Puna e zbehtë e Shpend Ahmetit – opozita thotë se negociatorit s’po i intereson më kryeqyeti

  • 02 April 2019 - 16:58
Puna e zbehtë e Shpend Ahmetit – opozita thotë se negociatorit s’po i intereson më kryeqyeti

Qeverisja e Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës po kritikohet vazhdimisht si nga qytetarët, ashtu edhe nga opozita në asamblenë komunale. Kritikat ndaj Ahmetit janë shtuar sidomos pas kohës kur ai ka zgjedhur të bëhet pjesë e Ekipit negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë. Madje, dikur bashkëpartiakët e Ahmetit në partinë Vetëvendosje, po e quajnë atë “negociator”. Për qeverisjen e Ahmetit, kritika kanë tri partitë opozitare, LDK’ja, PDK’ja dhe VV’ja, të cilët thonë se tashmë është kuptuar se atij më nuk po i intereson Prishtina dhe qytetarët e saj.

Ishte hera e parë që Vetëvendosja si parti po merrte pushtetin në ndonjë komunë të Kosovës. Prishtina ishte qyteti ku VV’ja me kandidatin, Shpend Ahmetin triumfoi kundër Isa Mustafës së LDK’së.

Ahmeti kishte prezantuar një vizion të ri për Prishtinë, ku përmes një qasje të re në politikë kishte rritur popullaritetin e tij. Ai kishte paraqitur një plan 12-pikësh, të cilin synonte ta zbatonte gjatë mandatit të tij katër vjeçar si kryetar i Komunës së Prishtinës.

Gjatë mandatit të tij të parë, Ahmeti shpesh herë është ankuar se partitë opozitare LDK’ja dhe PDK’ja po e pengonin në kryerjen e punëve të cilat i synonte.

Megjithatë, ai kishte vendosur që të garonte për një mandat të dytë në Prishtinë, ku edhe fitoi me rezultat të ngushtë kundër kandidatit të LDK’së, Arban Abrashit.

Rreth 300 vota diferencë ishte fitorja e Ahmetit ndaj Abrashit në mandatin e tij të dytë, e cila la të kuptohet se qytetarët nuk ishin edhe fort të kënaqur nga qeverisja e tij e parë me kryeqytetin.

Pasi e mori mandatin, Ahmeti u nda nga partia që e bëri fitues, Vetëvendosja. Ai kaloi në Partinë Socialdemokrate, bashkë me shumë të tjerë anëtarë të VV’së.

Por lëvizjet e Ahmetit në politikë nuk u ndalën me kaq. Të qenit kryetar i kryeqytetit të Kosovës duket se nuk i mjaftoi atij. Në dhjetor të vitit 2018, ai u mandatua nga Kuvendi i Kosovës si bashkënegociator për bisedimet e Kosovës me Serbinë.

E zgjedhja e Ahmetit si bashkënegociator bëri që opozita në Komunën e Prishtinës të reagojë dhe të kërkojë shkarkimin e tij nga pozita e të parit të kryeqytetit. Sipas tyre, qytetarët nuk e votuan për bisedimet me Serbinë, por për të përmirësuar gjendjen e kryeqytetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Opozita me shumë kritika ndaj Shpend Ahmetit

Eman Rrahmani, asamblist i VV’së në Komunën e Prishtinës, ka thënë se derisa Ahmeti ishte në Vetëvendosje kishte hequr dorë edhe nga Universiteti, vetëm të ishte pranë qytetarëve të Prishtinës, por me largimin e tij nga kjo parti, i janë larguar edhe parimet.

Madje Rrahmani e krahason Ahmetin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, pasi siç thotë ai, ambiciet e sëmura që i ka tani Ahmeti, i ka pasur vetëm Thaçi që prej aktivizimit të tij në politikë.

“Me këto ambicie Shpendi dëshiron në çdo mënyrë ti shërbejë këtij regjimi, në mënyrë që regjimi ta ndihmojë në kapjen e Prishtinës. Tashmë është kuptuar që Shpend Ahmetit nuk i intereson Prishtina e qytetarët e Prishtinës, e nuk i intereson as Kosova e qytetarët e saj.  Sa ishte në Vetëvendosje, duke dashur tu shërbej qytetarëve të Prishtinës hoqi dorë nga Universiteti që të jetë më afër qytetarëve, të kryej me përgjegjësi punën si kryetar. Me largimin nga Vetëvendosje u larguan edhe parimet, ai tashmë e ka dëshmuar se është bërë pjesë e ambicieve të sëmura personale për pushtet politik e ekonomik. Tashmë është bërë kryetar i një partie, është bërë pjesë e delegacionit të bisedimeve me Serbinë. Këto ambicie të sëmura i ka pas vetëm Hashim Thaçi që prej aktivizimit të tij politik”, thotë Rrahmani.

Rrahmani thotë se për shkak të këtyre ambicieve të Ahmetit, qytetari i Prishtinës është ai që po i vuan pasojat, pasi sipas tij kryeqyteti është në kolaps. Sipas tij, kjo rrugë nëpër të cilën ka hyrë Ahmeti, duket se po shkon drejt fundit politik.

“Asnjë projekt kapital i investuar në vitin 2018, nuk ka arrit madje as bartjen e vitit 2017 të shpenzoi. Po përmendi vetëm disa projekte të cilat besoj të gjithë i dinë: katër parqe të premtuara, zero te realizuara, katër çerdhe të premtuara, zero të realizuara, 5 shkolla të premtuara, zero te realizuara, 250 banesa për të pastrehët, zero te realizuara, parkingu nëntokësor te biblioteka kombëtare, ende nuk ka filluar, parkingje në hyrje të qytetit, zero te realizuara”, thotë Rrahmani.

E qëndrim pothuajse të njëjtë ka edhe asamblistja në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK’së, Jeta Rafuna.

Rafuna thotë se qeverisja e Ahmetit, posaçërisht gjatë vitit 2018 ka treguar se është qeverisja më e dobët e Prishtinës.

“Fakti i mosrealizimit të buxhetit për vitin 2018 dhe bartja e buxhetit rreth 24 milionë për vitin 2019 tregon për këtë keq qeverisje dhe mos vullnet e gatishmëri të Kryetarit për punë në Komunë ku ja kanë besuar qytetarët e ku ai tani më ka zgjedhur të merret me punë nacionale si negociator në Dialog e në anën tjetër Prishtina është ne kaos trafiku, me rrugë me gropa, pa shkolla të mjaftueshme, pa çerdhe publike. Mos realizim i investimeve kapitale dhe bartja e buxhetit në vlerë të madhe milionëshe nuk konceptohet në asnjë logjikë. Për faktin është edhe më e çuditshme, sepse transparenca e tyre mbetët dështim”, thotë Rafuna.

Ndërkaq as PDK’ja nuk është e kënaqur me qeverisjen Komunës së Prishtinës nga Shpend Ahmeti.

Leutrim Retkoceri, këshilltar politik nga radhët e PDK’së në Prishtinë thotë se Ahmeti po e udhëheq zbehtë kryeqytetin.

Retkoceri thotë se Ahmeti nuk është zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës për ta udhëhequr Dialogun, por për t’i zgjidhur problemet e shumta të prishtinasve.

“Qeverisja Komunale e Shpend Ahmetit është duke udhëhequr zbehtë me Prishtinën. Puna e zbehtë e qeverisjes lokale në Prishtinë po vërehet në çdo cep të qytetit dhe, në Kuvendin Komunal, nga fillimi i vitit 2019, janë thirrur vetëm tri seanca, e që janë shumë pak karshi punëve, kërkesave dhe nevojave të shumta që kanë qytetarët e Prishtinës.  Për me tepër, as në këto pak seanca nuk po merr pjesë Shpend Ahmeti”, thotë Retkoceri.

Retkoceri po ashtu thotë se Ahmeti duhet ta dëshmojë nëse Prishtina dhe qytetarët e saj janë të rëndësishëm për të, e këtë duhet ta bëjë me punë konkrete dhe jo me fjalë boshe e ikje nga përgjegjësia.

Shpend Ahmeti i realizoi vetëm 10 nga 81 premtimet e fushatës

Ndaj qeverisjes së Ahmetit në Komunën e Prishtinës, nuk ka kritika vetëm opozita. Instituti GAP kishte publikuar përmbushjen e premtimeve nga Ahmeti, të cilat i kishte premtuar gjatë fushatër elektorale të zgjedhve të vitit 2017.

Nga 81 premtime të bëra gjatë fushatës, Ahmeti gjatë vitit 2017 kishte realizuar vetëm 6 sosh plotësisht, 3 premtime ishin gjysmë të përfunduara, 23 sosh të filluara dhe 49 tjera që ende s’ka filluar të punojë në to.

Ndërkaq GAP’i ka publikuar edhe premtimet të cilat nuk u përmbushën gjatë vitit 2018 nga kryetari Ahmeti.

Sipas këtij instituti, në vitin e dytë të mandatit Ahmeti ka përmbushur vetëm 10 prej premtimeve, 2 ishin gjysmë të përmbushura, 30 të filluara, ndërkaq 39 të tjera nuk kanë filluar ende.

(Kosova Sot)