Hetohet “3 përqindëshi”, “Vendlindja Thërret” mbetet e paprekur

  • 01 April 2019 - 07:32
Hetohet “3 përqindëshi”, “Vendlindja Thërret” mbetet e paprekur

Badallaj: Prokuroria i mbron bandat kriminale që i vodhën qindra miliona popullit, si Fondi i ‘3 përqindëshit’ dhe "Vendlindja Thërret"

“Mbajtja sekret nga Prokuroria dhe Gjykata për një vit e aktakuzës për Fondin e ‘3 përqindëshit’ dhe ngritja e aktakuzës vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit, si dhe mosngritja paralelisht e aktakuzës edhe ndaj Fondit "Vendlindja Thërret ", flet dhe dëshmon qartë se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar, si dhe nëntokës kriminale.

Kjo është edhe një dëshmi shtesë se prokuroria dhe gjyqësori janë plotësisht të kapur e të dirigjuar nga mafio-politika, të cilët rastet i trajtojnë në mënyrë selektive dhe qytetarët të pabarabartë”, thotë analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”

Prokuroria dhe Gjykata për një vit e kanë mbajtur sekret aktakuzën për Fondin e ‘3 përqindëshit’. E sipas analistëve, kjo flet dhe dëshmon se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar si dhe nëntokës. Ata gjithashtu shtrojnë pyetjen se si është e mundur që Prokuroria të heshtë për të gjitha abuzimet qindra milionëshe nga Fondi ‘3 përqindëshit’ si dhe nga fondi ‘Vendlindja Thërret’, por vendos që të ngritë aktakuzë, edhe atë vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit.

Ata shtojnë se prokuroria nuk ka vepruar asgjë për Fondin “Vendlindja Thërret”, për të cilin njëjtë si për Fondin e ‘3 përqindëshit’ ka shumë dëshmi për abuzimet e bëra. Analisti Ibrahim Kelmendi kishte zbardhur para dy vitesh përmes një shkrimi vjedhjet e fondit “Vendlindja Thërret”, prapaskenat e blerjes së armeve e shumëçka tjetër, për të cilat ai akuzonte se paratë ishin vjedhur nga fondi “Vendlindja Thërret” dhe fondet tjera në Gjermani,nga banda e treshes Xhavit-Azem-Hashim, siç e quante Kelmendi shefin e shefave Adem Grabovcin komplotist dhe si ministër i financave të keqpërdorura, i cili kishte emëruar njerëzit e tij shefa të Fondit në shtetet e Perëndimit,duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të qytetarëve.

Por, të dielën analisti Ibrahim Kelmendi ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se nuk di për aktakuzë që ka ngritur prokuroria kundër atyre tre personave, por shton se nëse kjo ka ndodhur janë veprimtari që kanë ndodhur brenda në Kosovë.“Për veprimtari e shpërdorime të fondeve jashtë Kosovës, Prokuroria dhe e hetuesia e Kosovës nuk është kompetente, meqë lëndët hetohen në shtete që kanë ndodhur, nga institucionet kompetente të atyre shteteve.

Ta zëmë Fondin "Vendlindja Thërret", i regjistruar në Gjykatën komunale në Siegburg, në kuadër të Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani, mund ta hetojnë vetëm institucionet gjermane. Dhe pak ditë pas kapitullimit të Serbisë, nga mesi i qershorit 1999,‘Bundes Kriminalamt gjerman’ ka bastisur gjithë dokumentacionin e Fondit, ka hetuar mbi dy vjet dhe prokuroria përkatëse nuk ka ngritur padi, meqë nuk ka gjet shpërdorime. Fatkeqësisht, institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca për të hetuar asnjërin fond që kanë vepruar jashtë Kosovës”, është shprehur ai.

Pra, a do të zbardhet e vërteta ndonjëherë rreth fondeve të luftës, qoftë ajo ‘VENDLINDJA THËRRET’ apo e fondit të ‘3 përqindëshit’ mbetet të shihet, por analistët dyshojnë se u vodhën qindra miliona euro të qytetarëve, duke mos u raportuar asnjëherë dhe për më tepër Prokuroria Speciale në Kosovë për afro dy dekada as që ka marrë mundimin dhe guximin të hetojë e të zbardhë se çka ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që ua vodhën qytetarëve, e që nuk ishin pak,por qindra miliona euro, prej të cilave para na dolën të gjithë politikanët milionerë e multimilionerë të pasluftës.

Në pyetjet e gazetës se pse kanë kaluar mbi 20 vjet që prokuroria nuk ka ngritur aktakuza për të dyja fondet, por vetëm 2-3 persona dhe ta mbajë fshehur këtë rast nga publiku, Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje. Por, sipas analistëve, kjo edhe është një dëshmi se prokuroria dhe gjyqësori janë plotësisht të kapur e selektivë dhe se qytetarët i trajtojnë në mënyrë të pabarabartë.

Image
Ragip Guraziu

Çështja të ngrihet në nivel të Prokurorive Ndërkombëtare

Analisti Ragip Guraziu është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se me ‘3-përqindëshin’ më shumë u abuzua se sa u kontribuua. “Po mbahen ende sekrete nga Prokuroria dhe Gjykata për një vit aktakuza për fondin e ‘3 përqindëshit’, që flet dhe dëshmon edhe ky fakt se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar, si dhe nëntokës kriminale.

Kështu është e mundur që prokuroria për të gjitha abuzimet qindra milionëshe nga Fondi i ‘3 përqindëshit’ si dhe nga fondi ‘Vendlindja Thërret’, vendos që të ngritë aktakuzë, edhe atë vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit.

Ndryshe prokuroria nuk ka vepruar asgjë për Fondin ‘Vendlindja Thërret’ , për të cilin njëjtë si për Fondin e ‘3 përqindëshit’ ka shumë dëshmi për abuzimet e bëra. Kështu i kishte zbardhur para dy vitesh Ibrahim Kelmendi, përmes një shkrimi, vjedhjet e fondit “Vendlindja Thërret”, prapaskenat e blerjes së armëve e shumëçka tjetër, për të cilat ai akuzonte se paratë ishin vjedhur nga fondi ‘Vendlindja Thërret’ dhe fondet tjera në Gjermani, nga banda e treshes Xhavit-Azem-Hashim!...

Bukur e quante Kelmendi shefin e shefave, Adem Grabovcin, komplotist dhe si ministër i financave të keqpërdorura , i cili kishte emëruar njerëzit e tij shefa të Fondit në shtetet e Perëndimit,duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të qytetarëve”, është shprehur analisti Guraziu për gazetën. Ai ka shtruar edhe pyetje se çfarë po na fshehin prokuroria dhe gjykata për t’u mbajtur sekret një aktakuzë e tillë, edhe sipas tij jemi të bindur për çdo ditë e më shumë se në Kosovë ‘de fakto’ nuk kemi sistem të drejtësisë.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Në Kosovë de-fakto nuk kemi sistem të drejtësisë, por kemi sistem të organizuar të krimit

Analisti Florim Zeqa është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se humbja e besimit ndër mërgimtarë fillon nga keqpërdorimi i fondeve të luftës, ‘3 përqindëshit’ dhe huas popullore nga Qeveria e Republikës së Kosovës në ekzil (prej 1000 DM e deri në shuma më të mëdha), si dhe nga fondi tjetër i luftës, "Vendlindja Thërret", i cili hiç më pak se i pari i vjeli mërgimtarët gjatë periudhës së luftës.

“Ndihmat e pakursyera të diasporës qëllim e kishin çlirimin e vendit e jo mbushjen e xhepave të shpërdoruesve të fondeve të sipërpërmendura..., bartësit e të cilëve menjëherë pas lufte u shndërruan në milionerë e "supermenë" të politikës kosovare. Mbajtja sekret nga Prokuroria dhe Gjykata për një vit të aktakuzës për Fondin e ‘3 përqindëshit’ dhe ngritja e aktakuzës vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit, si dhe mosngritja paralelisht e aktakuzës edhe ndaj Fondit "Vendlindja Thërret ", flet dhe dëshmon qartë se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar, si dhe nëntokës kriminale.

Kjo është edhe një dëshmi shtesë se Prokuroria dhe Gjyqësori janë plotësisht të kapur e të dirigjuar nga mafio-politika, të cilët rastet i trajtojnë në mënyrë selektive dhe qytetarët të pabarabartë. Për më tepër se kaq, po bindemi çdo ditë e më shumë se në Kosovë de-fakto nuk kemi sistem të drejtësisë, por kemi sistem të organizuar të krimit dhe se me këtë “sistem të drejtësisë”, pushtetarët kosovarë jo që nuk meritojnë viza, nuk meritojnë të dalin as përtej pragut të shtëpive të tyre.

E keqja është se po penalizohen qytetarët e pafajshëm, të shndërruar në robër dhe pengje të pushtetarëve të inkriminuar. Ndryshe, zbardhja e këtyre fondeve sa më parë është kusht i vetëm i domosdoshëm për kthimin e besimit ndër mërgimtarë, për mundësinë e riorganizimit të mërgatës në baza të shëndosha, në funksion të ndihmës në shtetndërtimin e Kosovës”, është shprehur Zeqa.

Ai tutje ka shtuar se vetëm formimi i një komisioni të pavarur hetimor në Kuvendin e Kosovës dhe ngritja e kësaj çështje në nivel të prokurorive ndërkombëtare për verifikimin e fondeve në shtetet europerëndimore mund të çojë në zbardhjen e së vërtetës së abuzimit me ato fonde.

“Derisa të jenë në qeverisjen e vendit aktorët e fondeve të sipërpërmendura, të bashkërenduar dhe të bashkuar në zhvatjen e pasurive shoqërore, ashtu sikurse ishin 20-21 vjet më parë në zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve, nuk ka prokurorë dhe as gjykatës kosovarë që guxon të shkojë tutje me zbardhjen e keqpërdorimeve të sipërpërmendura.

Pa marrjen e iniciativës për zbardhjen e fondeve të luftës, çdo iniciativë, çdo platformë dhe çdo strategji tjetër për Diasporën do të mbetet e mangët, e pavlerë dhe e pazbatueshme në praktikë, ashtu siç mbetën vetëm të shkruara në letër strategjitë e hartuara për diasporën nga qeveritë paraprake”, është shprehur analisti Zeqa për gazetën.

Image
Gani Qarri

Qarri: Prokuroria e kapur nuk i zbardh abuzimet qindra milionëshe nga Fondi i ‘3 përqindëshit’, si dhe ‘Vendlindja Thërret’

“Në Kosovën e sunduar nga mafia politike dhe politikanët e kriminalizuar, prokuroria e kapur dhe gjyqësia e shantazhuar prej tyre, për t`ua zbehë tërësisht ndikimin dhe ul sa më tepër efektin e aktakuzës, tek qytetarët dhe në opinionin publik u mbajt sekret për një vit edhe aktakuza e ngritur për Fondin e ‘3 përqindëshit’.Për aq më tepër edhe 20 vjet pas lufte dhe 11 sosh pas pavarësisë, jo vetëm se nuk u hetuan kurrë dyshimet e bazuara mbi keqpërdorimin e Fondit "Vendlindja Thërret", por nga vetë Prokuroria dhe Gjykata e kapur e Kosovës u ngrit aktakuzë vetëm kundër përfaqësuesve të Fondit të ‘3 përqindëshit’.

Aktakuzë kjo çuditërisht tepër e kufizuar dhe e shpërfaqur vetëm me emrat e dy-tre personave, si Bujar Bukoshi, Naser Osmani e Atdhe Gashi, gjë që as për së afërmi nuk është adekuate dhe e mjaftueshme për një fond, me shtrirje aq të gjerë, si ‘3 përqindëshi’, që nga Evropa deri në Amerikë. Mjerim që flet dhe dëshmon publikisht se sistemi i drejtësisë në Kosovë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar dhe të nëntokës kriminale dhe për pasojë mbetet tërësisht e pabesueshme që me kastën aktuale në krye të shtetit, e cila kontrollon prokurorinë dhe gjyqësinë, edhe nëse realisht ndodhë gjykimi ndaj ndonjë apo disa të akuzuarve, të përfundojë me dënime të merituara dhe llogaridhënie të njëmendtë.

Kjo për vet faktin se prokuroria e kapur nga politikëbërja mafioze në vend, për të gjitha abuzimet qindra milionëshe nga Fondi i ‘3 përqindëshit’, si dhe ato nga fondi ‘Vendlindja Thërret’, vendos që të ngritë vetëm një aktakuzë tepër të kufizuar edhe atë vetëm ndaj dy-tre vetave. Madje prokuroria e shantazhuar, për ta zbehur sa më shumë ndikimin dhe ul sa më tepër efektin e aktakuzës, tek qytetarët dhe në opinionin publik, jo vetëm se shtyn dhe mban sekret me vite të tëra edhe aktakuzat e ngritura, por ajo nuk ka ndërmarrë asgjë, sidomos për hetimin e Fondit ‘Vendlindja Thërret’, për të cilin njëjtë si për Fondin e ‘3 përqindëshit’, thuhet se ka dëshmi për abuzime të mëdha.

Megjithëse, qysh para dy vitesh, nga I. Kelmendi përmes një shkrimi u bën publike vjedhjet e fondit “Vendlindja thërret”, prapaskenat e blerjes se armeve e shumëçka tjetër, për të cilat ai akuzonte se paratë ishin vjedhur nga fondi ‘Vendlindja Thërret’ dhe fondet tjera në Gjermani,nga banda e treshes Xhavit Haliti, Azem Syla,Hashim Thaçi, ato tash e atëherë po kalohen tërësisht në heshtje prej prokurorisë së kapur nga bosët mafiozë të shtetit, të cilët vetë ishin edhe kapo të atij fondi. Protagonistin e Klanit PRONTO dhe shefin e shefave, Adem Grabovcin, Kelmendi e quante komplotist dhe si ministër i financave te keqpërdorura, i cili kishte emëruar njerëzit e tij shefa të Fondit në shtetet e Perëndimit, duke përvetësuar e keqpërdorur miliona euro të qytetarëve të Kosovës dhe trojeve tona etnike gjithandej, që kontribuuan pa kursim në këtë fond, me shpresën se do të përdoreshin në mbarëvajtjen e luftës për çlirimin e Kosovës.

Madje, me gjithë presionin e vazhdueshëm mediatik, ku kontribut të madh dha edhe kombëtarja "Kosova Sot", përveç ndonjë rasti të ngritur si aktakuza në fjalë, shihet qartë se Prokuroria e Shtetit ka filluar të merret vetëm me hetimin e njërit nga fondet e shumëpërfolura të luftës, atë të ‘3 përqindëshit’, por jo edhe me fondin “Vendlindja Thërret”. Ndaj ajo që sot brengos shumë, secilin qytetar të Kosovës, është fakti se përkundër ngritjes së ndonjë aktakuze të mbajtur sekret për vite, si kjo ndaj 3 %-shit, e vërteta rreth fondeve të luftës, qoftë ‘VENDLINDJA THËRRET’ apo e fondit të ‘3 përqindëshit’, me këta politikanë në krye të shtetit, asnjëherë nuk do të zbardhet plotësisht dhe se në këtë vend, nuk do të ketë kurrë drejtësi. Ata përderisa ta kenë vetë pushtetin në dorë, kurrë nuk do të lejojnë të kuptojë populli se si u vodhën, në mënyrë klandestine, qindra miliona euro të qytetarëve prej tyre.

Madje edhe vetë Prokuroria Speciale në Kosovë, për mese dy dekada me radhë, as që ka marrë mundimin dhe shprehur guximin të hetojë e zbardhë se çka realisht ka ndodhur dhe ku kanë përfunduar paratë që pushtetarët e sotëm ua vodhën qytetarëve, të cilat nuk ishin pak, por qindra miliona euro dhe po nga ato para na dolën të gjithë politikanët milionerë e multimilionerë të pasluftës.

Nga këto akte dubioze të gjithë ne po bindemi çdo ditë e më shumë se ashtu si prokuroria edhe gjyqësori, jo vetëm që janë plotësisht të kapur e selektivë dhe qytetarët i trajtojnë në mënyrë të pabarabartë, por fatkeqësisht në Kosovë de-fakto nuk ekziston fare sistemi i drejtësisë. Për aq më keq edhe aktakuzat e ngritura, si kjo e fundit, përveç mbajtjes me vite sekret, as që janë ngritur për vendosjen e rendit dhe të ligjit apo për të ndjekur njëmend kryesit e veprave penale dhe çuarjen e drejtësisë në vend, por për amnistimin edhe me ligj, të keqpërdoruesve dhe kriminelëve të lidhur me pushtetin dhe politikanët në krye të shtetit të Kosovës”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Gani Qarri.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Prokuroria i mbron bandat kriminale që i vodhën qindra miliona popullit, si Fondi i ‘3 përqindëshit’ dhe i "Vendlindja Thërret"

“Jam i detyruar të them se po del e saktë që kam thënë shpeshherë se kupola e krimit që na qitën hije të zezë në botën e qytetëruar është në sistemin e kalbur gjyqësor. Por, kjo kope është e ndikuar nga kryebanditët e majave të shtetit dhe klanet mafioze dhe pa më të voglin dyshim janë në këtë adresë: Presidenca me plot udbashë, Qeveria kuislinge, Kuvendi vagabondësh i Kadri Topuzit e deri te bandat politike. Dhe, për ta shpëtuar vendin nga ky soj banditësh dhe kryebanditësh duhet fort të godasë VETTING-u këtë sistem të kalbur gjyqësor. Po shihet hapur se prokuroria i mbron bandat kriminale që vodhën popullin, djersën e taksapaguesve, si Fondi i ‘3 përqindëshit’ dhe i "Vendlindja Thërret", që u vodhën qindra miliona.

Dhe, këta kryebanditë lëre që nuk u morën me këta kriminelë e hajna, por ndanë edhe mjete për Bujar Bukoshin. Prokuroria fsheh rastin e Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashi dhe të tjerëve si Hashim Thaçi me Adem Grabovcin,Azem Sylën dhe Xhavit Halitin. Sepse të gjithë këta kryehajna dhe kryebanditë i kanë ndarë paratë e popullit. Por faji më i madh i Evropës është se duhet marrë vizat menjëherë kryehajnave, kryebanditëve që e kanë kapur shtetin. Heshtja e kësaj kopeje të faqes së zezë mos mendoni se është e rastësishme,jo. Këtu ndikojnë banditët dhe kryebanditët e majave të shtetit”, theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Bartësit e të dy fondeve duhet të përgjigjen

Çështja e fondeve është një ndër problemet më të rënda nga e kaluara jonë e lavdishme, gjatë kohës së UÇK-së dhe më pas. Dy fondet janë tubuesit e shumë mjeteve. Të thëna ka të shumta. Fondi i ‘3 përqindëshit’ është shumë më i madh në shifër se fondi ‘Vendlindja Thërret’. Të dy kanë mbledhur shumë para. ‘3 përqindëshi’ ia ka filluar në vitet 1991/92 dhe ka vazhduar deri më sot, duke marrë para.

Ndërsa, Fondi ‘Vendlindja Thërret’ ka përfunduar punën në vitin 1999. Faktet flasin se Bujar Bukoshi e Isa Mustafa duhet të përgjigjen për Fondin e ‘3 përqindëshit’. Ndërsa, Azemi, Xhaviti, Hashimi dhe Kadriu duhet të përgjigjen për Fondin ‘Vendlindja Thërret’. Në të dy këto fonde kam mendim se ka keqpërdorime dhe vjedhje. Është shumë e lehtë të provohen këto gjëra.

Për mua duhet Kuvendi i Kosovës të krijojë një komision për të hetuar. Në anën tjetër, i takon Prokurorisë Speciale të merret me të dyshimtit. Njerëzit dihen. Njihen bartësit e fondeve dhe duhet vetëm hetime të detajuara. Jam i sigurt se do të dalin në dritë të dhënat dhe do të merren edhe në përgjegjësi. Dyshime ka dhe përgjigje duhet dhënë, qoftë edhe penale”,theksoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)