Tragjedi e rëndë: Burri vret shtatë anëtarë të familjes së gruas

  • 31 March 2019 - 14:36
Tragjedi e rëndë: Burri vret shtatë anëtarë të familjes së gruas

Mediet iraniane raportojnë se një burrë në këtë shtet i ka vrarë shtatë anëtarë të famijes së bashkëshortes në qytetin e Dezfulit.

Agjencia shtetërore e lajmeve “IRNA” njoftoi se personi i dyshuar i ka qëlluar dhe i ka vrarë pesë burra dhe dy gra me një armë të tipit “AK-47”, e njohur ndryshe si “Kalashnikov”, ndërsa pas këtij veprimi e ka qëlluar edhe veten.

Përpos vrasjes së shtatë personave, një agjenci ka raportuar se ky burrë i ka plagosur katër persona tjerë. Bëhet e ditur që sulmuesi ka mbijetuar dhe është dërguar në spital.

Dhuna me armë është e rrallë në Iran, ku qytetarëve u lejohet vetëm mbajtja e pushkëve të gjuetisë.

Në janar të vitit 2017, një person i kishte vrarë pesë njerëz në qytetin qendror iranian të Arakut, ndërsa në dhjetor të vitit 2016, një sulmues tjetër i kishte qëlluar për vdekje dhjetë njerëz të afërm në pjesën jugore të Iranit, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)