E njeh kriminelin në saunë, e arreston 'cullak'

  • 02 April 2019 - 19:24
E njeh kriminelin në saunë, e arreston 'cullak'

Një oficer i policisë ka marrë shumë lëvdata pasi që kishte ruajtur gjakftohtësinë në një situatë të ”nxehtë”.

Ai kapi një kriminel të kërkuar për një kohë të gjatë në një saunë, derisa ishin të dy të zhveshur.

Ngjarja e pazakontë ndodhi në distriktin Rinkeby të Stokholmit, në Suedi.

Oficeri kishte rastisur në saunë të premten në të njëjtën kohë me kriminelin. I pandehuri në fjalë ishte i kërkuar për sulme ndaj një personi dhe trafikim të drogës, shkruan Fox News.

Edhe përkundër avullit të madh, oficeri kishte njohur kriminelin dhe e kreu arrestimin.

“Për rastësi, dhe në mënyrë qesharake, ata të dy njohën njëri-tjetrin në saunë. Është e lehtë që të merrni një aksion të tillë nëse jeni me kolegë, dhe keni pajisjet me vete. Por të reagosh në këtë mënyrë i zhveshur është e paprecendentë”, thotë Christoffer Bohman, zëvendësshef i policisë në Stokholm. 

Faqja zyrtare e policisë suedeze në Facebook përdori sarkazmën në një postim të fundit rreth rastit.

“Ne jemi kudo. Edhe kur ju nuk na shihni, ne jemi aty”, shkruhej në postim. 

(Kosova Sot)