Veturat e konfiskuara, çdo muaj 2.5 për qind më pak të vlefshme

  • 31 March 2019 - 20:22
Veturat e konfiskuara, çdo muaj 2.5 për qind më pak të vlefshme

Dhjetëra vetura luksoze po mbahen në periferi të Prishtinës, gjykata nuk lejojnë shitjen e tyre  

Nuk është ndonjë sallon i veturave luksoze.

Kjo është depo e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar apo Sekuestruar, që gjendet në periferi të Prishtinës.

Në këtë vend qëndrojnë dhjetëra vetura luksoze, të cilat dyshohet se janë përfituar me anë të veprave penale.

Madje këtu gjinden edhe vetura që kalojnë vlerën e 100 mijë eurove.

Por, gjithë këto vetura luksoze e qindra të tjera që gjenden në oborrin e kësaj agjencie kanë filluar të dëmtohen me të madhe.

Për këtë arsye edhe vlera e tyre bie për çdo ditë. Këtë e thotë edhe drejtori i kësaj Agjencie.

E për të ruajtur vlerën e këtyre pasurive, Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji për Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ka lejuar shitjen e këtyre aseteve për t’ua ruajtur vlerën.

Por, nga kjo agjenci thonë se Gjykatat në Kosovë nuk po lejojnë shitjen e tyre.

E nëse palët në këto raste shpallen të pafajshëm, shtetit rrezikon të ekspozohet para padive të ndryshme për kompensim dëmi.

Se shitja e këtyre aseteve është e lejuar e thonë edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Madje në përgjigje të pyetjeve që ka adresuar në adresë të Këshillit Gjyqësor, kanë cituar edhe nenin 269 të Kodit të Procedurës Penale, që lejon shitjen e këtyre pasurive.

Por, kanë dhënë edhe një sqarim se pse nuk po i lejon shitjen e këtyre aseteve.

Edhe në Këshillin Gjyqësor e thonë se nëse qytetarët konsiderojnë se janë dëmtuar, mund të ushtrojnë padi ndaj shtetit.

Aktualisht, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar ka nën administrim afër 36 milion euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. 

(Kosova Sot)