Zeqa: Në Kosovë de-fakto nuk kemi sistem të drejtësisë, por kemi sistem të organizuar të krimit

  • 01 April 2019 - 12:37
Zeqa: Në Kosovë de-fakto nuk kemi sistem të drejtësisë, por kemi sistem të organizuar të krimit

Analisti Florim Zeqa është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se humbja e besimit ndër mërgimtarë fillon nga keqpërdorimi i fondeve të luftës, ‘3 përqindëshit’ dhe huas popullore nga Qeveria e Republikës së Kosovës në ekzil (prej 1000 DM e deri në shuma më të mëdha), si dhe nga fondi tjetër i luftës, "Vendlindja Thërret", i cili hiç më pak se i pari i vjeli mërgimtarët gjatë periudhës së luftës.

“Ndihmat e pakursyera të diasporës qëllim e kishin çlirimin e vendit e jo mbushjen e xhepave të shpërdoruesve të fondeve të sipërpërmendura..., bartësit e të cilëve menjëherë pas lufte u shndërruan në milionerë e "supermenë" të politikës kosovare. Mbajtja sekret nga Prokuroria dhe Gjykata për një vit të aktakuzës për Fondin e ‘3 përqindëshit’ dhe ngritja e aktakuzës vetëm ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit e Atdhe Gashit, si dhe mosngritja paralelisht e aktakuzës edhe ndaj Fondit "Vendlindja Thërret ", flet dhe dëshmon qartë se sistemi i drejtësisë është tërësisht në duart e pushtetarëve të inkriminuar, si dhe nëntokës kriminale.

Kjo është edhe një dëshmi shtesë se Prokuroria dhe Gjyqësori janë plotësisht të kapur e të dirigjuar nga mafio-politika, të cilët rastet i trajtojnë në mënyrë selektive dhe qytetarët të pabarabartë. Për më tepër se kaq, po bindemi çdo ditë e më shumë se në Kosovë de-fakto nuk kemi sistem të drejtësisë, por kemi sistem të organizuar të krimit dhe se me këtë “sistem të drejtësisë”, pushtetarët kosovarë jo që nuk meritojnë viza, nuk meritojnë të dalin as përtej pragut të shtëpive të tyre.

(Kosova Sot)