Konfiskohen më shumë se 700 kilogramë heroinë në Ukrainë

  • 01 April 2019 - 11:22
Konfiskohen më shumë se 700 kilogramë heroinë në Ukrainë

Autoritetet në Ukrainë kanë njoftuar se e kanë konfiskuar një sasi të madhe të heroinës, vlera e përgjithshme e së cilës besohet të jetë rreth 60 milionë dollarë. Sasia prej më shumë se 700 kilogramëve të kësaj substance të shtrenjtë narkotike është gjetur në pjesët qendrore dhe perëndimore të Ukrainës.

Komandanti i përgjithshëm i policisë, Serhiy Knyazev, njoftoi përmes rrjetit social “Facebook” se policia i ka realizuar dy operacione në rajonin e Kievit, me ç’rast i ka konfiskuar 600 kilogramë heroinë me vlerë prej 50 milionë dollarësh. “Nuk kam parë asnjëherë një sasi kaq të madhe të heroinës”, ka shkruar ai.

Përpos kësaj sasie, policia i ka gjetur dhe i ka konfiskuar më shumë se 100 kilogramë heroinë në periferi të Kievit. Kjo sasi e drogës është gjetur brenda një veture luksoze.

Komandanti i policisë njoftoi se gjatë këtyre operacioneve janë arrestuar katër persona: një shtetas i Moldavisë, një shtetas i Turqisë dhe dy të tjerë nga Maqedonia.

Ukraina shërben si vend tranzit për trafikimin e heroinës nga Afganistani në Evropën Qendrore, kryesisht përmes Detit të Zi dhe Rusisë. Kështu thuhet në raportin e Qendrës Monitoruese Evropiane për Drogën, shkruan “Free Europe”

(Kosova Sot)