Alarmojnë analistët, formula e Devollëve: korrupto pushtetin, partitë politike...

  • 01 April 2019 - 07:59
Alarmojnë analistët, formula e Devollëve: korrupto pushtetin, partitë politike...

Badallaj: Në ‘Z-Mobile’ dhe PTK kanë hise edhe banditët e majave shtetërore

“Secili që ka ardhur në krye të PTK-së ndër vite është ankuar kinse për keqmenaxhimin e ish-udhëheqësit dhe kanë justifikuar para medieve. Përse askush nga këta drejtorë ndër vite nuk iu drejtua Prokurorisë, kur të gjitha shifrat e manipuluara i ka pasur mbi tavolinë?

Kjo është e qartë, e dukshme, dhe shihet në horizont, që PTK-ja ka qenë e atakuar drejtpërdrejt nga secila Qeveri e mundshme që vinte në krye, por është duke u atakuar edhe nga pushteti aktual. Kompania ‘Devolli’ ka qenë njëra ndër kompanitë më të pabesueshme që ka arritur të fitojë gjithë ata milionë, thuajse kanë zbuluar ndonjë ‘burim nafte’ në oborrin e tyre ose ndonjë ‘minierë me ar e argjend’. Por jo, ata e kanë zbuluar vetëm një formulë: korrupto pushtetin, partitë politike, politikanët, dhe pastaj e ke të lehtë t’i kontrollosh ata”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

PTK-ja sigurt po shkon drejt falimentimit, pikërisht për shkak të keqmenaxhimit dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi aksionari-Qeveria e Kosovës dhe ish-ministrat përkatës, të ARKEP-it dhe ish-drejtorët e PTK-se ndër vite deri te ky i fundit aktualisht për këtë falimentim, që ia kanë përgatitur duke e zhvatur e duke e shkatërruar mizorisht, kriminalisht si metodë e njohur zhvatëse e shkatërruese të parave të popullit e të buxhetit të shtetit, theksojnë njohësit e fushës së ekonomisë.

Sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, kjo po dëshmohet edhe me faktin se kompania “Devolli” është më e "fortë" se vetë shteti dhe se duke ua lagur fytin e duke ua mbushur kontot bankare i kanë futur në xhep të vogël të gjitha partitë politike, pa dallim, por edhe të gjitha institucionet në të dyja nivelet, duke përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, të cilët mbyllin sytë para krimit në PTK.

Ata shtrojnë pyetje se pse e ka të vështirë shteti ta shkëpusë kontratën e inkriminuar e me vepër penale me “Z-Mobile”, e cila e fundosi PTK-në me bekimin dhe mashtrimet e qëllimshme të pushtetarëve, por gjithashtu shtrojnë pyetjen pse Prokuroria Speciale nuk reagon ndaj dëmeve të mëdha e shkatërrimtare me vepër penale, që po i shkaktohen buxhetit të shtetit. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës, e këtë nuk e ka bërë as Qeveria e Republikës së Kosovës. Përgjigje nuk kanë dhënë as të akuzuarit e analistëve, Blerim dhe Shkëlqim Devolli.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Devolli, kanceri i Kosovës

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se PTK-ja po shkon drejt falimentimit, sepse, sipas tij, krerët e PTK-së janë të lidhur ngushtë me krerët e majave të shtetit. “Për ta kuptuar më mirë, kryebanda e PTK-së është e lidhur shumë ngushtë me kryebandën shtetërore, sidomos te Qeveria kuislinge e hajnave, por prapa gjithë kësaj katrahure qëndron askush tjetër pos kryebandës më të rrezikshme në tërë Ballkanin, që quhet Devolli.

Kjo kryebandë kancerogjene e Kosovës nuk njohin as ligje, as Kushtetutë dhe as shtet, janë mbi të gjitha, sepse kjo organizate e ka blerë shtetin dhe me banditët që e kanë kapur shtetin. Që do të thotë se shteti është i kapur nga bandat që pasurohen jashtëligjshëm dhe askush nuk i trazon fare.

Pra, varrin PTK-së ia kanë përgatitur " varrmihësit" e bandës Devolli dhe kjo Qeveria kuislinge, që pastaj të bjerë qëllimisht në thonjtë e kësaj kuçedre dhe më pas të ndajnë pazarin bashkë. Faj të madh pa më të voglin dyshim kanë majat e shtetit dhe sistemi i kalbur gjyqësor që heshtin para krimit të organizuar të këtij rrjeti kriminal të nëntokës kriminale, që pasurohen me hajni.

A ka skandal më të madh në këtë vend se vetëm të shikohet kontrata e këtyre bandave hajnash, të këtij rrjeti kriminal, në mes të këtyre kryehajnave të ‘Z-Mobile’ dhe PTK-së, por dihet se këtu kanë hise edhe banditët e majave shtetërore dhe Prokuroria Speciale i mbyll sytë dhe bëhet e shurdhër”, ka theksuar Badallaj. Ai shpreson se do të vijë koha dhe të gjithë do të japin përgjegjësi.

Image
Driton Gashi

Gashi: Drejtësia, e paaftë për të bërë diçka

Analisti Driton Gashi thekson për gazetën “Kosova Sot” se PTK-ja po shkon drejt një falimentimi jo vetëm për shkak të keqmenaxhimit, por për shkak të një keqmenaxhimi të qëllimshëm, i cili e ka burimin tek ish-ministrat paraprakë, ish-drejtorët, ish-pushteti, por edhe te kjo Qeveri aktuale. “Secili që ka ardhur në krye të PTK-së ndër vite është ankuar kinse për keqmenaxhim e ish-udhëheqësit dhe kanë justifikuar para medieve. Përse askush nga këta drejtorë ndër vite nuk iu drejtua Prokurorisë, kur të gjitha shifrat e manipuluara i ka pasur mbi tavolinë? Kjo është e qartë, e dukshme, dhe shihet në horizont që PTK-ja ka qenë e atakuar drejtpërdrejt nga secila Qeveri e mundshme që vinte në krye, por është duke u atakuar edhe nga pushteti aktual. Kompania ‘Devolli’ ka qenë njëra ndër kompanitë më të pabesueshme që ka arritur të fitojë gjithë ata milionë, thuajse kanë zbuluar ndonjë ‘burim nafte’ në oborrin e tyre, ose ndonjë ‘minierë me ar e argjend’.

Por jo, ata e kanë zbuluar vetëm një formulë: korrupto pushtetin, partitë politike, politikanët, dhe pastaj e ke të lehtë t’i kontrollosh ata. Kësisoj, me këtë formulë kanë arritur dhe po kontrollojnë shtetin e Kosovës, sidomos PTK-në, e cila në këtë rast u ka ofruar më shumë miliona se sa zbulimi i ndonjë miniere me ar e argjend. Prandaj, është shumë e vështirë që këta njerëz të ndalen dhe të luftohen”, është shprehur ai.

Gashi ka shtuar se është shumë e vështirë për momentin, mirëpo në një të ardhme të afërme shpreson që të krijohet një elitë e mirëfillte politike dhe e pastër moralisht, që t’i shporrin këto klane mafioze njëherë e përgjithmonë, të shuhen bizneset e tyre korruptive, t’i kthehen milionat shtetit të Kosovës dhe të burgosen. “Ndërsa, politika momentale, pozitë e opozitë, besoj që janë të inkriminuara në këtë sistem së bashku me Prokurori dhe organe të drejtësisë, të cilat janë treguar të paafta për të bërë diçka të mirë në këtë drejtim. Jemi duke jetuar në një rrjet kriminal: Qeveri-parti politike-klane mafioze”, është shprehur ai.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: As PTK-ja nuk i shpëtoi vjedhjes së pamëshirshme

“Kjo klasë politike nuk ka lënë ndërmarrje pa e vjelë. Vjelë deri në shkatërrim. As PTK-ja nuk i shpëtoi vjeljes së pamëshirshme që iu bë nga këta të pangopur. Jo më larg se një dekadë, PTK-ja kishte vlerën e 1.5 miliard eurove, dhe shumë kompani të huaja ishin të interesuara që ta privatizonin. Kjo kompani shumë fitimprurëse nuk u lejua që të privatizohej, sepse më nuk do të mund të vidhej e të bënin punësime partiake kur të privatizohej.

Pagat marramendëse, kontratat dhjetëra milionëshe në favor të individëve të caktuar, gjobat nga arbitrazhet, punësimet familjare dhe partiake, e fundosën këtë kompani që ishte gjenerator i ekonomisë dhe mbështetës i madh i buxhetit të Kosovës. Falimentimi është bërë edhe me qëllimin se një kompani e falimentuar shitet me një çmim shumë të vogël, dhe normal që do të blihet nga një kompani ku prapa saj qëndrojnë këta politikanë që na kanë sjellë në këtë gjendje. S'mund të presim reagim nga ana e drejtësisë, kur e dimë fare mirë që drejtësia është në duart e tyre. Të gjithë prokurorët dhe gjykatësit janë të emëruar nga ata. Politika dhe drejtësia kanë lidhur një pakt. Ne nuk ju ngacmojmë juve, as ju nuk na ngacmoni neve. Jemi rehat të dyja palët”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Faik Krasniqi.

Gashi: Milionat e vjedhur duhet kthyer shtetit të Kosovës

“Është shumë e vështirë për momentin, mirëpo në një të ardhme të afërme, shpresoj që të krijohet një elitë e mirëfillte politike dhe e pastër moralisht,- që t’i shporrin këto klane mafioze njëherë e përgjithmonë, të shuhen bizneset e tyre korruptive, t’i kthehen milionat shtetit të Kosovës, dhe të burgosen.

Ndërsa, politika momentale, pozitë e opozitë, besoj që janë të inkriminuara në këtë sistem së bashku me Prokurori dhe organe të drejtësisë, të cilat janë treguar të paafta për të bërë diçka të mirë në këtë drejtim. Jemi duke jetuar në një rrjet kriminal: Qeveri-parti politike-klane mafioze”, është shprehur analisti Driton Gashi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)