Prokuroria, gjyqësia dhe policia, vegla të politikës

  • 01 April 2019 - 07:44
Prokuroria, gjyqësia dhe policia, vegla të politikës

Kelmendi: Prokuroria dhe policia as nuk i hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai komunal

“Politika, pushteti dhe drejtësia janë të kapura nga krimi, korrupsioni, abuzimi dhe hajdutëria. Pra, kanë dështuar ngritja dhe funksionimi i shtetit ligjor. Në një sistem të tillë korrupsioni, sistemi i drejtësisë, prokuroria, gjykata dhe policia, janë vegla të politikës, të korrupsionit dhe të krimeve të tjera të saj.

Kjo gjendje ka mundësuar dhe shkaktuar edhe paralizimin dhe korruptimin edhe të shoqërisë në Kosovë, gjë e cila vërtetohet nga atrofia dhe mosrezistenca e shoqërisë, moskundërshtia dhe pajtueshmëria e saj me këtë realitet të rëndë traumatik ku ndodhet sot shoqëria shqiptare, e cila sheh si rrugë shpëtimi vetëm largimin e popullsisë, sidomos të rinisë, nga Kosova drejt perëndimit”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti

Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se qëllimshëm po dështon trekëndëshi polici-prokurori-gjykata në hetimin e dënimin e profilit të lartë të pushtetarëve. Edhe pse ka pasur disa ngritje të aktakuzave kundër disa gjoja ‘peshqve të mëdhenj’ ato janë hedhur poshtë, ndërsa njohësit e fushës së drejtësisë thonë se prokuroria qëllimshëm nuk e ka bërë punën e saj.

Sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë, kjo qartë flet se si Prokuroria ashtu edhe gjykatat janë gjithnjë në shërbim e detyrim të plotë të politikës të lidhur me krimin e organizuar e korrupsionin dhe të cilëve de-fakto ua bëjnë avokatinë e mbrojtjen nga veprat penale të konsumuara.

Image
Skënder Kapiti

Analisti Skënder Kapiti thekson për gazetën “Kosova Sot” se trekëndëshi polici-gjykata-prokurori, që është sistemi gjyqësor, kanë dështuar, sepse, sipas tij, ka dështuar vetë sistemi politiko-demokratik, ka dështuar piramida shtetërore legjislativ-ekzekutiv-gjyqësor. “Kjo pasi si politika, pushteti dhe drejtësia, janë të kapura nga krimi, korrupsioni, abuzimi dhe hajdutëria.

Pra, kanë dështuar ngritja dhe funksionimi i shtetit ligjor. Në një sistem të tillë korrupsioni, sistemi i drejtësisë: prokuroria, gjykata dhe policia, janë vegla të politikës, të korrupsionit dhe të krimeve të tjera të saj. Kjo gjendje ka mundësuar dhe shkaktuar edhe paralizimin dhe korruptimin edhe të shoqërisë në Kosovë, gjë e cila vërtetohet nga atrofia dhe mosrezistenca e shoqërisë, moskundërshtimi dhe pajtueshmëria e saj me këtë realitet të rëndë traumatik ku ndodhet sot shoqëria shqiptare, e cila sheh si rrugë shpëtimi vetëm largimin e popullsisë, sidomos të rinisë nga Kosova drejt Perëndimit për një jetë më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë”, është shprehur analisti Kapiti.

Sipas tij, krimi dhe korrupsioni institucional janë kërcënimi më i madh për shtetin, shoqërinë dhe për sovranitetin kombëtar të një shteti. “Dhe, në këto kushte duhet që të çmontohen nga sistemi krimi i organizuar dhe korrupsioni, gjë të cilën do ta bënte vetëm VETTING-u dhe ndihma e SHBA-së, pasi është shumë e vështirë dhe e pamundur që këtë ta realizojë kjo klasë politike dhe ky sistem aktual politiko-kriminal drejtësie”, theksoi Kapiti.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Lëndët zvarriten në pakufi, deri në parashkrim

Analisti Blerim Burjani ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se procedura ka dhe do të ketë, por asnjëherë verdikt dënues nuk do të ketë. “Kadriu ( Vesli) po lavdërohet se do ta luftojë krimin, por ai për çdo ditë bashkëjeton me krimin korruptiv të njerëzve të partisë së tij, pastaj me nepotizmin dhe bashkëpartiakët e tij që veprojnë nën një zinxhir komandues për korrupsion, punësim familjar.

Të gjitha këto gjëra nuk janë ndalur asnjëherë nga PAN-i deri më tash. Është e patolerueshme gjendja dhe gënjeshtra që vazhdon të jetë e pranishme, pa e ndalur prokuroria dhe gjykata. Dhe, këto të dyja janë aty për të zvarritur pa kufi, deri në parashkrim të veprave penale. Lëndët me vite mbeten në procedurë dhe në fund shuhen. Ky është problemi më i madh, s’ka luftim, dënim të krimit, korruptim”, theksoi për gazetën analisti Blerim Bujrani.

Image
Naim Kelmendi

Kelmendi: Prokuroria dhe policia as nuk i hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës

“Dështimet në trekëndëshin polici-prokurori-gjykata nuk janë të paqëllimshme në hetimin dhe dënimin e profilit të lartë të pushtetarëve të inkriminuar në krim të organizuar e në korrupsion të nivelit të lartë. Prokuroria dhe policia as nuk i hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli qendror e deri tek ai komunal. Prokuroria Speciale në Kosovë nuk ka arritur të zërë as edhe një ‘peshk te madh’ nga krimi i organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë institucional, të cilët si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet, që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut rregullohen me ligje e kushtetutë.

Mbase në Kosovë nuk ka shanse që pa paguar haraçin të marrësh as leje ndërtimore, as licencë aktiviteti, në asnjë veprimtari të rëndësishme ekonomike e as përgjigje apo vendime administrative nga administrata, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këtë detyrim ligjor. Fatkeqësisht deri më sot nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar në administratën komunale dhe atë qendrore e as të mafio-oligarkëve që veprojnë dhe janë pjesë e ‘nëntokës dhe krimit të organizuar’ që funksionon para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë as exofficio dhe as pas kallëzimeve penale nga qytetarët, duke u dalë në mbrojtje dhe duke bërë avokatinë e tyre dhe nuk ngritin fare aktakuza kundër tyre”, është shprehur analisti Naim Kelmendi.

Sipas tij, kjo flet mjaft se Prokuroria nuk ka guxim të sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët që mbi 20 vjet po mbajnë monopol kriminal, duke shkelur Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi.“Derisa ekziston ky realitet në drejtësinë kosovare, faktikisht shteti do të paguajë prokurorët nga buxheti i shtetit, ndërsa ata nuk duan ta bëjnë punën e tyre të detyrueshme me ligj e Kushtetutë”, theksoi analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”

Image
Hasan Preteni

Preteni: Krejt çka bën Prokuroria, lëshon ndonjë kumtesë

“Nuk e di se ka pasur ndonjë aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë. Ajo çka bën Prokuroria është vetëm ndonjë kumtesë, se kinse kanë filluar hetimet, dhe kaq. Rasti i veteranëve është krejt politik, pasi që e zbuloi ish-prokuroi Elez Blakaj. Dhe kinse këta e kanë përnjëmend.

Politika i ka fryrë listat, s’kanë lidhje këta të akuzuar. Rasti ‘Toka’ po shihni si po kalon - cirk. Rasti i publikuar pardje gjithashtu është cirk i llojit të vet. Po pse është heshtur rasti. Prokuroria dhe hetuesia në tërësi janë të kapura dhe të ndikuara. Nëse hetohet dikush, ta dini se është duke i prishur punë dikujt dhe ai do të ‘denoncohet’”, theksoi analisti Hasan Preteni për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)