Lexuesit: “Kosova Sot” të shpallet dëshmore e fjalës së lirë

  • 01 April 2019 - 08:44
Lexuesit: “Kosova Sot” të shpallet dëshmore e fjalës së lirë

Ibishi: “KOSOVA SOT” ishte një logjistikë e fuqishme e UÇK-së, e kishim një lloj bashkëluftëtari

Përfaqësues të jetës akademike, veteranë të luftës dhe qytetarë çmojnë lart guximin që po e tregon sot gazeta lidere “Kosova Sot”, për ta thënë të vërtetën, sado që kjo e vërtetë nuk u pëlqen shumicës së politikës aktuale që po qeveris me vendin dhe urojnë që këtë qasje të pavarur kjo gazetë ta ruajë edhe në të ardhmen, sepse, sipas tyre, kritika e shëndoshë i ndihmon ndërtimit të shoqërisë demokratike

Prof. Dr. Nexhat Çoçaj, ligjërues i Universitetit UBT

Regjimi serb gjatë gjithë shekullit XX popullin shqiptar dhe çdo shqiptar e ka parë me sy armiqësor dhe të vetmen gjuhë, që e ka përdorur ka qenë gjuha e dhunës. Me anë të kësaj dhune, Serbia e ka diskriminuar popullin shqiptar dhe të arriturat e tij në të gjitha fushat e jetës. Një nga të arriturat në fund të shekullit të kaluar ishte edhe nisja e botimit të gazetës “Kosova Sot”, e cila në masë të madhe e mbulonte terrin informativ. Pra, me pak fjalë “Kosova Sot” ishte dritë në terrin dhe burgun e madh në të cilin gjendej Kosova. Andaj, nga regjimi nuk pati ndryshe se si të shihej kjo gazetë, e cila si të gjithë atdhetarët edhe kjo u dënua. “Kosova Sot” ishte luftëtare e lirisë dhe meriton të shpallet DËSHMORE E FJALËS SË LIRË.

Këtë epitet gazeta “Kosova Sot” e meriton jo vetëm si gazetë shqiptare, por për faktin se që nga fillimi i luftës, kjo gazetë ishte përkrah luftëtarëve. Ishte në çdo betejë, në çdo aksion dhe aq më shumë bëri të mundur, që radhët e UÇK-së të shtoheshin gjithnjë e më shumë. Dhe siç dihet botërisht forcat serbe, duke e parë gazetën “Kosova sot” dhe shtypshkronjën e saj si një ndër kundërshtarët më të rrezikshëm, menjëherë pas bombardimeve, e shkatërroi shtypshkronjën, ku shtypeshin edhe librat shqip, në mënyrë që ta shtypte së pari fjalën e lirë, zërin dhe ndërgjegjen e popullit e më pas edhe popullin. Andaj, duke parë kontributin e madh të kësaj gazete, institucionet e vendit në këtë përvjetor i ngelen borxh, që të paktën ta falënderojnë me një mirënjohje, medalje, apo diçka të ngjashme, sepse aktivitetin atdhetar , që e zhvilloi kjo gazetë, është i papërshkrueshëm me fjalë dhe nuk mund të falënderohet me pak fjalë.

Ringjallja e gazetës “Kosova Sot” ndodhi ashtu siç nisi të rikthehet populli në vatrat e tyre, pas braktisjes, duke luajtur tash një rol të rëndësishëm në ndërtimin e vendit. Në luftën kundër padrejtësive, që i bëhen shtresës së varfër dhe në denoncimin e padrejtësive me anë të shkrimeve hulumtuese. Kjo gazetë ashtu siç ka ditur e mundur të mbijetojë gjatë këtyre viteve, urojmë që të jetë edhe në të ardhmen gazeta numër 1 në Kosovë, ku do të jetë në shërbim të popullit, për të vazhduar rrugën e denoncimit të të gjithë atyre që abuzojnë !

Gazeta më e guximshme në luftë

Bejtush Sylejmani, vozitës, ish- ushtar i UÇK-së

Gazetën “Kosova Sot” e kam përcjellë herë pas here në kohën e luftës, sepse nuk kemi pasur mundësi që ta kemi rregullisht. Mirëpo, nga ajo që kemi lexuar, kemi parë dhe jemi vërtetuar se ka qenë gazeta më e guximshme e mënyrës së paraqitjes së të vërtetës për masakrat serbe që po kryheshin ndaj popullatës së pambrojtur. Me të vërtetë kemi qenë të befasuar me guximin e gazetarëve dhe të fotoreporterëve, të cilët arrinin të depërtonin në zonat më të rrezikshme për të regjistruar dhe për të transmetuar lajmet e vërteta. Gazetarët e “Kosova Sot” mund të them lirisht që bënin një luftë po aq të vlefshme mediatike kundër regjimit, aq se ne në front mundoheshim ta bëjmë me armët që kishim në dispozicion.

Regjimi serb e ka përcjellë këtë mënyrë raportimi dhe nuk ka qenë aspak befasi pse u ndëshkua dhe pse u dogj me themel shtypshkronja e kësaj gazete. Ishte kënaqësi për mua kur me këtë gazetë fillova të shoqërohem edhe në periudhën e pasluftës për të përcjellë raportimin korrekt dhe gjithmonë kritik ndaj fenomeneve në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Jam lexues i rregullt i kësaj gazete dhe e çmoj lart guximin që tregon edhe sot për ta thënë të vërtetën ashtu sikur po e shohim të gjithë, sado që kjo e vërtetë nuk i pëlqen shumicës së politikës aktuale që po qeveris me vendin. Uroj që këtë qasje të vazhdoni ta ruani edhe në të ardhmen, sepse kritika e shëndoshë i ndihmon ndërtimit të shoqërisë demokratike.

Avdullah Ibishi, arsimtar, ish- ushtar i UÇK-së

Si punëtor arsimi mediet e shkruara i kam pasur në tavolinën e punës, po ashtu në familje rregullisht, edhe para luftës, por i kam edhe tani pas luftës. Kur flas për periudhën e luftës, derisa është botuar kjo gazetë, mund të them lirisht që ishte një logjistikë e fuqishme e UÇK-së, sepse si pjesëtar edhe i UÇK-së, aq kohë sa kam qenë i angazhuar, e kemi pasur gazetë të kërkuar dhe të preferuar sa herë që na është dhënë mundësia ta sigurojmë. E kishim një lloj bashkëluftëtari, sepse lexonim lajme e reportazhe edhe për zonat në të cilat ne nuk arrinim të lëviznin, por komunikonim duke lexuar artikujt që shkruante gazeta e asaj kohe.

Unë personalisht e kam përjetuar rëndë lajmin kur është ndëshkuar dhe mbyllur gazeta nga administrata okupatore e regjimit serb në Kosovë, por akoma më i rëndë ka qenë lajmi kur kemi mësuar se është kryer sulm me zjarr vënie në objektin e shtypshkronjës. Pra, dihet qëllimi i okupatorit ishte krijimi i territ informativ, ndonëse ishte ky një aksion i vonuar, pasi gazeta veç e kishte kryer misionin e vet në informimin e drejtë përgjatë muajve të tërë të luftës. “Kosova Sot” erdhi në tregun e Kosovës së bashku me çlirimin e vendit dhe unë vazhdoj ta ruaj atë miqësinë e vjetër si lexues i rregullt i kësaj gazete, sepse vlerësoj qasjen kritike të saj për rrjedhat e shoqërisë kosovare që akoma gjendet në një fazë të tranzicionit të brishtë të ndërtimit të shtetit.

Gazeta ruan qasjen kritike dhe të paanshme

Islam Visoka, qytetar dhe veprimtar i radhëve të para të UÇK-së

Misioni i informimit të drejtë dhe të saktë nga mediet e shkruara, në kohën e luftës, ka qenë sfida më e madhe me të cilën është përballur opinioni publik kosovar. Dihet që pas mbylljes, respektivisht pas masave të dhunshme serbe në RTP dhe në gazetën “Rilindja” u krijua një terr i madh informativ dhe u desh të dalin në sipërfaqe mediet e reja private të shkruara që, pavarësisht vështirësive të lëvizjes në terren, bënin të pamundurën për informimin sa më të saktë dhe të drejtë të opinionit vendor e ndërkombëtar për atë që po ndodhte në vendin tonë, një luftë e pabarabartë e popullit të Kosovës me regjimin kriminal serb.

Kam pasur në dorë shumë numra të gazetës “Kosova Sot”, që kanë raportuar asokohe dhe lirisht mund të them se ka qenë gazeta më aktive dhe më e guximshme në vjeljen e së vërtetës në terren dhe pasimin e saj për opinionin e gjerë publik. Duke e parë këtë qasje ndaj mënyrës së informimit pa censurë, për krimet dhe masakrat që bënte regjimi serb, ndodhi ajo që ndodhi.

Regjimi kriminal serb e mbylli një dritare të madhe të informimit duke menduar se po e shkatërronte tërësisht. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë ringjallja e pasluftës, por sidoqoftë “Kosova Sot” përsëri është në duart e lexuesit kosovar dhe po i përcjell dhe raporton zhvillimet duke ruajtur qasjen kritike, të paanshme, profesionale dhe të pavarur, duke u përpjekur që të jetë zë i qytetarit dhe problemeve me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme.

Isuf Zmajlaj, qytetar

Mediet e shkruara, që raportuan gjatë okupimit serb nga Kosova, patën një rol shumë të madh të informimit, e sidomos kjo vlen për gazetën “Kosova Sot”, që gjatë luftës së fundit ishte një dritare e informimit. Sepse, e përditshmja" Kosova Sot” ishte gazeta lidere e asaj kohe, që raportonte për gjenocidin dhe synimet e shfarosjes së shqiptarëve nga Serbia. Prandaj, si medium kjo gazetë ditore ishte bërë një pengesë e madhe për regjimin e Milosheviqit, sepse gazeta "Kosova Sot", së pari u dënua me 300 mijë marka nga pushteti, kurse më pas më 24 mars 1999, forcat serbe edhe e dogjën shtypshkronja e gazetës," Kosova Sot".

Prandaj, si gazetë ditore ”Kosova Sot”, në të gjitha periudhat e punës, ishte gazeta lidere në luftë dhe është në paqe dhe në misionin e saj për shtetndërtimin e vendit. Ndryshe, gazeta “Kosova Sot” ka dhënë një kontribut në lindjen e demokracisë dhe si e tillë ky medium ishte shumë kontributdhënës për vendin dhe të ardhmen e tij, prandaj edhe shpresoj se do të ruhet edhe më kjo traditë e saj.

Azem Gashi, qytetar

Gazeta " Kosova Sot", për vite me radhë, që nga nisma e punës, ka dhënë një kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe të huaj, se çfarë po ndodh në Kosovë. Roli i mediumit” Kosova Sot” asokohe ishte shumë i madh dhe ishte një dritare e informimit. Regjimi i Milosheviqit asokohe ndaj shqiptarëve dhe presioni që bënte e pati synim që Kosovën ta lërë edhe në një terr informativ. Sepse, ideja e Milosheviqit ishte se këto gazeta, veç informatave të përditshme, si mediumet e asaj kohe e kanë sjellë për opinionin edhe aspirata e shqiptarëve për liri e pavarësi karshi atij represioni.

Ideja e Milosheviqit ka qenë që të mbetet Kosova një vend në terrin informativ dhe që mos të ketë koordinim eventual në mes të spektrit politik dhe ushtarak të shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, në kohën e paqes ,gazeta”Kosova Sot” avancoi edhe më shumë, duke e ngritur objektivitetin dhe paanshmërinë e saj në informim, për çfarë edhe shquhet, është bërë gazetë lidere në luftë dhe në paqe .

Bahri Rashiti, qytetar

Roli i të përditshmes “ Kosova Sot”, sidomos gjatë luftës, ka qenë i madh, ngase gazeta më së miri pasqyronte informatat nga vatrat e luftës. Ky medium e njoftoi botën dhe rajonin me të bëmat e fashizmit serbë të Milosheviqit që po i bënte ndaj shqiptarëve, duke i dëbuar 1 milion shqiptarë me dhunë. Pra, ishte gazeta” Kosova Sot’, ajo që e njoftoi opinionin vendor dhe ndërkombëtar për krimet, masakrat e gjenocidin serb që po bëhej ndaj shqiptarëve.

Shkrimet mbi këto krime e masakra, që i bënte Milosheviqi, ishin pretekst që regjimi serb ta dënojë gazetën “ Kosova Sot’, fillimisht me 300 mijë marka, kurse më pas nuk vonoi shumë dhe e dogjën shtypshkronjën e ” Kosova Sot”. Ndërkohë që pas luftës gazeta e vazhdoi rrugën e informimit të drejtë e të paanshëm duke qenë pa asnjë konkurrencë një gazetë lidere në vendin tonë.

Islam Ajeti, qytetar

Gazeta “ Kosova Sot”, gjatë kohës së luftës, ishte një dritare e informimit dhe një lajmëtare e lirisë dhe demokracisë në Kosovë dhe si e tillë, ajo ka dhënë një kontribut në kohën para e gjatë luftës, në veçanti për informacionet që i bënit për të bëmat e regjimit të Milosheviqit dhe gjenocidin me dëbimin e 1 milion shqiptarëve nga Kosova.

Edhe pas luftës, gazeta” Kosova Sot”, pa asnjë hezitim, me shkrimet e drejta dhe korrekte me të madhe është duke e luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe mafinë politike. Kontributi i gazetës ”Kosova Sot” është shumë i madh, në veçanti me shkrimet në luftimin e fenomeneve negative dhe informimi i opinionit në lidhje me ngjarjet në të gjitha periudhat. Ndaj, ju përgëzoj për punën dhe kontributin tuaj dhe ju dëshiroj suksese të mëtutjeshme në informimin e drejtë të opinionit të gjerë.(Vijon)

(Kosova Sot)