Limaj dhe Ahmeti shpërblejnë militantët me paga 1,000 euro

  • 01 April 2019 - 07:52
Limaj dhe Ahmeti shpërblejnë militantët me paga 1,000 euro

Shkodra: Limaj dhe Ahmeti nuk kanë kredibilitet për të qëndruar në çfarëdo posti politik

“Në këtë mënyrë, punësimi i militantëve degradon komplet administratën publike. Në çdo institucion, si në nivel qendror apo lokal, vërehet se në pozitat më të larta, duke filluar nga shefat, zakonisht janë militantë partiakë të partisë së caktuar. Pra, është një gjendje alarmante, pasi këta militantë nuk kanë kualifikime profesionale”, thotë analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”

Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, dy udhëheqësit e të ashtuquajturit Ekipi negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, kanë shfrytëzuar këtë ekip për punësimin e militantëve të tyre partiakë. Limaj dhe Ahmeti kanë filluar t’i punësojnë militantët e partive të tyre në Ekipin negociator, ku rrogat priten të jenë deri 1,000 euro.

Sipas analistëve politikë, ky është një skandal nga ekipi ‘farsë’, të cilit i prijnë Limaj dhe Ahmeti. Analistët thonë se, duke marrë parasysh të kaluarën e dy të lartpërmendurve dhe përfshirja e tyre në aferat korruptive në Kosovë, atëherë nuk mund t’u zihet assesi besë.

Punësimin e militantëve partiakë, analistët e quajnë zhvatje e buxhetit të shteti, duke shprehur habinë se si mund të ketë rroga 1,000 euro për militantët e partive që nuk kanë elektorat as për një autobus, në të ashtuquajturin Ekip negociator që nuk bën asgjë, ndërkaq kosovarët po vdesin urie e po ikin nga Kosova.

Image
Shefik Shkodra

E kaluara e dyshimtë e Limajt dhe Ahmetit

“Krejt është e qartë për opinionin publik se, regjimi i sundimtarëve në Kosovë ka marrë drejtimin e një anarkie. Do të thotë, kush si të mundet. Konsideroj se njerëzit që kanë të kaluar jo të pastër nuk do të duhej të gjendeshin nëpër institucione dhe në asnjë punë publike. Ata vetë duhet të kujtohen. Të ndalen dhe të shikohen në pasqyrë, a janë ata që mund të kryejnë ndonjë punë të hairit. Këta tipat i marrin detyrat jo se janë të sigurt për t'i kryer, por sa për ndonjë zhvatje të buxhetit edhe më tutje”, thotë analisti politik, Shefik Shkodra për “Kosova Sot”.

Sipas tij, Limaj edhe Ahmeti kanë një të kaluar të dyshimtë për të qëndruar në çfarëdo posti politik.

“Pra, Limaj edhe Ahmeti, më parë nuk kanë kredibilitet e as ndonjë aftësi të veçantë prej të tjerëve. Kanë një të kaluar jo aq të duhur për të qëndruar në çfarëdo posti politik. Më së paku janë ata që mund ta vulosin ndonjë marrëveshje në mes Serbisë dhe Kosovës. Në këtë rast janë si alibi të zgjedhur apo gjysmëkredibilë me votat e koalicionit. Sa për të thënë, qe na e kemi grupin për Marrëveshje me Serbinë, ky Komision, sikur vërtet është që flet në emër të Kosovës dhe mund ta përfundojë këtë punë. E pabesueshme. Ata vazhdojnë të punësojnë militantët e partive të veta nismëtare, pa ndonjë kriter e as arsye me mjete të buxhetit të shtetit. Por kjo iu duhet për të shtuar ndonjë anëtar të ri”, u shpreh Shkodra për “Kosova Sot”.

“Pra, anarkia është në fazën e fundit, cili mund të plaçkitin më shumë. Krejt për interesin personal. Tipat që kanë pasur një të kaluar me afera korruptive, vetë do të duhej të tërhiqeshin nga obligimet politike shtetërore. Janë argatë të rastit nga Presidenca. Mund të jenë kryer punët më herët, pa këtë grup. Po, askush nuk mund të kryejë punë, pa pëlqimin e qytetarëve të Kosovës”, përfundoi Shkodra për “Kosova Sot”.

Image
Ali Herica

Partitë politike në Kosovë, si agjenci punësimi

Kurse, analisti tjetër, Ali Hertica, thotë se partitë politike në Kosovë janë shndërruar në agjenci punësimi.

“Subjektet politike thuajse janë të shndërruara në agjenci të punësimit e jo në platformat e tyre politike të shtetndërtimit, ku secili subjekt thuajse ka mbushur çdo dikaster që e ka në udhëheqje në punësime me kontrata mbi vepër. Këtë qytetari fare nuk po e kupton se a do të jetë ky punësim serioz apo vetëm sa për t’u marrë vota. Lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në sektorin publik në Kosovë.

Kështu thuhet në hulumtimin e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë .Për fat të keq, shumica e njerëzve që janë punësuar në administratën publike të Kosovës kanë ardhur përmes lidhjeve partiake, familjare dhe lidhjeve të tjera. Shumë pak kanë ardhur përmes bazës meritore apo zbatimit të ligjit në fuqi”, deklaron Hertica për gazetën “Kosova Sot”.

Ai më tej shprehet se fat i keq është se kur partitë politike në momentin që marrin pushtet, e marrin duke premtuar edhe vende pune dhe pastaj ka apo nuk ka standarde të punësimit, ata duhet të punësojnë militantët e tyre.

“Në këtë mënyrë, punësimi i militantëve degradon komplet administratën publike. Në çdo institucion, si në nivel qendror apo lokal, vërehet se në pozitat më të larta, duke filluar nga shefat, zakonisht janë militantë partiakë të partisë së caktuar. Pra, është një gjendje alarmante, pasi këta militantë nuk kanë kualifikime profesionale. Të gjitha koalicionet kanë marrëveshje për ndarjen e posteve në ndërmarrjet publike, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, bëhen edhe përmes marrëveshjeve të partive politike për koalicione qeverisëse”.

Për fund, punësimin e militantëve partiakë nga Limaj dhe Ahmeti, Hertica e quan antikushtetues dhe antiligjor.

“Tani, e vetmja mënyrë për t’i ndalur të gjitha këto subjekte nga ky veprim antikushtetues dhe antiligjor duhet se sovrani të japë dënimin e merituar me anën e votës, nëse në legjislaturën e ardhshme bëhet një ligj, i cili rreptësisht e ndalon që njerëz që kanë pasur të kaluar politike dhe që janë pjesë e këtyre strukturave t’u pamundësohet të vijnë në pozicione të tilla që të marrin pushtet në zgjedhje të ardhshme,dhe sovrani t’u tregojë se ku e kanë vendin”, ka përfunduar analisti politik, Ali Hertica.

Gazeta “Kosova Sot” ka dërguar pyetjet përmes emalit Qeverisë lidhur me punësimin e militantëve partiakë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

(Kosova Sot)