtëpi”, ka ndarë shqetësimin e tij ai. Hyzriu kërkon nga Komuna e Prishtinës që të bëje ndonjë zgjidhje me banesë, sepse frikësohet se do të përfundojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Nuk dhamë ryshfet, nuk morëm banesë

“Ne kemi konkurruar për banesë disa herë, por nuk na është ndarë banesa e solidaritetit, sepse u janë ndarë atyre që komisionit të banesave u kanë dhënë si ryshfet para.

Unë do të isha i kënaqur sikur kjo shtëpi me dy ari truall të ishte e imja dhe nuk do të anohesha fare, por e keqja është se shtëpia është në pronë të spitalit dhe ne po jetojmë në ankth nga dita në ditë dhe po kemi shumë frikë se do të na largojnë shumë shpejt edhe nga kjo shtëpi.

Sepse, vërtet i kemi punët shumë ligsht dhe kemi nevojë urgjente për një shtëpi”, tha Hyzri Metolli për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)