Një herë Shpend Jahti, tash Shpend Dembeli

  • 02 April 2019 - 07:44
Një herë Shpend Jahti, tash Shpend Dembeli

Latifi: Po të kishte qenë pak i moralshëm,Shpend Ahmeti do të duhej të jepte dorëheqje, duke deklaruar se nuk mund ta kryejë këtë punë

 “Degradimi 100% ka ndodhur dhe po vazhdon në këto dy mandate të Shpend Ahmetit. Mua më vjen keq ta them, por prejse e ka marrë qeverisjen e Prishtinës Shpendi, këtu është katastrofë. Ai në treg dhe për tregun nuk ka bërë ama asgjë.

Është papastërti ekstreme, derisa së pakut një herë në javë do të duhej që tregu të pastrohet tërësisht, skaj më skaj. Mirëpo, këtu ndodh e kundërta, pastrohet vetëm një herë në vit. Unë po habitem se si nuk po helmohet ky popull nga disa produkte që ekspozohen rrezikshëm këtu përreth tregut përgjatë rrugës. Shpend Ahmeti përfundimisht, as në mandatin e parë dhe as në të dytin, nuk ka bërë asgjë, ai veç gënjen. Ai, pasi ka kaluar tani edhe në këtë ekipin për bisedime, dhe e ka lënë anash çështjen e kryeqytetit, është dashur që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Komunës”, thotë qytetari Sabit Salihi për “Kosova Sot”

Image

 

 

Një nga premtimet e mëdha të Shpend Ahmetit, si në mandatin e tij të parë dhe në të dytin, që vazhdon të mos realizohet, madje as të mos jetë afër fillimit, është edhe premtimi, respektivisht mashtrimi dhe gënjeshtra për rregullimin dhe sistemimin adekuat e të mirëmbajtur si duhet të tregjeve në Prishtinë, thonë qytetarët. Derisa projektet mbeten në letër, gjendja në tregjet e Prishtinës po vazhdon të jetë dita- ditës gjithnjë e më e keqe, duke u degraduar thuajse jemi në Afganistan.

Tregtarët, të cilët mbijetojnë, sigurojnë ato pak të ardhura nga shitja në treg, nuk marrin guxim të flasin, sepse rrezikohen edhe nga ndonjë reagim hakmarrës prej zyrtarëve të Komunës, mirëpo ata që e denoncojnë kryetarin Shpend Ahmeti për degradimin e tregjeve janë qytetarët, ata të cilët marrin shërbime të përditshme në tregjet e Prishtinës.

Në një gjendje tepër të rëndë është sidomos tregu tek RTK-ja dhe AKP-ja, i cili, sipas projektit të Komunës, do të duhej zhvendosur e sistemuar në një kompleks modern në hapësirat ku aktualisht është AKP-ja. Mirëpo, sipas qytetarëve, Ahmeti e ka harruar krejtësisht këtë projekt, sikurse edhe shumë projekte të tjera elektorale, që nuk po i realizon dhe ka marrë detyrë tjetër, i është bashkuar ekipit për bisedime dhe ka lënë krejtësisht në harresë problemet komunale.

Me Shpendin, degradoi gjithçka

Sipas qytetarit Sabit Salihi, gjendja në tregje nuk ka qenë e mirë edhe në të kaluarën, mandatet para Shpend Ahmetit, por degradimi 100% ka ndodhur dhe po vazhdon në këto dy mandate të Shpend Ahmetit. “Mua më vjen keq ta them, por prejse e ka marrë qeverisjen e Prishtinës Shpendi, këtu është katastrofë. Ai në treg dhe për tregun nuk ka bërë ama asgjë.

Është papastërti ekstreme, derisa së pakut një herë në javë do të duhej që tregu të pastrohet tërësisht skaj më skaj. Mirëpo, këtu ndodh e kundërta, pastrohet vetëm një herë në vit. E, kur shikohen tezgat brenda hapësirës së tregut, vetëm një rresht i tyre është në funksion, sepse menaxhimi është zero dhe mallrat e ndryshme nga tregtarët shiten jashtë tregut duke penguar edhe rrugën. Edhe kjo AKP-ja, unë nuk e di çka është duke bërë tani me këtë treg, sepse realisht shikuar, më mirë ka qenë sikur që ishte para do vitesh sesa sikur që është tani”, u shpreh ai.

“Në të kaluarën të gjitha mallrat, prodhimet e ndryshme janë ekspozuar brenda hapësirës tregtare, brenda tregut, kurse tani fare pak brenda e gjithçka shitet përjashta. Edhe djathi pranë rrugës shitet në pluhur, edhe se për këto produktet e qumështi aty në hapësirën e caktuar i ka kushtet më të mira. Mirëpo, fare pak shfrytëzohet ajo hapësirë për të shitur brenda, një apo dy individë, kurse jashtë asaj hapësire higjiena është zero”, vijoi më tej Salihi. “ Unë po habitem se si nuk po helmohet ky popull nga disa produkte që ekspozohen rrezikshëm këtu përreth tregut përgjatë rrugës.

Shpend Ahmeti përfundimisht, as në mandatin e parë dhe as në të dytin, nuk ka bërë asgjë, ai veç gënjen. Ai, pasi ka kaluar tani edhe në këtë ekipin për bisedime, dhe e ka lënë anash çështjen e kryeqytetit, është dashur që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Komunës. Ata as për bisedime nuk kanë legjitimitet, prandaj do të duhej të shkohet në zgjedhje të reja dhe të legjitimohen rishtas e vetëm pastaj kush e fiton mbi 84% të shumicës partitë në pushtet për të shkuar në bisedime me Serbinë”, tha Sabit Salihi për “Kosova Sot”.

Ky kryetar dembel duhej të dorëhiqet

Gjendje e tmerrshme është në tregun e Prishtinës, edhe sipas qytetarit Ekrem Latifi. “Po shihet gjithandej që gjendja këtu nuk është e mirë. Në treg tezgat dihet se për çka janë, janë për ata që e vendosin mallin, dhe për t’u ditur ku shitet dhe ku e gjen njeriu, konsumatori që e kërkon dhe jo kështu të zihen rrugët ku aq shimë të pengon, saqë në pikun e ditës askund normal nuk mund të lëvizësh, nuk mund të kalosh. Premtimi ka qenë për rregullimin e tregut, por nuk ka gjë prej atyre premtimeve, premtime ka gjithmonë kur janë votimet, por ato premtime asnjë nuk po i mbajnë.

Shpresa ka qenë për premtimet e ndryshimit që i ka dhënë Shpendi, por ja që nuk doli asgjë as prej premtimeve të tij. Tani që u prish edhe me ‘Vetëvendosjen’ e ka lënë interesimin për Prishtinën dhe qyteti ka mbetur batall krejt. Po të kishte qenë pak një gjykim i moralshëm, ai do të duhej të jepte dorëheqje, duke deklaruar se nuk mund ta kryejë këtë punë. E moralshme do të ishte që pasi ka vendosur të shkojë në bisedime, le të shkojë atje dhe le të zgjidhet dikush tjetër këtu që punon, ose le t’i lërë bisedimet e le të punojë këtu për ku është zgjedhur, sepse me të dyja nuk mund të shkojë përnjëherë, Prishtina vetëm po degradon”, tha Ekrem Latifi për “Kosova Sot”.

 Fjalët i mori era

Po aq i zhgënjyer është edhe qytetari Hysen Kavaja, sipas të cilit as nuk po krijohen kushte brenda për vendosjen e mallit në hapësira, por as inspektorati i Komunës nuk merret me ata që e ekspozojnë mallin në kundërshtim me rregullat e tregut.

“Mirëpo, këta që shesin këtu janë të papunë dhe duhet të mbijetojnë disi. Këso parregullsish që janë këtu nuk ka në ndonjë treg tjetër. Kam qenë edhe në Prizren, por atje ka një rregull shumë më të mirë dhe më të sistemuar sesa kemi këtu, ku nuk funksionon asgjë. Këta që janë përgjegjës për këtë punë, kryetari Shpend Ahmeti ka rrokur punë më të mëdha dhe këtë problemin e tregut e ka harruar krejt. Dy mandate ka premtuar dhe nuk ka bërë asgjë, prandaj tani kur të bëhen zgjedhjet e tjera ne si qytetar duhet të jemi shumë të kujdesshëm se çka do të mendojmë dhe cilin do ta votojmë. Shpendi, ai qyqani, tash po duket që nuk po di më se çka të bëjë, sepse i kanë dalë shumë telashe të mëdha dhe për këtë arsye secila parti po e kritikon”, tha Kavaja, sipas të cilit vetëm disa çështje për pensionistët janë rregulluar nga ana e Shpendit, por problemet e tjera të prekshme për qytetarin, punët që janë të mëdha nuk janë askund.

“Për këtë më së miri flet gjendja në treg dhe përreth tregut, pluhuri, produktet e ndryshme të ekspozuara jashtë tregut, të cilat mbulohen nga pluhuri i automjeteve që qarkullojnë dhe ne prapë jemi të detyruar të blejmë këtu. Kjo realisht nuk është menaxhim, kjo nuk është punë”, tha Hysen Kavaja. Qytetari Hajredin Limani tha se premtimet mbeten premtime në letër dhe asgjë tjetër.”Kryetari ka premtuar, porse kur do të bëhet më mirë... mendoj se ato janë fjalë. E, si duket te ne të gjitha premtimet po mbeten vetëm fjalë të mira e punët askund. E, këta kur po bëhen për të na e marrë votën po vijnë e para këmbësve po na shtrihen, flasin ëmbël e flasin mirë, por kur po e kryejnë punën më as që po na njohin”, tha Hajredin Limani.

Si nuk u vjen turp....?!

Qytetari Feti Avdili, të cilin e kemi gjetur duke blerë gjëra për konsum ditor në treg, thotë se është një pamje e turpshme për Prishtinën se si duken dhe si menaxhohen dy tregjet në brendi të qytetit, Tregu në afërsi të RTK-së dhe ai në lagjen “Ulpiana”, mirëpo gjendja më e rëndë është tek RTK-ja vetëm pak metra larg objektit të Komunës.

“Kjo gjendje, që është në këto dy tregjet tona, për mendimin tim, kështu si e shohim ne çdo ditë, është ngjashëm sikur me qenë në Afrikë, madje ndoshta edhe më keq se në Afrikë, dhe unë habitem se si nuk u vjen turp as nuk u vjen inati, që nuk ndërmarrin diçka për t’i ndrequr këto dy tregje. Sidomos ky tregu këtu në afërsi të Komunës dhe të RTK-së është në gjendje tepër të keqe, është e pakuptueshme që nuk gjenden mjete së pakut për ta rregulluar deri diku, ndoshta edhe nuk duhen aq shumë mjete që të rregullohet deri diku dhe të hiqet dhe të mos duket i gjithë ai maskarallëk që është aty. Nuk ka kuptim kështu, sepse në mes të qytetit është kjo gjendje në të cilën vazhdon të jetë tregu. Këtë kur nuk e rregullojnë këta njerëz që e udhëheqin Prishtinën, këta për mendimin tim kurrgjë nuk kanë për të vyejtur. Këta kështu sikur që po vazhdojnë nuk mund të bëjnë asgjë, nuk mund të udhëheqin shtet”, u shpreh ai.

“Tregu kaherë është dashur të rregullohet ose të hiqet krejtësisht nga ky lokacion ku gjendjet ose nëse vazhdojnë ta lënë edhe më tutje aty është dashur të investohet në rregullimin e tij. Mirëpo, mendimi im është që duhet të hiqet prej këtu, duhet të largohet në një vend më të përshtatshëm, sepse kështu si është në mes të qytetit nuk ka hapësirë aty, është tepër ngushtë dhe nuk funksionon asgjë si duhet. Aty tregtarët janë edhe në rrugë, ku dalin e shesin edhe gjëra ushqimore që janë shumë të ndjeshme dhe i ekspozohen rrezikut të prishjes fare të lehtë, sidomos prodhimet e qumështit gjë që nuk ka kuptim dhe nuk ka logjikë. Aty nuk po dihet nëse po shkon të marrësh diçka për shëndet apo po shkon të blesh helm”, theksoi Feti Avdili.

 As një kanalizim nuk e bëri dot!

Premtimet e Shpend Ahmetit dhe realizimi i tyre janë “kutia” boshe edhe sipas qytetarit Sami Bytyqi.” Premtime po të jap nëse dëshiron edhe unë sa të duash, por puna e tij po tregon ndryshe. Mua më duket, nëse nuk mashtrohem, se në mandatin e parë pati punuar pak më shumë, së pakur ashtu dukej, por në këtë mandatin e dytë Shpend Ahmeti nuk ka lëvizur fare.

Lirisht mund të themi se në këtë mandatin e dytë, deri më tani është në pikën zero...hiç...hiç nuk ka lëvizur. Unë jam nga fshati Shashkofc i komunës së Prishtinës dhe atje ka nisur një projekt të kanalizimin e na e ka lënë në gjysmë. Kur e kanë kryer deri në gjysmë, na kanë premtuar se në verën tjetër që vjen do ta kryejë dhe tash kanë kaluar dy vjet dhe nuk e kanë prekur hiç.

Gjysma e fshatit ka mbetur pa kanalizim, gjysma me kanalizim. Dhe, unë po të them se fare, ama fare nuk po punon as në qytet dhe as nëpër fshatra, por vetëm kur po bëhet puna për vota nisen e na vijnë me rend, herë njëri e herë tjetri dhe pasi t’i marrin votat më nuk të shohin as nuk të njohin”, tha Sami Bytyqi.

(Kosova Sot)