Skenari i ndarjes, bisedimet Thaçi-Vuçiq në nivele sekrete

  • 02 April 2019 - 14:21
Skenari i ndarjes, bisedimet Thaçi-Vuçiq në nivele sekrete

Media austriake, "Der Standard" ka shkruar se Hashim Thaçi është nën presionin e Gjykatës Speciale, ku ka alarmuar se mes "diplomatëve prej tani është shfaqur një shqetësim, që në veriun e Kosovës po përgatitet një konflikt i armatosur, që do shtynte deri te ndarja e Kosovës”.

Sipas aalistëve, ky duket edhe një alarm i keq për Kosovën dhe dëshmi se çfarë skenari është kah e pret vendin, pasi shihet qartë se si po e rrezikon Kosovën Hashim Thaçi, vetëm e vetëm ta shpëtojë lëkurën e tij nga përballja me drejtësinë e pandikuar.

Analistët dyshojnë se Thaçi po zhvillon takime sekrete me Vuçiqin, edhe pse dialogu ka kohë që është ndërprerë.

Image
Florim Zeqa

Analisti Florim Zeqa theksoi se shkrimi i fundit në gazetën austriake, "Der Standard", ku paralajmëron për alarmin dhe shqetësimin që është shfaqur në mesin e diplomatëve perëndimorë për skenarin që po përgatitet në veriun e Kosovës, gjegjësisht për rrezikun e një konflikti të armatosur, i cili do të çonte deri te ndarja përfundimtare e Kosovës.

"Ky është një tregues tjetër akoma më i keq, se, pas ndërprerjes legale të bisedimeve të Brukselit kinse për shkak të taksës, bisedimet kanë kaluar në një dimension tjetër tepër të rrezikshëm, e që është mbajtja sekrete e takimeve në mes Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiqit, të cilat mund të prodhojnë skenar të rrezikshëm jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin", u shpreh ai.

 "Se vërtet rreziku i destabilizimit të veriut mund të jetë shumë afër, e tregon edhe paralajmërimi i AKI-së së drejtuar nga Shpend Maxhuni, dora e zgjatur e Hashim Thaçit. Fatkeqësisht, politikanët dhe liderët e kompromentuar, të korruptuar e të shantazhuar e kanë vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit", vijoi më tej Zeqa.

Sipas tij, politikanët e papërgjegjshëm, që hapin tema që rrezikojnë territorin dhe sovranitetin e shtetit, përveçse të padijshëm dhe injorantë, janë interesxhinj dhe matrapazë që luajnë bixhoz me interesat e vendit dhe qytetarëve.

"Nga soji i politikanëve që zhvillojnë negociata të pabarabarta, pa njohje të ndërsjellë, nuk mund të presësh rezultate të tjera, përveç humbjeve e dëmeve të pallogaritshme dhe të pariparueshme për vendin", ka thënë Florim Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)