Pushtetarët e korruptuar duan”yndyrën” tek investimet e huaja

  • 02 April 2019 - 08:19
Pushtetarët e korruptuar duan”yndyrën” tek investimet e huaja

 Krasniqi: Ne nuk kemi arritur që të sjellim as kapitalin e diasporës shqiptare

“ Kosova, thënë ironikisht, nuk ka nevojë ta ndërrojë emrin, por politikën e saj. Investitorët së pari kërkojnë siguri, pastaj të zgjerojnë kapitalin e tyre. Pra, Kosova është ndër vendet më të pasigurta në rajon, e cila nuk u ka ofruar aspak siguri investitorëve të huaj, dhe kjo vjen si shkak i kastës së korruptuar politike. Kemi shumë raste, kur politikanë në pushtet u kanë kërkuar kompanive të huaja shuma marramendëse, nëse duan të investojnë në Kosovë, ku pastaj gradualisht kanë tentuar që të shndërrohen në hisedarë dhe haraçxhinj të tyre”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka thënë se për më pak se gjashtë muaj nga nënshkrimi i Marrëveshjes me Greqinë për emrin, kanë arritur të tërheqin mbi 600 milionë euro investime të huaja, apo katër herë më shumë se në vitin 2017, e kjo ka zvogëluar tej mase papunësinë në këtë vend. Por, Kosova po dështon përballë vendeve të rajonit për të tërhequr investitorët e huaj, dhe pushtetarët në pushtet as nuk japin përgjegjësi para qytetarëve për dështimet e tyre.

Sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, në Kosovë ka mungesë të madhe të sundimit të ligjit, për çdo investim vendor apo ndërkombëtar jepet haraç dhe nëse pushtetarët nuk kane përqindje në atë projekt, nuk ka shans që investimi të ndodhë. Sipas tyre, pushtetarët e të dyja niveleve, si në komuna ashtu edhe në institucionet qendrore, po qe se nuk kanë interes personal, po i bllokojnë projektet e qytetarëve dhe të huajve, të cilat ofrojnë mijëra vende të reja të punës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi është shprehur për gazetën ‘Kosova Sot” se stabiliteti politik i një vendi dhe kontrolli i plotë i territorit janë parakushte të domosdoshme për ardhjen e investitorëve të huaj. Sipas tij, derisa Serbia na kërcënohet përditë me luftë të re dhe na e kontrollon 1/3 e territorit, si dhe kontrollon një pjesë të deputetëve, Kosova e ka të pamundur të sjellë kompani të mëdha investuese dhe të rrisë investimet e huaja.

Image
Reshat Badallaj

 Premtimet e politikanëve dolën mashtrime të pastra

Analisti Reshat Badallaj ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se kur një qeveri apo strukturat e larta shtetërore punojnë për interesa të shtetit e jo për ekonominë e vendit apo për interesat e qytetarëve të saj, është e pamundur të mos ketë suksese, por kur vendi bie pameritueshëm në dorën e atyre kryehajnave që e kanë hajninë në gjak, nga njerëzit që formojnë rrjete dhe klane mafio-oligarkësh të kanaleve të nëntokës kriminale që punojnë për interesa të tyre personale, vendin e bëjnë katrahurë. “Për shkak të kësaj, papunësia rritet në kulm,vendi futet në mjerim dhe dëmtohet buxheti i shtetit. Pra, dua të them se kjo po ndodh mjerisht me shtetin më të ri në botë që quhet Kosovë.

Pra, Kosovën e kanë në dorë bandat dhe klanet më mafioze në Evropë, se vërtet është kështu shikoni si u kapën këta kryebanditë shkuar kryebanditëve që bënë masakër në PTK dhe Telekom. Shiko kontratat si i bënë për interesat e tyre këta kryebanditë dhe kryekriminelë, shiko se si kanë punësuar ky grup banditësh të gjithë anëtarët e familjeve. Dhe, si ka mundësi të shkojë vendi përpara, kur kryebanditët nuk punojnë për shtetin dhe qytetarët, por e shkatërrojnë deri në palcë duke vjedhur”, ka theksuar Badallaj. Sipas tij, premtimet e politikanëve dolën mashtrime të pastra. “Njerëzit e mençur dhe të dijshëm, të profesionit e çojnë vendin në binarët e duhur. Politika nuk bëhet me dajak në krah e me dallavere. Pra, kryehajnat dhe kryebanditët të marrin "YRRNEK" nga fqinjët dhe jo të vjedhin, e haram e paçin! Këta matrapazë bëjnë krim në ekonomi dhe atë, si në nivelin qendror dhe lokal.

Kanë bërë krim duke e bërë ZAP edhe sistemin gjyqësor. Sa skandale kanë ndodhur të hajnisë në dëm të vendit, skandale me përmasa evropiane dhe heshtin, bëhen të shurdhër. Shikoni bandën Devolli që mbështetet nga kryebanditët e shtetit që e kanë blerë shtetin dhe as burgosen. Populli duhet ta marrë vendin në dorë, përndryshe ky soj bandash që nga pas lufta e deri më sot, vendin janë duke e çuar në qorrsokak, sepse kryehajnat, investimeve që nuk i mjelin, yndyrën ata e vënë në dry”, theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Driton Gashi

Hisedarë e haraçxhinj

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se krahasuar jo vetëm me Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila tani ka arritur të tërheqë investimet e huaja, për shkak të ndërrimit të emrit, por edhe vendet e tjera të Ballkanit, Kosova ka qenë ndër vendet më të papërshtatshme për të tërhequr investitorët e huaj, dhe kjo ka vetëm një përgjigje- siguria.

“Prandaj, Kosova thënë ironikisht, nuk ka nevojë ta ndërrojë emrin e saj, por politikën e saj. Investitorët së pari kërkojnë siguri, pastaj të zgjerojnë kapitalin e tyre. Pra, Kosova është ndër vendet më të pasigurta në rajon, e cila nuk u ka ofruar aspak siguri investitorëve të huaj, dhe kjo vjen si shkak i kastës së korruptuar politike. Kemi shumë raste, kur politikanë në pushtet u kanë kërkuar kompanive të huaja shuma marramendëse, nëse duan të investojnë në Kosovë, ku pastaj gradualisht kanë tentuar që shndërrohen në hisedarë dhe haraçxhinj të tyre. Kjo është gjëja më e tmerrshme që i ka ndodhur shtetit të Kosovës, sepse lërë që nuk u është ofruar asgjë investitorëve të huaj, dhe nuk kanë krijuar ndonjë strategji apo platformë për të tërhequr investitorë të huaj, por e kanë bërë krejtësisht të kundërtën, i kanë larguar nga Kosova, me parakushte kriminale”, është shprehur analisti Gashi.

Sipas tij, si gjithmonë, në këtë rast, më së shumti e kanë pësuar qytetarët e Kosovës, që tani duhet të presin me vite para ambasadave të huaja, vetëm për ta siguruar një vize pune në vendet e Evropës.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Zbrazja e Kosovës po ndodh me fajin e pushtetarëve

“Kosova ka më së paku investime të huaja në këto dy dekadat e fundit. Madje, nuk kemi arritur që të sjellim kapitalin e diasporës shqiptare, kur dihet fare mirë që në dekadën e fundit bizneset shqiptare atje janë shtuar dhe kanë përparuar dukshëm.

Mungesa e investimeve të huaja në vendin tonë ndodh për disa arsye. Mungesa e sundimit të ligjit, dhe e dimë që në të kaluarën kur shumë investitorë të huaj kanë dashur të investojnë, pushtetarët tanë u kanë kërkuar haraç, nëse duan të investojnë. Këtë e kane deklaruar shumë prej tyre. Pastaj të njëjtët kanë shkuar në shtete të tjera dhe ato investime i kanë bërë atje.

Në këto vitet e fundit, Serbia është përfituesja më e madhe nga investimet e huaja, ku janë investuar me miliarda euro dhe janë krijuar me mijëra vende të reja të punës. Vlen të përmendim gjigandin gjerman për prodhimin e automobilave ‘WV’, si një nga investitorët më të mëdhenj. Askush nuk është çmendur që të investojë në një vend ku s'ke fare siguri për investime. Me një pushtet të korruptuar që me veprimet e tyre këtë vend e kanë bërë të pajetueshëm. Zbrazja e Kosovës po ndodh për fajin e tyre, dhe brenda dy-tre viteve ky vend do të ngelet pa fuqi punëtore me trendin e ikjeve në kohët e fundit”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Dardan Grapci

Grapci: Pushtetarët kërkojnë hise në projekte

“Pas këtyre deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, me siguri tani shumë analistë do të thonë: Po, Maqedonia e ka ndryshuar emrin, prandaj tani ka investime.

Nëse është çështja e emrit të Kosovës që po i pengon investitorët për të investuar, atëherë pse jo, edhe Kosova le ta ndryshojë emrin. Por, çështja e krejt kësaj nuk është emri, por janë politikanët që po udhëheqin këtë shtet thuajse për 11 vjet. Në Kosovë është e kundërta, në vend se politikanët t’i ndërpresin akuzat ndaj njëri-tjetrit dhe të luftojnë për normalizimin e ekonomisë dhe punësimit, ata çdo ditë përlahen në Parlament dhe nëpër rrugë, kurse nga zyrat e tyre i largojnë investitorët, duke u kërkuar haraç apo të jenë pjesëmarrës në projekte. Le ta marrim shembull Maqedoninë.

Ky shtet, edhe pse është pjesë e Ballkanit, ata kanë ditur si t’i tërheqin investitorët e huaj. Pse në Maqedoni ka sukses? Për shkak se Maqedonia gjithmonë u ka ofruar investitorëve kushte të volitshme për investim dhe për ndonjë truall-tokë në zonën që investitori ka kërkuar”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot”, analisti Dardan Grapci.

(Kosova Sot)