Limaj në përvjetorin e masakrës së Burimit bën thirrje për zbardhjen e krimeve serbe në Kosovë

  • 31 March 2019 - 13:28
Limaj në përvjetorin e masakrës së Burimit bën thirrje për zbardhjen e krimeve serbe në Kosovë

Sot, në fshatin Burim të Malishevës është mbajtur tubim përkujtimor me rastin e 20-vjeotrit të masakrës së Burimit.

Në këtë masakër 20 vite me parë, forcat paramilitare serbe masakruan 34 civilë të pafajshëm në mesin e tyre fëmije e pleq.

Me këtë rast është vendosur edhe gurthemeli i Kompleksit Memorial.

Në këtë tubim përkujtimor ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Ky i fundit tha se momunenti i vendosur sot tregon se ne kujtojmë dhe nderojmë të kaluarën tonë.

Limaj thotë se monumenti  i duhet të gjallëve për ta kujtuar sa e shtrenjtë ishte liria të cilën sot e gëzojmë.

Llapusha thotë limaj, historikisht ka ditur në momentet më të rëndësishme të rreshtohet drejt lëvizjeve kombëtare.

Dhe djemtë këtij rajoni kishin për detyre të vazhdonin rrugën e baballarëve.

“Liria kalon nëpër sfida e dhimbje, por përfundon me krenari. Këtë ditë e kujtojmë më trishtim e dhimbje, por në fund nga ky tubim dalim me krenari dhe kjo e bën dallimin. Nuk ka vdekje për liri, e cila nuk ka histori prapa. Prandaj edhe ushqehet liria dhe gjithmonë ka djem e vajza që janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën për liri. Sot, ne kujtojnë pleqtë dhe femijht të cilët sakrifikuan për lirinë. Ata nga qielli na ftojnë që në të gjallët të punojmë që të mos ndalemi deri të gjenden kryerësit e këtyre krimeve dhe të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Limaj.

Limaj i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë secilën masakër të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

“Duhet përgatiten dosjet për secilën vrasje që ka ndodhur dhe ato të shërbejnë për të ndjekur kryerësit e këtyre krimeve anekënd Kosovës, Vetëm atëherë liria ka kuptim”, ka theksuar Limaj.

 Më tutje Limaj ka thënë se shenjat tona të Lirisë të na shërbejnë për të mos u habitur se ku kemi qenë e ku jemi.

“Para 20 viteve kombi ynë kishte ballafaqimin përfundimtar me regjimin kriminal serb. Masakrat që kryheshin në Kosovë ishin shenjat përfundimtarë se pushteti okupator po i numëronte ditët e fundit dhe në ato kohë nuk zgjidhte mjet e njerëz”, ka shtuar Limaj.

Liria thotë Limaj ushqehet çdo ditë. Sot lirinë të cilën ai e gëzojmë askush nuk na ka falur dhe për këtë ai thotë se dëshmia më e mirë është sot masakra e Burimit.

“Lavdi e respekt për të gjithë martirët që ranë për lirinë e Kosovës. Lavdi për gjithë dëshmorët e Llapushes dhe krejt Kosovës.  Nder e respekt për të gjitha familjet e martirëve dhe  dëshmorëve të kosovës”, ka p[përfunduar Limaj.

Ragip Begaj kryetar i komunës së Malishevës tha se sot janë mbledhur për të përkujtuar ngjarjen më të rëndë të komunës së Malishevës.

“Këtu u vranë e u masakruan dhjetëra civilë të pafajshëm. Pikërisht në këtë vend njësitë paramilitare vranë 34 persona si dhe 8 të tjera nga këto dy fshatra. Edhe sot pas 20 viteve e kujtojmë këtë ngjarje pasi ishte masakra më e madhe në komunën tonë”, ka thënë Begaj.

Në emër të familjeve të martireve të masakrës së Burimit, Adem Morina, kërkoi që kjo masakër të sensibilizohet edhe më shumë duke bërë thirrje që kryerësit e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.

(Kosova Sot)