Profesori ndërkombëtar ‘godet’ Thaçin: Ja tri qendrat e mëdha që kundërshtojnë projektin Thaçi-Vuçiq-Rama-Haxhiu

  • 02 April 2019 - 11:47
Profesori ndërkombëtar ‘godet’ Thaçin: Ja tri qendrat e mëdha që kundërshtojnë projektin Thaçi-Vuçiq-Rama-Haxhiu

Peter Bauer nga CDU-ja dhe Christian Schmidt CSU-ja, dy deputetët gjermanë që vizituan Kosovës, kanë ripërsëritur qëndrimin e ashpër të Gjermanisë se e kundërshtojnë idenë e presidentit, Hashim Thaçi rreth shkëmbimit të territoreve.

“Sigurisht ne biseduam edhe për proceset e ardhshme dhe për dialogun të cilin ne e mbështesim dhe mendojmë që do të zhvillohet edhe më tutje. Po ashtu kemi diskutuar edhe për temën rreth shkëmbimit të territoreve të cilën ne me të vërtetë e kundërshtojmë në çdo aspekt . Gjermani e ka qëndrimin shumë të qartë, që jemi kundër kësaj ideje. Nuk mund t’i zgjidhim problemet që i keni përmes krijimit të problemeve të reja. Dhe ai që me të vërtetë mendon se do ta zgjedhë problemin me këtë ide, atëherë duhet të jetë shumë i vetëdijshëm se po krijon probleme të reja jo vetëm për Kosovën por për rajonin në përgjithësi”, kanë deklaruar deputetët gjermanë.

E lidhur me këtë, për gazetën “Kosova Sot”, ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se Kosova është më fat që e ka Gjermaninë në krah.

Image
Enver Bytyçi

“Së pari dua të them se është fat për Kosovën dhe për shqiptarët që në këto kohë shumë të vështira na gjendet në krah vendi më i fuqishëm evropian, Republika Federale e Gjermanisë. Ajo që ve re në qëndrimin gjerman ndaj çështjes së kufijve midis Kosovës dhe Serbisë lidhet me faktin se thuajse të gjitha partitë politike parlamentare, si CDU/CSU, SPD dhe Gruene e liberalet janë kategorikisht kundër projektit serb e rus, projekt të cilin e mbështesin dhe janë angazhuar ta zbatojnë Hashim Thaçi, në Prishtinë Edi Rama në Tiranë dhe Baton Haxhiu, rezidenca e të cilit lëviz nga Beogradi në Prishtinë e në Tiranë”, thotë Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, Gjermania vazhdon të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtje të territorit të Kosovës.

“Dy përfaqësuesit e zonjës Merkel erdhën sërishmi në Prishtinë dhe u shprehën për të disatën herë se refuzojnë çdo projekt e çdo përpjekje për ndryshimin e kufijve të Kosovës përmes të ashtuquajturit shkëmbim territoresh, apo korrigjim kufiri. Kësisoj Gjermania vazhdon të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtje të territorit të Kosovës, edhe pse vetë presidenti i Kosovës është angazhuar nga pozitat antikushtetuese për tjetërsimin e territorit të vendit të tij dhe shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës. Kjo ndodh, sepse Gjermania është shtet serioz, i cili bazohet në parimet bazë të ndërtimit dhe funksionimit të shoqërisë. Prandaj qëndrimin gjerman e shoh në antitezë me moralin, perversitetin, lakminë, shërbimin prej zvarraniku që presidenti Thaçi ia bën politikës së Beogradit dhe asaj të Moskës”, shprehet Bytyçi për “Kosova Sot”.

Ai thotë se gjermanët kanë tjera koncepte, tjera parime, tjetër karakter nga ai karakter perversiteti që kanë Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu.

“Por jam i surprizuar pse Lutfi Haziri këmbëngul në qëndrimin e tij pro Thaçit. Surpriza në fakt lidhet me atë se si është e mundur që Luta nga njëra anë kandidon për kryetar të Lidhjes Demokratike dhe nga ana tjetër ai i jep Kosovës alternativën e shkëmbimit të kufijve!!! Është vërtet një konflikt serioz midis këtyre dy akteve. Një pretendent për kryetar të një forcë politike që nesër mund të vijë në pushtet do të ishte gjithashtu kryeministër i vendit. Nuk e di sesa do të donin anëtarët e LDK-së dhe qytetarët e Kosovës të kishin një lider dhe një kryeministër kopje të ideve antishqiptare të Hashim Thaçit?! Nëse Luta vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim si Thaçi në lidhje me kufijtë dhe nëse LDK-ja dëshiron ta zgjedhë atë kryetar të saj, atëherë LDK-istët është më mirë ta propozojnë e zgjedhin si kryetar të tyre origjinalin, pra Thaçin, sesa kopjen e tij, pra Lutën! Me këtë rast ia lehtësojnë Thaçit barrën, sepse në vend që ai ta krijojë një parti të re kur të ikë nga posti i presidentit, e merr të gatshme Lidhjen Demokratike të Rugovës!”, thekson më tej profesor Bytyçi.

Ai thotë se Gjermania dhe qëndrimi i saj janë dëshmi se bashkësia ndërkombëtare është kundër idesë së Vuçiqit, Thaçit dhe Ramës për ndryshimin e kufijve

“Në diskursin e Hashim Thaçit vazhdimisht dëgjojmë të thuhet se ai paska përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për ndarjen e Kosovës. Gjermania dhe qëndrimi i saj janë dëshmi se bashkësia ndërkombëtare është kundër idesë së Vuçiqit, Thaçit dhe Ramës për ndryshimin e kufijve. Po kështu dhe Londra. Ndërkaq pas vizitës së dy përfaqësuesve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve nuk është ndjerë në këtë çështjes as aleati i Thaçit në Uashington, Jon Bolton. Madje amerikanët duket se janë tërheq nga presioni për heqjen e taksës, çka do të thotë se janë rreshtuar me qëndrimin gjerman dhe britanik për mosndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë”, nënvizon për “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

Sipas profesorit, në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare precedente të tilla si iniciativa Vuçiq-Rama-Thaçi për ndryshimin e kufijve kërkojnë medoemos konsensus të Fuqive të Mëdha.

“Deri tani kemi vetëm një Rusi të interesuar plotësisht në këtë projekt, një Francë të lëkundur dhe përfundimisht tri qendra të tjera, përkatësisht Berlinin, Londrën dhe Uashingtonin, kundër kësaj ideje. Por qëndrimin gjerman, britanik dhe ndryshimin e qëndrimit amerikan e kanë ndihmuar faktorët e brendshëm. Merita kryesore shkon në adresë të Ramush Haradinajt, kryeministër i vendit. Vetëm Haradinaj mund t’ia “thyente” hundët Hashim Thaçit në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri këtë mund ta bënte me vendosmërinë e plotë vetëm Sali Berisha. Por rol pozitiv ka luajtur edhe presidenti Meta. Kadri Veseli dhe politikanë të tjerë në Kosovë, në pushtet e në opozitë, kanë gjithashtu një rol pozitiv të merituar”.

“Kjo balancë e forcave të brendshme, në shumicë dërmuese kundër idesë së Serbisë dhe Rusisë për krijimin e Serbisë së Madhe, pra kundërshtitë e brendshme e në unison, kanë bërë të dështojnë përpjekjet e Hashim Thaçit, Edi Ramës e Aleksandër Vuçiq të përkrahur nga spiunë batakçinj si Baton Haxhiu dhe nga politikanë të paqëndrueshëm si Behgjet Pacolli. Kjo balancë e qëndrimeve të brendshme në favor të integritetit territorial të Kosovës ka ndihmuar në qëndrimin e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe tani së fundmi, besoj edhe të SHBA-ve, për të mos lejuar ndryshim kufijsh në Ballkan”, shprehet Bytyçi.

Për fund, ai thotë se një rol shumë pozitiv kanë luajtur të gjitha vendet fqinj, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën e Greqinë, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

“Këto vende kanë reaguar në unison kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe ky qëndrim është lexuar në qendrat e vendosjes ndërkombëtare si sinjal i qartë për atë se çfarë pasojash do të kishte kjo, pasoja të cilat nuk kanë dashur t’i shohin e t’i njohin asnjëherë Hashim Thaçi e Edi Rama, ndonëse te kundërshtarët e tyre shohin edhe qimen në qull!”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)