Ndryshimi i kufijve, Abazi zbulon skenarin tronditës për shkatërrimin e shtetit ballkanik dhe izolimin e shqiptarëve

  • 01 April 2019 - 17:14
Ndryshimi i kufijve, Abazi zbulon skenarin tronditës për shkatërrimin e shtetit ballkanik dhe izolimin e shqiptarëve

Dy deputetët gjermanë të Bundestagut, Peter Bauer nga CDU-ja dhe Christian Schmidt CSU-ja, gjatë vizitës së sotme në Kosovë, kanë dhënë mesazhin e qartë dhe ashpër, që Gjermania kundërshton fuqishëm idenë e presidentit, Hashim Thaçi rreth shkëmbimit të territoreve.

“Sigurisht ne biseduam edhe për proceset e ardhshme dhe për dialogun të cilin ne e mbështesim dhe mendojmë që do të zhvillohet edhe më tutje. Po ashtu kemi diskutuar edhe për temën rreth shkëmbimit të territoreve të cilën ne me të vërtetë e kundërshtojmë në çdo aspekt . Gjermani e ka qëndrimin shumë të qartë, që jemi kundër kësaj ideje. Nuk mund t’i zgjidhim problemet që i keni përmes krijimit të problemeve të reja. Dhe ai që me të vërtetë mendon se do ta zgjedhë problemin me këtë ide, atëherë duhet të jetë shumë i vetëdijshëm se po krijon probleme të reja jo vetëm për Kosovën por për rajonin në përgjithësi”, deklaruan gjatë ditës së sotme dy deputetët gjermanë.

E lidhur me këtë, për gazetën “Kosova Sot”, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi.

Ai ka thënë se Gjermania e ka kuptuar se qëllimi kryesor përmes ndryshmit të kufijve në Ballkan është shkatërrimi i Bosnje Hercegovinës dhe izolimi i shqiptarëve.

Image
Haki Abazi

“Gjermania e ka shumë të qartë që ndryshimi i kufijve është rruga për të vazhduar konfliktet në Ballkan dhe për të siguruar klasa politike e korruptuar dhe e kriminalizuar si në Serbi poashtu edhe në Kosovë. Nuk ka dyshim se Gjermania e ka kuptuar se qëllimi përfundimtar është që të shkatërrohet Bosnja dhe Hercegovina dhe te izolohen shqiptarët duke ju ndërtuar një mur Ruso-Serb”, ka thënë Abazi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, ky skenar është provuar edhe gjatë luftës së parë botërore, por që dështoi të realizohet.

“Ky skenar është provuar edhe gjatë luftës së parë botërore kur janë bërë spastrime të mëdha etnike nga zona e Nishit dhe gjatë luftës së dytë botërore ku janë vrarë me mijëra të rijnë shqiptarë dhe është terrorizuar popullata civile me qellim të spastrimit etnik dhe përzërjes për Turqi dhe tani meqë nuk është realizuar në plotësi spastrimi etnik në vitet e 90-ta po tentohet që nëpërmjet sistemit të korruptuar dhe kriminal të arrihen qëllimet që dikur deshën të i realizojnë nëpërmjet gjenocidit”.

“Natyrisht që Evropa e civilizuar dhe sidomos Gjermania nuk e ka të lehtë të pranojë këto skenarë që në përbërje thellë në substancë janë fashiste. Kjo nuk është hera e parë që janë duke bërë të qartë këtë gjë”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi.

(Kosova Sot)