Vërshimet mbysin 45 njerëz dhe shkatërrojnë më shumë se 25 mijë shtëpi

  • 01 April 2019 - 17:44
Vërshimet mbysin 45 njerëz dhe shkatërrojnë më shumë se 25 mijë shtëpi

Një organizatë bamirëse, e cila është e lidhur me autoritetet iraniane, ka njoftuar se më shumë se 25 mijë shtëpi janë shkatërruar nga vërshimet në pjesë të ndryshme të Iranit. Sipas autoriteteve, reshjet e fundit të shiut janë më të mëdhatë që janë regjistruar në dekadën e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, së paku 45 njerëz kanë vdekur që nga 19 marsi. Vërshimet i kanë goditur pjesën veriore, qendrore dhe jugore të Iranit dhe së fundi janë shpërndarë edhe në pjesët jugperëndimore dhe perëndimore.

Mijëra njerëz nga shumë fshatra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, përderisa meteorologët kanë parashikuar që të ketë reshje të mëdha të shiut edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.

Hadi Darfishi, zëvendësdrejtor i Fondacionit të Revolucionit Islamik për Strehim, i cili është një orgnaizatë bamirëse, tha se më shumë se 25 mijë shtëpi janë shkatërruar dhe më shumë se 60 mijë të tjera janë dëmtuar nga vërshimet e fundit.

Zyrtarët shtetërorë kanë premtuar që qeveria do t’i dëmshpërblejë qytetarët për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

Organizata Meteorologjike e Iranit u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i shmangin udhëtimet drejt zonave të goditura nga vërshimet dhe i ka paralajmëruar ata për mundësinë e vërshimeve në 11 krahina, përfshirë rajonin veriperëndimor.

Dëmet më të mëdha nga vërshimet janë shënuar në pjesën jugperëndimore të vendit, ku lumenjtë kanë dalur nga shtrati dhe shumë rrugë janë bërë të pakalueshme.

Autoritetet e krahinës jugperëndimore të Khuzestanit e kanë shpallur gjendjen emergjente më 31 mars dhe i kanë larguar pengesat për ta shmangur depërtimin e ujit përtej dy digave kryesore.

Zëvendësguvernatori i Lorestanit njoftoi se të paktën 25 mijë njerëz duhet të zhvendosen nga ky vend për shkak të vërshimeve, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)