Ish mjeku i UÇK-së që u përball me Millosheviqin: Për mua nuk është trim Ramush Haradinaj, por ai...

  • 02 April 2019 - 16:30
Ish mjeku i UÇK-së që u përball me Millosheviqin: Për mua nuk është trim Ramush Haradinaj, por ai...

Liri Loshi, ish mjek i UÇK-së gjatë luftës, dhe njeriu që ishte si dëshmitarë në Hagë, për masakrën në Izbicë, kundër kriminelit Millosheviq, përmes një postimi në facebook, ka komentuar deklaratat e sotme të Ramush Haradinajt dhe Shkumbin Demalijajt për punësimet familjare.

Ai shkruan se Demalijaj tregon gjendjen reale që po e përjeton qytetari i Kosovës tash e njëzet vjet.

Postimi i plotë nga Liri Loshi:

E si të mos shkruaj unë tash?! Gazetarja e pyet kryeministrin se a distancohet prej deklaratës së deputetit të AAK-së, ku ai paska thënë se dëshiron që vetëm anëtarët e partisë së tij t’i shohë të jenë punësuar dhe ky e genjen së pari veten, pastaj gazetaren dhe krejt opinionin se gjoja distancohet prej tij, meqë me fjalinë pasuese ai e mbron deputetin duke thënë se “nuk di çfarë paska thënë ai, se as ai (deputeti SHD) nuk mendon ashtu!”

Së pari ne jemi që njëzet vjet me këtë klasë politike dhe e dimë për secilin çfarë mendon dhe çfarë mentaliteti ka. Deputeti i Aleancës duhet përshëndetur për deklaratën e tij, sepse është nga deklaratat më të sakta dhe më të sinqerta që një politikan e ka thënë ndonjëherë në Kosovë këto njëzet vitet e fundit. Ai ka treguar çfarë mendon vetë, çfarë mendon lideri i tij dhe çfarë mendon secili lider i secilës parti politike. Nëse ka një përjashtim, ai është Albin Kurti. Askush tjetër.

Pse duhet linçuar tash një deputet që ua hapë sytë qytetarëve duke treguar gjendjen reale që po e përjeton qytetari i Kosovës tash e njëzet vjet?! Për mua trim nuk është ai që e maskon të vërtetën, siç bëri Ramush Haradinaj, por ai që e shpalos të vërtetën, siç bëri deputeti Shkumbin Demalijaj. Diagnozat e sakta janë pikënisje që më shumë se gjithçka tjetër garantojnë trajtimin dhe menaxhimin e suksesshëm të një gjendje patologjike. Dhe, këtë diagnozë, në mënyrën më pragmatike dhe autentike na e ka dhënë deputeti i AAK-së. Diplomacia hipokrite e Ramush Haradinajt përmes secilës ai e mbulon plehun që të mos i ndihet era, tregon se ai nuk e ka vullnetin as gatishmërinë elementare për t’u marrë me adresimin e problemeve që i ka shkaktuar shoqërisë qeveria e tij, por jo më pak as më shumë se çdo qeveri tjetër para saj.

Një person që vepron publikisht, nuk kemi nevojë ta pyesim se çfarë mendon, sepse veprimet që ai bën janë indikatori më i mirë i cilësisë së mendimeve të tij. Ne e dimë çfarë këta mendojnë, sepse as ne vetë nuk jemi larg mendimeve të tyre. Për ta dëshmuar të kundërtën, as neve nuk na duhet fjala, hipokrizia e demagogjia, por vepra dhe vendosmëria në momentet kur gjendemi para kutive të votimit. Për t’iu shmangur vetëvrasjes politike nevojitet vetëdije e re politike. Ndryshe, secili njeri në Kosovë, dikush sot e dikush më vonë do të jetë i deshtuar.

(Kosova Sot)