Motër e vëlla bashkohen pas 38 vitesh në Shqipëri

  • 31 March 2019 - 15:46
Motër e vëlla bashkohen pas 38 vitesh në Shqipëri

Përpara 9 vitesh Yllsoni mësoi se kishte dy motra, por pavarësisht kërkimeve të vazhdueshme ai nuk arriti të binte në gjurmë të tyre sepse e vetmja e dhënë që kishte ishin dy emra: Magdalena dhe Anila.

Ai ka ardhur sot në “Ka një mesazh për ty” në E Diela Shqiptare  jo vetëm t’i kërkojë, por edhe t’u përcjellë një mesazh dashurie. Natyrisht ai nuk e di që ne i’a kemi gjetur motrat dhe Magdalena do e dëgjojë historinë e tij për herë të parë. As kjo e fundit nuk e di se kush e ka ftuar por do e kuptojë gjatë rrëfimit të vëllait.

“Bëra një udhëtim të gjatë, 18 orë. Unë kam lindur në Cërrik të Elbasanit, babai kishte patur një martesë të parë me të cilën kishte dy vajza. Ai u divorcua dhe u lidh me mamanë time. Mamaja studionte për laborante, ndërsa babai ishte oficer. Nga martesa vjen në jetë fëmija i madh, vëllai im. Më pas kishin disa konflikte në familje, sepse mamaja kishte kuptuar që ai kishte një lidhje paralele. Divorci i parë me familjen tjetër kishte ardhur për të njëjtën arsye, sepse babai kishte një lidhje. Ata bënë një ndarje jo të ligjshme dhe mamaja shkon tek prindërit. Për mentalitetin e kohës, gjyshi nga mami thoshte bashkohu për të mbajtur familjen, për shkak të turpit, opinionit, kështu bashkohen prapë dhe vij në jetë unë. Ata shkonin shumë keq. Ai mbase edhe nga shkarkimi nga detyra si oficer që hodhi poshtë gjithë punën e tij, filloi edhe pijen.

Gjatë kësaj martese, ngelet shtatzanë me fëmijën e tretë. Një ditë mamaja shkon më herët nga puna në shtëpi dhe gjen babain me të dashurën. Kthehet përsëri në Korçë tek gjyshi dhe tregon gjithë historinë. Aty mamaja martohet përsëri, por të gjitha fatkeqësitë rikthehen. Nga martesa njerku sjell djalin e tij, i cili u kthye në një vëlla për mua. Ai më ka mbështetur, sepse jeta nuk ishte ashtu siç e prisja. Kisha shumë dëshirë të takoja babain biologjik. Pas disa vitesh shkoj në shtëpinë e tij, por më dha një përqafim jo të ngrohtë. Ne shkuam të qëndronim disa ditë me babain për ta njohur, por ai tha se nuk i pranoj.

Në shtëpi isha me njerkun dhe nuk rrija dot, u arratisa 13 vjeç për në Greqi, në një udhëtim 6 ditor. Kam shkuar në Selanik, kam fjetur edhe jashtë, stolave dhe atje gjej një të njohur i cili është edhe shpëtimtari im. Më pas kushuriri më merr në Athinë, ku u vendosa dhe aty jetoj edhe sot. Bashkëshortja është ndodhia më e bukur në jetën time me të cilën kam edhe tre vajza. Nuk e dija që kisha një hallë, vëllai i jep numrin tim dhe takohem në Greqi.

Folëm për një kohë të gjatë dhe ajo më tregoi për jetesën tonë. Halla jetonte me babain dhe e njihte shumë mirë. Ajo më tregoi që nga martesa e parë kishte edhe dy vajza dhe mësova që kam dy motra në moshën 32 vjeç. Më erdhi mirë, sepse kam dashur të kisha një motër. Duke treguar historinë halla, mendova si ka mundësi që një prind të ketë pesë fëmijë dhe asnjë t’i rrijë në krah. Dija që ishte inteligjent, gjithë ato vite shkollë dhe të përfundonte kështu nuk më besohej. Kërkova që të njihja motrat, por halla nuk kishte informacione dhe më tha vetëm emrat. Magdalena dhe Anila ishin emrat e motrave, por me pak të dhëna nuk mund të kërkosh. Fola me babin pas shumë vitesh dhe e shihja si një të huaj, por e mora për motrat edhe ai më tha që nuk kam asnjë kontakt”.

Ardit Gjebrea: Bashkëshortja jote na shkroi, na dha vetëm me dy emra. Imagjino sa e vështirë është, por ne t’i gjetëm dy motrat. Njërën e ke në Greqi në Selanik, tjetra është në Tiranë. Tani do të njohësh virtualisht motrën tënde.

Teksa sheh motrën për herë të parë, Yllsoni përlotet dhe sheh se ngjason me atë. Arditi largohet përsëri nga studio e “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe shkon tek Magdalena, e cila gjithashtu është e prekur nga gjithë historia e vëllait. Ajo tregon se të njëjtën histori e ka përjetuar, por Zoti na jep kurajo, dashuri, durim për të kapërcyer sfidat dhe sot na presin surprizat e bukura. Disa herë kam kontaktuar me babain, thjesht për respektin si prind, por gabimet i kanë përjetuar ata dhe do japin llogari, tregon Magdalena e cila shkon pranë vëllait dhe i jep atij përqafimin e munguar.

“Ka një mesazh për ty” bashkon vëlla e motër për herë të parë pas 38 vitesh. Vështirësitë të rrisin dhe ndonjëherë të bëjnë njeri më të mirë. Pavarësisht se kanë jetuar në familje të ndryshme, në vende dhe kultura të ndryshme, gjaku i tyre është i njëjtë. Yllsoni dhe Magdalena kanë shumë për të treguar e për të shkurtuar distancën e largët kohore prej njëri – tjetrit. Ajo që ka rëndësi është fillimi i mbarë që nisi nga përqafimi i sotëm.

(Kosova Sot)