Dita Botërore e Autizmit shënohet edhe në Kosovë

  • 02 April 2019 - 08:39
Dita Botërore e Autizmit shënohet edhe në Kosovë

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Me rastin shënimit të kësaj dite në Prishtinë me moton “Të gjithë dallojmë, jo vetëm unë” do të mbahet një marsh i fëmijëve nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar, ku do të lëshohen balonat e kaltra me helium në shenjë simbolike.

Po ashtu në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë do të mbahet koncert i fëmijëve me autizëm për të shënuar këtë ditë. Ndryshe, shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill 2007 dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.    

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.

Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike.

(Kosova Sot)