Politikania akuzon Joe Bidenin për qëndrimin ndaj femrave

  • 01 April 2019 - 15:55
Politikania akuzon Joe Bidenin për qëndrimin ndaj femrave

Lucy Flores ka bërë me dije se dëshiron që Joe Biden ta ndryshojë sjelljen e tij dhe ta pranojë se, atë që kishte bërë, ishte veprim i gabueshëm. Në fillim të javës, Flores kishte akuzuar Bidenin se, në një rast, në vitin 2014, ai e kishte kapur për supesh dhe ia kishte dhënë një puthje të gjatë, të ngadalshme, në pjesën e pasme të kokës, derisa ajo ishte duke bërë kampanjë për zëvendësguvernator të Nevadës. 

E shtangur dhe tronditur

'Kjo nuk ishte hera e parë dhe nuk ishte incidenti i vetëm ku ai kishte sjellje të papërshtatshme ndaj femrave', deklaroi Flores. 'Ka dokumentacione në formë të fotove, videove, janë shkruar edhe rrëfime. Një pjesë e arsyes pse përfundimisht vendosa të thosha diçka, ishte se ato sjellje nuk ishin marrë seriozisht. Ato nuk ishin shqyrtuar nga perspektiva e femrës, në anën tjetër të asaj dinamike. Nuk mund ta marr me mend se si askush nuk doli t'i thoshte, zotëri zëvendëspresident, me gjasë duhet ta ndalni një sjellje të tillë, t'i mbani duart afër vetes".

Flores thotë se ishte shtangur dhe tronditur kur Biden ia kishte vënë duart mbi supe, iu kishte marrë erë flokëve të saj, e më pas ia kishte dhënë atë puthjen e ngadalshme dhe të fortë prapa kokës. 'Thjesht, ju nuk prisni një intimitet të tillë nga ndokush aq i pushtetshëm dhe me të cilin nuk keni kurrfarë raporti. Unë as nuk dija si të reagoja. Ndihesha e pafuqishme, sikur nuk mund të lëvizja. Nuk dija si ta përjetoja këtë". 

Biden mohon akuzat

Pak momente para se Flores të dilte në TV, Biden lëshoi një deklaratë tjetër rreth pretendimeve të saj, pasi që më parë ai kishte mohuar se i kujtohej ajo ngjarje. "Gjatë viteve të shumta të mia në kampanjë dhe në jetën publike, kam dhuruar shumë shtrëngime të dorës, përqafime, shprehje të afektit, mbështetjes dhe rehatisë dhe kurrë nuk mbaj mend të jem sjellë në mënyrë të pahijshme", thuhej në deklaratë. 'Nëse del ta kem bërë një gjë të tillë, atëherë do të dëgjoj me vëmendje. Por, kurrë nuk e kam pasur qëllimin që ta bëj ndonjë gjë të tillë". 

(Kosova Sot)