Hisedarë e haraçxhinj

  • 02 April 2019 - 17:36
Hisedarë e haraçxhinj

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka thënë se për më pak se gjashtë muaj nga nënshkrimi i Marrëveshjes me Greqinë për emrin, kanë arritur të tërheqin mbi 600 milionë euro investime të huaja, apo katër herë më shumë se në vitin 2017, e kjo ka zvogëluar tej mase papunësinë në këtë vend.

Por, Kosova po dështon përballë vendeve të rajonit për të tërhequr investitorët e huaj, dhe pushtetarët në pushtet as nuk japin përgjegjësi para qytetarëve për dështimet e tyre.

Sipas analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, në Kosovë ka mungesë të madhe të sundimit të ligjit, për çdo investim vendor apo ndërkombëtar jepet haraç dhe nëse pushtetarët nuk kane përqindje në atë projekt, nuk ka shans që investimi të ndodhë.

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën "Kosova Sot" se krahasuar jo vetëm me Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila tani ka arritur të tërheqë investimet e huaja, për shkak të ndërrimit të emrit, por edhe vendet e tjera të Ballkanit, Kosova ka qenë ndër vendet më të papërshtatshme për të tërhequr investitorët e huaj, dhe kjo ka vetëm një përgjigje- siguria.

Image
Driton Gashi

"Prandaj, Kosova thënë ironikisht, nuk ka nevojë ta ndërrojë emrin e saj, por politikën e saj. Investitorët së pari kërkojnë siguri, pastaj të zgjerojnë kapitalin e tyre. Pra, Kosova është ndër vendet më të pasigurta në rajon, e cila nuk u ka ofruar aspak siguri investitorëve të huaj, dhe kjo vjen si shkak i kastës së korruptuar politike. Kemi shumë raste, kur politikanë në pushtet u kanë kërkuar kompanive të huaja shuma marramendëse, nëse duan të investojnë në Kosovë, ku pastaj gradualisht kanë tentuar që shndërrohen në hisedarë dhe haraçxhinj të tyre. Kjo është gjëja më e tmerrshme që i ka ndodhur shtetit të Kosovës, sepse lërë që nuk u është ofruar asgjë investitorëve të huaj, dhe nuk kanë krijuar ndonjë strategji apo platformë për të tërhequr investitorë të huaj, por e kanë bërë krejtësisht të kundërtën, i kanë larguar nga Kosova, me parakushte kriminale", është shprehur analisti Gashi.

 Sipas tij, si gjithmonë, në këtë rast, më së shumti e kanë pësuar qytetarët e Kosovës, që tani duhet të presin me vite para ambasadave të huaja, vetëm për ta siguruar një vize pune në vendet e Evropës.

(Kosova Sot)