Prishtina po degradon, sundojnë mafia, bërlloku e kaosi

  • 01 April 2019 - 08:20
Prishtina po degradon, sundojnë mafia, bërlloku e kaosi

Krasniqi: Edhe pse Shpendi pati thënë se do të jetë kundër abuzimit, puna në Komunë po shkon me ryshfet dhe vetëm mund të të gënjen dikush se ka kryer punë pa ryshfet

“Shpend Ahmeti në fillim e bëri një stopim të këtyre ndërtimeve, për të vazhduar pastaj që ta vendosë monopolin e klasave të veta të grupeve të interesit, të njerëzve të vet, për t’i kapur të gjitha fushat, qoftë të ndërtimit të objekteve të caktuara publike, qoftë të rrugëve dhe të shumëçka tjetër. Dyshoj që këtë mandat Shpendi do ta kishte fituar fare, sikur të mos ishte manipuluar procesi i zgjedhjeve, votat për Prishtinën”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, qytetari Ibrahim Muja

Duke parë gjendjen në të cilën po katandiset qyteti i Prishtinës, me mungesë totale të zhvillimit dhe pastërtisë, por edhe me ndërtimet që vazhdojnë në mënyrë kaotike, pa leje e me leje nëpër lagje të ndryshme, qytetarët vlerësojnë se me qeverisjen e Shpend Ahmetit, Prishtina po shkon sigurt drejt degradimit, madje po shndërrohet në një vend të krimit të organizuar, ku mafia e nëntokës kriminale merret me leje ndërtimi me të madhe.

Në vend që Prishtina të jetë pasqyra e shtetit të Kosovës për imazh të mirë, zhvillim e pastërti, sipas qytetarëve të anketuar në një reportazh të gjerë, në lagje të ndryshme, ata vlerësojnë se Prishtina po bëhet sinonim i bërllokut dhe i krimit, pasi pa dhënë para nuk ka shans të marrësh asnjë shërbim nga Komuna e Shpend Ahmetit, e as të marrësh leje ndërtimore.

Dyshimi për tregti me leje ndërtimi

Qytetari Ibrahim Muja, nga lagja “Dardania”, në të cilën është rindërtuar Platoja mbi Kurriz dhe akoma nuk është përfunduar si duhet, dhe përreth hapësirave të saj ka grumbuj mbeturinash, thotë se kryetari Shpend Ahmeti as gjatë mandatit të parë dhe as në këtë mandatin e dytë nuk ka prekur shumëçka nga zgjidhjet që është dashur të bëhen për këtë pjesë të kryeqytetit, sikurse për pjesët e tjera.

“Nuk ka prekur shumëçka në krijimin e realiteteve të reja për Prishtinën. Gjithandej po shohim vetëm kunja. Po e shihini dhe po e shohim edhe ne këtu Kurrizin që akoma nuk ka përfunduar, dhe krejt ato mjete që u financuan, shpenzuan për këtë projekt, shkuan vite e vite dhe nuk u përfundua akoma as me ndriçimin, por kemi edhe rreziqe të dëmtimit, sepse kemi këtu pjesë ku janë krisur, madje të dëmtohen edhe xhamat. Kur flasim për rrugët askund nuk janë në rregull.

Nuk kemi risi te shtrimi dhe riparimi, te meremetimi i tyre. Kemi mungesë rregullimi hapësire edhe te parqet dhe për gjithçka tjetër te shumica e shërbimeve të tjera që nuk po di dhe nuk po mund t’i numëroj”, theksoi qytetari Ibrahim Muja. Ai nuk e heq aspak nga mendja edhe dyshimin për tregti me leje ndërtimi, dhënien e lejeve me ryshfet. “Kjo është thënë edhe më herët se tanimë është ligjësuar korrupsioni, është ligjësuar edhe nepotizmi dhe është ligjësuar gjithçka. Do të thotë te ne është ligjësuar e keqja. Madje, fatkeqësisht jo vetëm në Prishtinë, por në krejt Kosovën”, është shprehur Muja.

Thekson se Shpend Ahmeti, në fillim e bëri një stopim të këtyre ndërtimeve, për të vazhduar pastaj që ta vendosë monopolin e klasave të veta të grupeve të interesit, të njerëzve të vet, për t’i kapur të gjitha fushat, qoftë të ndërtimit të objekteve të caktuara publike, qoftë të rrugëve dhe të shumëçka tjetër. Madje, ai dyshon që këtë mandat nuk do ta kishte fituar fare Shpend Ahmeti sikur të mos ishte manipuluar procesi i zgjedhjeve, votat për Prishtinën.

Salihu: Hapësirat e gjelbra po uzurpohen

Qytetari Sherif Salihu thotë se Komuna dhe kryetari nuk po bëjnë asgjë për rregullimin dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra, madje po lejohet edhe uzurpimi i tyre nga lokalet shërbyese nëpër blloqet e banimit. Sa i përket papastërtisë nëpër qytetet, ai fajëson edhe qytetarët që janë të papërgjegjshëm dhe i gjuajnë mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin, ndonëse nuk mund të amnistohet as neglizhenca e kopanisë në raste të caktuara. “Këtu tek ‘Parkingu i UÇK-së’ edhe kontejnerët i ndezin shpesh, sepse mbeturinat rrinë gjatë këtu”, tha Sherif Salihu.

Mirëpo, ai thotë se për mendimin e tij, pikë e dobët është uzurpimi i hapësirave të gjelbra dhe hyrjeve pranë objekteve të banimit nga lokalet shërbyese. “Këto kafene pothuajse gjithandej e kanë zënë krejt gjelbërimin, e kanë uzurpuar, dhe Komuna jo veç që ka mundësi për t’i liruar këto hapësira, por e ka edhe obligim, por nuk e bën këtë, sepse po i “mjel”, po ua merr haraçin si pagesë për shfrytëzim të këtyre hapësirave, dhe nuk po investon në rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Nga këto lokale Komuna merr taksë për hapësirat e gjelbra që i kanë uzurpuar, përndryshe po nuk paguan vjen dhe ua rrënon përnjëherë. Këtu shpesh nuk ke as nga kalon, sepse e nxënë rrugën me karrige e me tavolina. Gjelbërimi madje edhe po zhduket, sepse nuk kujdeset askush dhe drunjtë kanë filluar të thahen, ata që janë tharë nuk i ripërtërin askush”.

Mungesë totale e pastërtisë

Ismail Kozgorin e kemi intervistuar në lagjen “Pejton”, i cili po ashtu thotë se Prishtina po degradohet shumë nga qeverisja e Shpend Ahmetit në çdo fushë të jetës, sidomos ka mungesë gati totale të pastërtisë, me përjashtim të zonës “Qendër”. “Unë kam vërejtje jashtëzakonisht të mëdha, sepse në krahasim me qytetet e tjera në Evropë shumë larg jemi, kemi papastërti totale gjithandej.

Në cilëndo pjesë të qytetit që kalon, me përjashtim të asaj pak zone në ‘Qendër’, papastërtia është mozomakeq. Madje, edhe ‘Qendra’ nuk mendoj se është në nivelin e duhur të pastërtisë, por për dallim nga zonat periferike ka një dallim, është pak më mirë. Njerëzit nuk i hedhin mbeturinat aty ku duhet, por edhe ata që e kanë obligim nuk vijnë me rregull për t’i marrë ato dhe kështu aty veç grumbullohen. Reagimi, pra, nuk është në nivel, edhe ne si qytetarë shpesh nuk guxojmë të flasim, sepse na thonë çka po të intereson ty dhe kështu po na marrin inat dhe për njeri negativ”, theksoi Ismail Kozgori.

E keqja e madhe, sipas Kozgorit, është edhe ngritja e dyshimit për abuzim me leje ndërtimi nga ana e qeverisjes komunale të Shpend Ahmetit. “Për leje ndërtimi personalisht nuk kam njohuri konkrete, nuk kam pasur rast të di diçka konkrete, sepse unë jam pensionist dhe nuk jam ballafaquar me këtë.

Mirëpo, kur po i dëgjoj lajmet po thuhet që ka padrejtësi të mëdha, edhe kryetari si kryetar tashmë është angazhuar në këtë delegacionin për negociata me shtetin e Serbisë, që më duket se nuk i takon, sepse ka mjaft obligime të tjera me qytetarin e vet, dhe kur po e merr edhe atë obligim po më duket e tepërt, prandaj i ka lënë anash të gjitha problemet e tjera të qytetarit. Nëse Prishtina vazhdon deri në fund të mandatit kështu vetëm do të degradojë akoma më shumë, sepse çdo ditë po shkon teposhtë e teposhtë në minus”, tha Ismail Kozgori.

Krasniqi: Me qeverisjen e Shpend Ahmetit nuk ka asnjë perspektivë

Prishtina po degradohet nga qeverisja e Shpend Ahmetit me lidhjet e tij me nëntokën kriminale të ndërtimeve edhe sipas qytetarit Bujar Krasniqi nga lagja “Tophane”. “Mbeturinat e kanë mbuluar qytetin gjithandej dhe realisht edhe kjo qeverisja e mandatit të dytë të Shpend Ahmetit nuk ka ndikuar asgjë në përmirësimin e gjendjes në kryeqytet. Po shihet përfundimisht që me qeverisjen e Shpend Ahmetit nuk ka asnjë perspektivë për ndryshim,ama bash nuk ka hiç.

Edhe kjo puna e abuzimit, ryshfetit për leje të ndërtimit, ka qenë gjithnjë dhe do të jetë përsëri sikur që ka qenë gjithë. Madje, në këtë Kosovën tonë tani është bërë krejt normale që gjithçka të bëhet vetëm me ryshfet dhe askush nuk ndërmerr asgjë kundër kësaj.

Edhe pse Shpendi pati thënë se do të jetë kundër abuzimit me këtë çështje, kundër ryshfetit përsëri po shkon puna me ryshfet dhe vetëm mund të të gënjen dikush se ka kryer punë pa ryshfet. Edhe kjo puna e lejeve të ndërtimit krejt me të njohshëm dhe me ryshfet është duke shkuar. Prandaj, po na ndodh kështu që të gjithë ne qytetarët jemi të zhgënjyer nga të gjithë dhe rinia po na ikin nga vendi, sepse nuk mund të shohin shpresë e perspektivë me këtë lloj qeverisjeje në asnjë nivel”, tha Bujar Krasniqi.

Ejupi: Populli i mjerë nuk ka pushtetarë të përgjegjshëm

Situatë e tmerrshme nga mbeturinat është edhe në afërsi të Katedrales, ku hapësira përreth dhe disa objekte në ndërtim e sipër që kanë mbetur aty, janë shndërruar në depo të paprekshme të bërllokut e mbeturinave “jetime” që nuk i pastron askush. Qytetari Idriz Ejupi tha se ajo që duket aty, madje është një katastrofë ekologjike që po i ndodh kësaj hapësire aty dhe Komuna nuk e sheh. “Kjo është katastrofë, fillimisht duke filluar nga sjellja e pakulturuara dhe e papërgjegjshme të vetë popullatës, që i hedh mbeturinat dhe i ndez këtu, e pastaj për këtë përgjegjësia shkon nga poshtë lart rresht te të gjitha nivelet e qeverisjes.

Prej më të ulëtit, që është kryetari i Komunës, e deri tek më i larti që është kryetari i shtetit, kreu i Qeverisë. Me këtë realitet të zymtë që po duket ne mund të themi se jemi krejtësisht pa Qeveri, popull i mjerë dhe nuk kemi qeveritar të përgjegjshëm në asnjë nivel. Edhe në Komunë kanë ndërhyrë shumë rryma në qeverisje. Tash janë futur tri parti politike në qeverisjen e Komunës dhe askush nuk mendon tjetër veçse për një vend pune, po edhe nëse kallet flakë qyteti se nuk i bie ndërmend kujt që të ndërmarrë diçka.

Image

Po të isha pyetur unë, që në fillim nuk e kisha zgjedhur Shpend Ahmetin, sepse ai fillimisht nuk është qytetar i Prishtinës, e di ku e ka shtëpinë në Mitrovicë dhe nuk e ka për interes dhe për zemër qytetin e Prishtinës, por interesi i tij është vetëm për ta mbushur xhepin ”, tha Idriz Ejupi.

(Kosova Sot)