Pushtetarët u kanë ardhur në maje të hundës ndërkombëtarëve

  • 01 April 2019 - 08:12
Pushtetarët u kanë ardhur në maje të hundës ndërkombëtarëve

Lenjani: Kjo politikë e papërgjegjshme jo vetëm që i ka lodhur edhe ambasadorët e huaj, por ka rrezik që të na izolojë edhe më shumë

“Kori i huaj diplomatik i akredituar në Kosovë po e di tashmë shumë mirë se për gjendjen shumë të rëndë ku jemi fajtorë janë politikanët tanë të korruptuar. E them lirshëm se jemi të zhgënjyer me të gjithë politikanët tanë, që po mendojnë vetëm për veten e tyre. Andaj, është koha e fundit që qytetarët mos të flenë, por të dalin në protesta masive. Heshtja e popullit në njëfarë mënyrë nënkupton edhe pajtim me gjendjen e rëndë, Prandaj, pas vërejtjeve të miqve tanë ndërkombëtarë, populli duhet të dalë në protesta masive”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” qytetari Muhamedin Orllati

Tashmë edhe ambasadorët e huaj, të akredituar në vendin tonë, po e thonë haptazi e disa sish edhe me rrotulla, se tashmë janë lodhur me këtë klasë politike të inkriminuar në Kosovë. Madje miqtë tanë ndërkombëtarë po kritikojnë, duke thënë se tashmë është koha që populli, i cili e do Kosovën, të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Shih për këtë, qytetarët e anketuar thonë se kjo klasë politike e lidhur me nëntokën kriminale e kanë izoluar Kosovën, duke e bërë një oazë të krimit të organizuar dhe një shtet të kapur dhe të dirigjuar nga mafia politike,prandaj vetëm qytetarët mund ta bëjnë ndryshimin.

Qytetari Selver Lenjani është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se nuk ka asnjë dyshim se janë të drejta vlerësimet e ambasadorëve të huaj, përkatësisht atyre të Quintit, që thonë se janë lodhur me klasën tonë politike të inkriminuar. “Janë të drejta edhe këshillat e ndërkombëtarëve se si duhet vepruar popullata e Kosovës ndaj krimit dhe korrupsionit të pushtetarëve tanë të pasluftës. Dëshmia më e mirë për zhgënjimin ndërkombëtar me këtë klasë politike që kemi në pushtet është reagimi i pamatur dhe tepër i vrazhdët i ministrit Pal Lekaj kundër deklaratës së ambasadorit të Zvicrës, prandaj në këtë rast, por edhe në rastet e ngjashme, duhet mbështetur qytetarët denoncimet e drejta të miqve ndërkombëtarë që janë lodhur me këtë klasë të inkriminuar politike”, ka theksuar ai.

Image
Selver Lenjani

Përfundimisht, sipas tij, këto zhvillimet e fundit, përplasjet e njerëzve të politikës sonë me ndërkombëtarët, rasti konkret është reagimi i ministrit Lekaj kundër ambasadorit të Zvicrës, tregojnë se sa të lodhur janë ndërkombëtarët me këta njerëz që po na keqqeverisin dhe vetëm dëme po i sjellin vendit.“Duhet ta dijë edhe ministri Pal Lekaj, por edhe të gjitha partitë tjera të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, se miqtë tonë ndërkombëtarë janë të zhgënjyer dhe të lodhur me abuzimet e tyre, me ndihmat që po i sjellin për Kosovën, me keqpërdorimin e donacioneve që vijnë prej tyre. Ndërkombëtarët janë lodhur dhe nuk dëshirojnë më që t’u paguajnë “haraç” këtyre njerëzve, të cilët po abuzojnë me pushtetin dhe me interesin e qytetarit.

Për atë që ka bërë ambasadori zviceran për Kosovën, por edhe shteti i tij, ne duhet t’i japim mirënjohje dhe jo të dalim e ta denigrojmë me deklarata, sikur ajo deklarata skandaloze e ministrit Lekaj. Nuk janë 20 centë, por 20 milionë euro, që shteti i Zvicrës ka investuar në infrastrukturën e Kosovës për rregullimin dhe furnizimin me ujëra, nëpër kanalizime, për ujërat e zeza dhe për rregullimin e ujësjellësve aty ku ka pasur më shumë nevojë. Tani është e turpshme që ky zotëri dhe të tjerët sikur ky të merren dhe të deklarojnë ashtu në mënyrë aq arrogante, që t’ua kthen shkelmat shokëve dhe miqve, kjo është jonjerëzore, e patolerueshme dhe e pajustifikueshme. Fukarallëkun e Kosovës deri në këtë masë e ka zbritur, zbutur, pikërisht ndihma e shtetit të Zvicrës dhe Gjermanisë, dy shtete mike ku dominon shumica e të punësuarve nga Kosova, por edhe donacionet që kanë sjellë këto dyshe te në periudhën e pasluftës”, theksoi Lenjani për gazetën.

Kjo politikë e papërgjegjshme, sipas tij, jo vetëm që ka lodhur edhe ambasadorët e huaj, por ka rrezik që ta izolojë akoma më shumë shtetin e Kosovës dhe këtë ne nuk duhet ta tolerojmë. “Ne, banorët e Karaqevës, zona kufitare e anashkaluar nga institucionet e shtetit të Kosovës, nga ata 20 milionë euro investime të shtetit të Zvicrës për ujërat, sot e kemi në ndërtim ujësjellësin që duhet na furnizon me ujë, prandaj në shenjë mirënjohje ndaj shtetit të Zvicrës shumë shpejt do të ndajmë edhe një dekoratë zyrtarisht për këtë ambasador që po e ka fyer dhe kritikuar ministri Pal Lekaj”, theksoi qytetari Selver Lenjani.

Image
Fadil Krasniqi

Krasniqi: Politikanët tanë e tepruan

Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Fadil Krasniqi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se jo vetëm ambasadorët e huaj që janë lodhur me këtA politikanët tanë të korruptuar, por atyre edhe u ka ardhur mëria në maje të hundës, sepse vërtet politikanët tanë e kanë tepruar në çdo gjë që nga paslufta e deri sot.“Pushtetarët tanë janë bërë lypsa të paskrupullt dhe më pas nëse ndonjërin nga miqtë tanë diplomatë që po e ndihmojnë Kosovën , na kritikojnë sikurse që ishte rasti i ambasadorit të Zvicrës, pa asnjë fije turpi po kritikohet nga politikanët tanë. Madje kritika e miqve vjen nga keqpërdorimet e parave, ndihma të bashkësisë ndërkombëtare, kurse politikanëve tanë të paskrupullt u mbetet hatri se përse po na kritikoni, edhe pse po i keqpërdorin paratë”.

Image
Sadat Sollova

Sollova: Kosovës i duhet një klasë e re politike

Qytetari Sadat Sollova nga Prishtina për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk e ka asnjë dyshim se tashmë Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politike që do të bëjë ndryshime rrënjësore, pasi që, sipas tij, Kosova ka njerëz të zotë e një rini shumë të shkolluar.

Edhe vërejtjet e miqve tanë, ambasadorë të vendeve të Quinitit e më gjerë, në adresë të pushtetarëve tanë të inkriminuar janë me vend, sepse vërtet këta politikanë tanë të pasluftës na janë bërë bajat jo vetëm neve si popull, por edhe diplomatëve të huaj, që janë të akredituar në Kosovë. Prandaj, Kosova ka nevojë imediate për një klasë politike të pakorruptuar që do të na shpëtonte nga kjo situatë shumë e rëndë.

Është koha e fundit që populli ynë të ngrihet në protesta masive dhe t’i largojë nga skena politike këta pushtetarë të korruptuar që e sollën Kosovën buzë greminës ekonomike dhe politike. Por, e keqja është se populli i Kosovës pak po fle dhe nuk po e ndërron këtë realitet të hidhur”, është shprehur ai.

Qytetari Muhamedin Orllati nga Fushë-Kosova për gazetën “Kosova Sot” thotë se është plotësisht e vërtetë atë që e thonë diplomatët e huaj për klasën tonë politike se ata janë bërë tashmë bajat jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për diplomatët e huaj.“Kori huaj diplomatik i akredituar në Kosovë po e di tashmë shumë mirë se për gjendjen shumë të rëndë ku jemi, fajtorët janë politikanët tanë të korruptuar.

E them lirshëm se jemi të zhgënjyer me të gjithë politikanët tanë që po mendojnë vetëm për vetën e tyre. Andaj është koha e fundit që qytetarët mos të flenë dhe duhet që të dalin në protesta masive. Sepse me heshtjen e popullit në njëfarë mënyre nënkupton edhe pajtim me gjendjen e rëndë. Prandaj, pas vërejtjeve të miqve tanë ndërkombëtarë populli duhet të dalë në protesta masive”, është shprehur ai.

Image
Qlirim Zeka

Zeka: Protestat të jenë të qeta e demokratike

Qytetari Çlirim Zeka, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vlerësimet e ambasadorëve të Quintit dhe vendeve tjera për politikanët kosovarë janë të drejta, sepse pushtetarët e Kosovës kanë gabuar në politikat e tyre që po i bëjnë.“Prandaj, edhe këshillat e ambasadorëve të huaj të akredituar në Kosovë, që sugjerojnë se populli i Kosovës duhet që të reflektojë dhe të ngrihet në protesta paqësore, ato janë të drejta. Por, protestat e qytetarëve të Kosovës duhet që të jenë të qeta e me mjete demokratike dhe në asnjë mënyrë të bëhen protesta të dhunshme”, është shprehur ai.

Sipas qytetarit Krasniqi, kjo klasë politike e inkriminuar pa asnjë fije turpi dita-ditës është duke e izoluar Kosovën dhe po u vazhdua kësisoj një ditë jo të largët do të na vijë turp që dikujt nga ndërkombëtarët t’i themi se jemi shqiptarë të Kosovës.“Edhe pse ka ardhur koha për të dalë qytetarët në protesta kjo nuk do të ndryshojë asgjë për të mirë, sepse i kemi provuar të gjitha partitë politike. Prandaj, në të ardhmen Kosova duhet që t’i zgjedhë njerëzit e saj më të mirë për skenën politike, duke emëruar njerëz me të kaluar të pastër e pa njolla, sepse tash po na nevojiten njerëz të rinj”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)