Punësimet familjare, Krasniqi tregon zgjidhjen: Vetëm kështu ndalen këta...

  • 02 prill 2019 - 15:53
Punësimet familjare, Krasniqi tregon zgjidhjen: Vetëm kështu ndalen këta...

Punësimet familjare dhe militantëve partiakë kanë shpërthyer këto javëve të fundit. Pothuajse çdo ditë raportohet për qindra të punësuar nga partitë politikë që janë në pushtet, duke përfshirë PDK-në, AAK-në, NISMA-në e PSD-në, e cila këmbëngulë se është në opozitë, edhe pse me votat e saj kjo Qeveri po qëndron në pushtet.

Sipas analistëve politikë, partitë në pushtet po e shfrytëzojnë pushtetin për t'i rehatuar militantët e tyre, e në vend se të punojnë për shtet ndërtimin e vendit.

Analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot” është shprehur se ky fenomen është që nga pas lufta, ku Partia Demokratike e Kosovës është ‘bajraktari’.

“Punësimet familjare dhe të militantëve është fenomen që ekziston që prej përfundimit të luftës në Kosovë. Çdo parti që ka shijuar pushtetin ka bërë punësime të tilla. PDK-ja prinë me këto punësime”, ka deklaruar Krasniqi për “Kosova Sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi më tej, krejt këtë e cilëson si shkas kryesor se pse të rinjtë po ikin nga ky vend, ku pushteti është i padrejtë për qytetarët.

“Kjo Qeveri po i bën disi më hapur dhe po e sheh si diçka normale. Këto punësime kanë irrituar qytetarët e këtij vendi që Kosovën po e braktisin më të madhe, për shkak të mungesës së perspektivës dhe shkatërrimit të së ardhmes”, tha ai.

“Zgjedhjet janë opsion në çdo kohë në Kosovë, sepse kemi të bëjmë kryesisht me parti politike që shtetin e konsiderojnë si lopën që duhet mjelur. Por, harrojnë që edhe ajo një ditë do të shterret. Kemi të bëjmë me një mendësi provinciale, nga një klasë politike çobanësh dhe cubash”, është shprehur Krasniqi.

E për këtë si zgjidhje kryesore, Krasniqi e sheh që qytetarët nuk duhet t’i votojnë më, thjeshtë duhet të mundohen t’i rrëzojnë nga pushteti përndryshe rrezikohet popullata e Kosovës.

“Zgjedhjet do të ishin zgjidhje nëse qytetarët vetëdijesohen dhe nuk i votojnë me kurrë këta hajna që shkatërruan të ardhmen e shumë brezave, por t'i japin mundësinë partive dhe njerëzve që kurrë s'kanë qenë në pushtet. Sa më shpejtë aq më mirë, përndryshe ky vend të rrezikohet të braktiset nga shumica e popullatës vitale!”, ka përfunduar Krasniqi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)