Ambasadori ua përplas për fytyre maskarallëqet pushtetarëve të korruptuar

  • 02 April 2019 - 08:00
Ambasadori ua përplas për fytyre maskarallëqet pushtetarëve të korruptuar

 Shkodra: Ndërkombëtarët po i shohin këta pushtetarë si sundimtarë të vendit

“Të gjitha këto zhvatje drakonike të parave i ka vërejtur edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, i cili hedh akuza të rënda në prani të Kadri Veselit dhe ai nuk skuqet. Fatkeqësia jonë është se kemi qeveri aq të madhe dhe korruptive, ku ka nepotizëm dhe zhvatje të vazhdueshme të buxhetit publik. Kosova dhe sovrani po degradohen dhe po varfërohen dita-ditës.

Ambasadori zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë si qytetarë dhe banorë të këtij shteti. Është koha që populli, i cili e do Kosovën, të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit dhe t’i japë goditje kësaj kaste të bandave plaçkitëse”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”

Ambasadori zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ua përplasi në fytyrë pushtetarëve akuzat gjatë përurimit të një ujësjellësi në fshatrat e Skenderajt, kur tha se nuk është normale që Qeveria e Zvicrës ta financojë një projekt të tillë, kur fare mirë mund të realizohej me paratë e kosovareve, por të cilat në të vërtetë janë vjedhur nga vetë ne, përkatësisht nga veteranët e rremë, numri i tepërt i shërbyesve civilë, zhvatjet, tenderët, monopolet etj. Sipas analistëve, ai i tha të gjitha këto në prani edhe të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, njërit prej regjisorëve e kontribuuesve më të mëdhenj të këtyre mashtrimeve.

A janë fajtorë për këto abuzime dhe zhvatje të parave e tërë klasa politike kosovare, duke filluar nga Kadri Veseli, i cili ishte prezent në këtë përurim kur ambasadori zviceran shpërtheu me këto komente, duke vazhduar me të gjithë kryeministrat e deritanishëm e deri te presidenti e kryetarë të komunave, pa dallim? Analistët përgjigjen me një PO të madhe, sepse thonë se ato projekte do të mund të realizoheshin me paratë e plaçkitura nga politikanët, veteranët dhe të tjerët. Shtrohet pyetja sa shkolla, spitale, ujësjellës, fabrika, do të ndërtoheshin me paratë që kjo klasë politike po na i vjedh që 20 vjet? Pse pikërisht për shkak të kësaj klase politike të inkriminuar Kosova po braktiset nga qytetarët e vet dhe nuk do të mund të sigurojë më asnjë njohje? Analistët thonë e Kosova nuk do të mund të bëjë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe zhvillimit ekonomik, si dhe qytetarët e Kosovës do të shihen si emigrantë potencialë dhe për pasojë liberalizimi i vizave do të jetë pothuajse i pamundshëm.

Image
Ali Hertica

Klasa politike e inkriminuar po i largon qytetarët e vet

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se e gjithë klasa politike është çelësi kryesor i të gjitha dukurive negative në shoqëri, ku janë përdorur me të madhe taksat e qytetarëve, por edhe të donatorëve të shteteve mike.

Të gjitha këto pasqyrime drakonike të zhvatjes së parave i ka vërejtur edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, i cili hedh akuza të rënda, por Kadri Veseli nuk skuqet. Fatkeqësia jonë është që kemi qeveri aq të madhe dhe korruptive, ku ka nepotizëm dhe zhvatje të vazhdueshme të buxhetit publik. Kosova dhe sovrani po degradohen dhe po varfërohen dita-ditës. Ambasadori zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë si qytetarë dhe banorë të këtij shteti.

Është koha që populli, i cili e do Kosovën, të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit dhe t’i japë goditje kësaj kaste të bandave plaçkitëse”, është shprehur analisti Hertica.“Është vërtet shqetësuese, sepse në qoftë se ndërtohet një relacion i tillë, sidomos me shtetet që janë aq të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, si SHBA-ja dhe Britania e Madhe, atëherë çfarë do të ndodhë me vendimet më të mëdha që do ta presin Kosovën në rrugën e integrimit, qoftë në BE, qoftë në NATO. Pra, pikërisht për shkak të kësaj klase politike të inkriminuar po braktiset nga qytetarët e vet dhe Kosova nuk do të mund të sigurojë më asnjë njohje”, ka theksuar Hertica.

Image
Ragip Guraziu

Analisti Ragip Guraziu thekson se krerët e institucioneve të shtetit duhet të marrin shumë seriozisht deklaratat e ambasadorit të Zvicrës, Jean-Hubert Lebet. “Seriozisht këta të pyesin veten e tyre se a u mjafton atyre vetëm 16% e besimit të mbetur për të mbajtur pushtetin, qoftë për Hashim Thaçin president, qoftë për kryeministrin Ramush Haradinaj, apo edhe për ta lënë si të tillë në funksion një sistem të degraduar të drejtësisë.

Tani nga ajo logjika ime shtrohet pyetja shumë e thjeshtë se kë e përfaqësojnë këta pushtetarë?! Ambasadori ua përplasi këto ditë për fytyre pushtetarëve dhe tha se nuk është normale që Qeveria e Zvicrës ta financojë një projekt të tillë, kur fare mirë mund të realizohej me paratë e kosovarëve, por të cilat në të vërtetë janë vjedhur nga vetë ne, përkatësisht nga veteranët e rremë, numri i tepërt i shërbyesve civilë, zhvatjet, tenderët, monopolet etj.”, është shprehur Guraziu.

Ai tutje ka shtuar: Pikërisht për shkak të kësaj klase politike të inkriminuar, Kosova po braktiset nga qytetarët e vet dhe nuk do të mund të sigurojë më asnjë njohje. Kosova nuk do të mund të bëjë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe zhvillimit ekonomik, si dhe qytetarët e Kosovës do të shihen si emigrantë potencialë dhe për pasojë liberalizimi i vizave do të jetë pothuajse i pamundshëm”, ka theksuar ai.

Image
Ridvan Emini

Analisti Ridvan Emini theksoi për “Kosova Sot” se deklarimi i ambasadorit zviceran, Jean-Hubert Lebet, ishte deklarim direkt pa kamuflime diplomatike. “Ajo çfarë tha ai është një e vërtetë e madhe, që pak shqiptarë kanë mundur ta thonë, pikërisht për shkak të etiketimit që mund ta kishin marrë apo edhe të pësojnë në ndonjë formë. E vërteta dhemb dhe sado që përpiqemi të mos e shfaqim, ajo një ditë del në shesh, gjë të cilën e bëri ambasadori e që ne nuk e bënim dot më parë”, është shprehur Emini. Lidhur me çështjen i janë dërguar pyetje edhe Qeverisë, por nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës së djeshme.

Image
Shefik Shkodra

 Shkodra: Evropianët nuk duan njerëz të korruptuar e të kriminalizuar

“Nuk është vetëm ambasadori zviceran që ua tha ndër sy, do t'ua thonë edhe shumë të tjerë. Sepse, bota po i sheh çka po bëjnë sundimtarët e këtij vendi. Ani, ai zotëria shpërndan fjalë pa 'krip', për ta larguar ambasadorin... Atë njeri të atij vendi që shqiptarët e kanë pasur si 'magje' para lufte, gjatë luftës dhe pas... Këta janë edhe që e 'hanë bukën, ta përmbysin kupën'. Deri sa të njëjtit të riciklojnë vendet në institucione, me këto veprime kurrë Kosova nuk do të përparojë. As liberalizim të vizave nuk do të ketë. Evropianët nuk duan njerëz të korruptuar e të kriminalizuar”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Shefik Shkodra

Image
Kreshnik Kokollari

Kokollari: Kjo kastë politike është e prirë të ofendojë e të shajë, vetëm për të mbrojtur krimet e veta

Analisti Kreshnik Kokollari thekson se marrëveshjet e fshehta të tenderëve shpërfaqin realitetin e hidhur tash e një kohe të gjatë, atë të krimit ekonomik.“Sot krimi është i rëndë, mashtrimi i një populli po ndodh me vjedhje dhe plaçkitje dhe pushtetarët nuk përfillin asnjë reagim qytetar.

Përçmimi i një reagimi të një ambasadori presupozon se kjo kastë politike është e prirë për të ofenduar e sharë vetëm për të mbrojtur krimet e veta të kontratave me shifra stratosforike, të asfalteve të kompensimeve të tokave të partizanëve dhe të tyre nga xhepat e qytetarëve të rraskapitur e të thinjur nga plaçkitja publike e përditshme.

Ky vend po bën regresion në vend se të kishte progres, shih çështjen e njohjeve, asnjë nuk vjen më përveç luftës së pashoq nga ana e Serbisë për shfuqizimin e shtetësisë”, është shprehur ai. Sipas tij, kjo logjikë degraduese e zbeh shpresën për progres dhe rrit ndjenjën pesimiste, andaj dhe rrjedhimisht rrit numrin para ambasadave të vendeve, të cilët kjo klasë i përbuz kurse faturat e dështimit do t'i servohen popullit përderisa nuk ka drejtësi dhe rend.

(Kosova Sot)