Ende nuk dihet se sa zyrtarë publikë e kanë deklaruar pasurinë

  • 02 April 2019 - 13:06
Ende nuk dihet se sa zyrtarë publikë e kanë deklaruar pasurinë

Dje ka qenë dita e fundit kur zyrtarët publikë është dashur të deklarojnë pasurinë e tyre. Deklarimin e pasurisë janë të obliguar ta bëjnë 4 mijë e 839 zyrtarë.

Ata kanë pasur në dispozicion 31 ditë të plotësojnë dhe dorëzojnë formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2018 në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

E në këtë Agjenci thonë se janë duke e bërë evidentimin e të gjithë formularëve të pranuar, dhe se deri më tani, nuk e dinë numrin e zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë.

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, tha për Indeksonline se do të publikojnë të dhënat pas evidentimit të të gjithë formularëve.

“Ashtu siç jeni të informuar edhe ju me datën 01.04.2019 ka qenë afati i fundit të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik, ne jemi duke i evidentuar në listë të gjithë formularët e pranuar gjatë kësaj periudhe. Pasi që t’i evidentojmë të gjithë formularët, dhe po ashtu të presim edhe formularët përmes postës (për arsye se është e drejtë e zyrtarëve të lartë publik të dorëzojnë formularët edhe përmes postës), Agjencia do t’i publikoj të dhënat për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë publik”, tha Havolli.

Ai bëri të ditur se procedimi i të dhënave në sistem do të bëhet gjatë muajve prill dhe maj, ndërsa gjatë qershorit do të publikohen regjistrat e deklarimit të pasurisë.

Deklarimin e pasurisë janë të obliguar të bëjnë të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.

Vitin e kaluar, 86 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë, për të cilët Agjencia Kundër Korrupsionit ka ushtruar kallëzime penale për mosdeklarim.

(Kosova Sot)