Babë e bir dënohen me mbi 27 vjet burgim për vrasjen e trefishtë në Prizren

  • 02 April 2019 - 14:41
Babë e bir dënohen me mbi 27 vjet burgim për vrasjen e trefishtë në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit, e ka dënuar me 23 vjet burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, Eshref Shemallarin, pasi për herë të dytë është shpallur fajtor për vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaqit dhe Bilgin Ersojit.

Për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale, djali i tij Ejup Shemallari, është dënuar me 4 vjet e 5 muaj burgim.

Aktgjykimin ndaj tyre e ka shpallur gjykatësi, Xheladin Osmani, në seancën e së martës, i cili ka thënë se ka marr për bazë vërejtjet e Gjykatës së Apelit.

Ejup Shemallari akuzohej se edhe për bashkëkryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, mirëpo për to kishte hequr dorë nga ndjekja penale Prokuroria Themelore në Prizren, më 29 shtator 2017.

Po ashtu, ndaj Eshref Shemallarit është shqiptuar dënim prej 700 euro, ndërsa Ejup Shemallari, është dënuar me 500 euro.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren, më 2 tetor 2017, Eshref Shemallarin e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me 23 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe dy vjet për armëmbajtje pa leje, ndërsa si dënim unik ia ka shqiptuar 24 vjet burgim.

Ndërsa, djali i tij, Ejup Shemallari, ishte dënuar me 4 vjet e 5 muaj burgim për ndihmën e dhënë babait pas kryerjes së veprës penale.

Mirëpo, për këtë vendim, Gjykata e shkallës së dytë, kishte gjetur vërejtje, dhe si të tillë, më 6 mars 2018, ka marr vendim që rasti përkatës të kthehet në rivendosje.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, ngritur më 29 janar 2016, e cila në fillim i ngarkonte të akuzuarit Eshref dhe Ejup Shemallarin se në vitin 2015, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa tani, të akuzuarin Ejup e ngarkon vetëm se i ka ndihmuar babait të tij, në kryerjen e veprës penale.

Sipas organit të akuzës, Eshref Shemallari, pas një historie të gjatë konflikti, në mars 2015, kishte qëlluar për vdekje, me armë gjysmë-automatike dhe pistoletë, viktimat Ferdi Shishkos, Haki Thaqit dhe Bilgin Ersojit.

Ndërsa, Ejup Shemallari akuzohet se i ka ndihmuar babait të tij, për të kryer krimin, duke e vozitur automjetin në bagazhin e të cilit gjendej automatiku dhe se pas kryerjes së krimit e ka larguar babanë e tij në drejtim të panjohur.

(Kosova Sot)