Pse u refuzua kërkesa për pezullimin e 19 mijë e 500 pensioneve të veteranëve

  • 01 April 2019 - 15:34
Pse u refuzua kërkesa për pezullimin e 19 mijë e 500 pensioneve të veteranëve

19 mijë e 500 veteranëve në Kosovë nuk do t’u ndërpritet pensioni. Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për të bërë një gjë të tillë. Ky vendim u mor nga një gjyqtare dhe arsyetimi i saj është se prokuroria nuk e ka bërë të besueshëm propozimin e saj që të pezullohen 19 mijë e 500 pensione.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim sot për refuzimin e kërkesës për pezullimin e pensioneve të veteranëve të UÇK’së.

Javën e kaluar në këtë gjykatë u mbajt seanca ndaj 10 të akuzuarve për rastin e “veteranëve të rrejshëm”. Aty, Prokuroria Speciale e bëri kërkesën për pezullimin e pensioneve, kërkesë kjo që u kundërshtua ashpër nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve.

Enver Krasniqi, prokurori i këtij rasti arsyetoi kërkesën e tij për pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve, ku tha se si rezultat i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe po vazhdon të dëmtohet.

“Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Të akuzuar në këtë aktakuzë janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ahmet Daku dhe të tjerë. Por, për këta dy të fundit lënda u veçua pasi që nuk ishin të pranishëm në seancë gjyqësore.

Mirëpo, avokatët e të akuzuarve thanë se kjo kërkesë është e pabazuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Avokati i Agim Çekut, Ramë Gashi, e quajti të kundërligjshme kërkesën për masë e sigurisë ndaj qytetarëve dhe se prokurori nuk ka asnjë procedurë të përfunduar, “nuk ka asnjë akt përfundimtar lidhur me ndonjë akuzë dhe asnjë vendim të anuluar në asnjë procedurë ligjore të ligjeve në fuqi për asnjë nga këta persona”.

Sot, në një bisedë , avokati Gashi tregoi se arsyetimi i Gjykatës për mos pranimin e kërkesës së prokurorisë, bazohet pikërisht në pikën e lartcekur, se Prokuroria nuk ka asnjë vendim në dorë për 19 mijë veteranët, për të paktën asnjërin prej tyre që iu është anuluar e drejta e tillë.

“Prokuroria nuk e ka asnjë vendim në dorë për 19 mijë personat që së paku për njërin prej tyre, iu është anuluar e drejta e tillë, në çfarëdo procedure ligjore”, tha Gashi, duke treguar në vija të trasha për arsyetimin e Gjykatës për refuzimin e pezullimit të pensioneve.

Kështu vlerëson edhe Arianit Koci, avokati i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, në seancën ku u paraqit kjo kërkesë e Prokurorisë.

“Kërkesa për masë të sigurisë është non sens. Deri më tani nuk kemi asnjë vendim gjyqësor se ndonjëri prej 19 mijë e 500 personave që merr pension e ka marrë këtë në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria e përfaqëson shtetin e shteti del skajshmërisht jo serioz”, ka thënë Koci.

E sipas avokatit Ramë Gashi, në arsyetimin e Gjykatës thuhet se nuk janë plotësuar kushtet që të aprovohet një kërkesë e tillë e Prokurorisë për pezullimin e pensioneve.

“Prokuroria nuk e ka bërë të besueshme pretendimin e saj kur ka kërkuar masë ndaj personave të tretë, me arsyetimin se kanë kry veprën penale, në një fazë kur gjykimi nuk ka fillu ende”, tha Gashi duke cituar arsyetimin e Gjykatës.

Ai gjithashtu tha se Gjykata i ka pranuar shpjegimet e mbrojtjes që i ka dhënë në kundërshtimet e kërkesës së Prokurorisë, dhe arsyetimin ligjor që mbrojtja e ka dhënë.

Vendimin për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale lidhur me pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve, u mor nga gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj. Media ka tentuar të bisedojë me të lidhur me këtë çështje, por ajo refuzoi të flasë, duke thënë që për këtë çështje të kontaktohet zëdhënësja për media e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Edhe kjo e fundit ishte e paqasshme përmes telefonit.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Aktakuza thotë se të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit

(Kosova Sot)