Flet Fatos Klosi: Ja hetimi që mund të fundos dy politikanët shqiptarë, 4 vrasjet u bënë me urdhër nga…

  • 31 March 2019 - 14:00
Flet Fatos Klosi: Ja hetimi që mund të fundos dy politikanët shqiptarë, 4 vrasjet u bënë me urdhër nga…

Pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha rrezikojnë të lëkunden me rihapjen e dosjes së “21 Janarit”. Në vitin 2011 kur u vranë në mes të Bulevardit të Kombit 4 protestues Berisha ishte kryeministër, ndërsa Basha ministër i Brendshëm.

Pikërisht këta dy emra ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi i bën fajtorë për tragjedinë e 8 viteve më parë. Gjatë një prononcimi për “SOT”, ai komentoi vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku bëhej me dije që mes qeverisë shqiptare dhe familjarëve të viktimave të “21 Janarit” është arritur marrëveshja për rihapjen e dosjes.

Sipas Klosit, nëse ngjarja rigjykohet, atëherë më të rrezikuarit janë Berisha dhe Basha. Për të, urdhri për të qëlluar mbi turmën erdhi nga lart. “Unë them që Basha dhe Berisha janë të rrezikuar nga rihapja e dosjes së “21 Janarit”. Janë sepse janë edhe përgjegjësit kryesorë të ngjarjes.

Njëri ishte kryeministër, ndërsa tjetri ministër i Brendshëm. Ju plasi atyre në dorë vrasja e katër njerëzve. Dhe jam i sigurt që nuk kishin këllqe ata poshtë që qëlluan që të hapnin zjarr në mish me kokën e tyre. Urdhri ka qenë nga shumë lart.

Vetë ideja që u zhdukën filmat e gjithë sistemit të monitorimit rrotull Kryeministrisë, që u mbajtën gardistët e plagosur brenda Kryeministrisë për 3 ditë, Garda u izolua brenda dhe nuk pati asnjë kontakt as me mediat, as me njerëz të tjerë, të gjitha këto tregojnë që atë ditë e kanë ndjerë veten fajtorë edhe kryeministri, edhe ministri i Brendshëm. Kështu që nëse e ndjejnë ata veten fajtorë, nuk ka nevojë për komente të mëtejshme”, deklaroi Fatos Klosi.

Vendimi i Strasburgut

Vendimin e Gjykatës së Strasburgut Klosi e cilësoi si një shtysë të mirë për të arritur zbardhjen e plotë të tragjedisë. Ai theksoi se gjatë procesit të ri hetimor mund të dalin në dritë fakte të reja që do të nxjerrin para drejtësisë fajtorët e vërtetë. Sipas tij, diçka e tillë bëhet edhe më e lehtë përsa kohë drejtësia shqiptare po reformohet dhe po krijohen organet e reja. “Mendoj se kjo është mundësi e mirë për ta rihapur. Çdo rihapje është diçka e mirë sepse të gjithë jemi dakord që përgjegjësit e vërtetë të kësaj ngjarjeje nuk kanë kaluar nëpër procese gjyqësore. Kaluan ata që kishin në dorë armët.

Ata natyrisht kanë fajin e tyre sepse zbatuan urdhrat e paligjshëm. Është e shkruar që urdhrat e paligjshëm nuk zbatohen, por nuk dolën para drejtësisë ata që urdhëruan. Mendoj që çdo rihapje të çon drejt të vërtetës, mendoj se do të dalë diçka më tepër. Sesi do të bëhet, unë nuk e di, por pres që të realizohet diçka e tillë. Sigurisht që kam besim që edhe reforma në drejtësi do të ndihmojë në këtë çështje. Unë kam besim tek drejtësia e re”, u shpreh ish-kreu i SHISH.

Drejtësia e re dhe ndëshkimi i politikanëve

Ish-kreu i SHISH theksoi se sistemi i ri i drejtësisë që po krijohet do të çojë në zbardhjen jo vetëm të “21 Janarit”, por edhe të shumë aferave të tjera. Sipas tij,çdo politikan a pushtetar do të mbajë përgjegjësi për bëmat e tij. “Në sistemin e ri gjyqësor, ku gjërat janë më konkrete, ku përgjegjësitë janë më konkrete, unë them që të gjithë prokurorët dhe gjykatësit bashkë do të jenë më të përgjegjshëm, do të jenë më të saktë dhe nuk do të jenë kaq të kollajshëm për tu korruptuar. Unë uroj që të mos ketë reprezalje në politikë.

Thjesht dua që gjithkush të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë. Kaq. Sepse shumë përgjegjësi janë mbuluar. Sistemi gjyqësor ishte shumë i lidhur me politikën. Ai do të vazhdojë të emërohet nga politika, por edhe politikanët do të jenë më të kujdesshëm. Edhe bëmat e tyre në këtë fushë do të monitorohen. Çdo punë që bëjnë prokurorët, gjykatësit, por edhe politikanët që i emërojnë do të jenë të gjithë të monitoruar.

(Kosova Sot)