Analisti nga SHBA: Pushtetarët në frikë nga Specialja, e kanë vënë në pazar Republikën

  • 02 April 2019 - 19:26
Analisti nga SHBA: Pushtetarët në frikë nga Specialja, e kanë vënë në pazar Republikën

Analisti Ramiz Bojaj shprehet se spektri politik në Kosovë është i kalbur dhe si i tillë, taktizon metoda, hapë tema të reja me rrezik të shkallës së lartë, cenon edhe rendin publik, juridik e kushtetues, vetëm e vetëm të shpëtojnë nga llogaridhënia për akuzat nga llojet më të ndryshme rreth veprimeve të tyre kriminale.

"Kjo klasë politike tejet e shantazhuar dhe me litarin në fyt nga Gjykata Speciale, ka vënë në pazar Republikën dhe shtetin. Në këtë kontekst ka rrjedhur edhe iniciativa e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për ndryshim e shkëmbim kufijsh me Serbinë, plan i vjetër serb i projektuar në ASHAS, (Akademia serbe e shkencave), e zyrtarizuar nga grupet çetnike milosheviqiane, të cilat aktualisht janë në pushtet në Serbi. Ashtu siç ka nënvizuar edhe media austriake, "Der Standard", se 'Hashim Thaçi është nën presionin e Gjykatës Speciale', kjo është shumë e vërtetë, sepse e gjithë bota e di pozitën e presidentit tonë dhe të gjithë spektrit politik këtu: abuzim me pushtetin, me paranë publike, me drejtësinë, policinë, sigurinë.... e së fundi abuzim edhe me shtetin, sovranitetin, Kushtetutën, tërësinë territoriale....", u shpreh ai.

Image
Ramiz Bojaj

"Ky është alarm për popullin, por edhe për faktorin ndërkombëtar, se bandat kriminale në pushtet, 'ziejnë' skenarë e plane nga më të ndryshmet, për të hapur tema turbulluese, shqetësuese e dramatike, si sinjal se nëse kapen hajnat e mëdhenj, Kosova mund të futet në konflikte të ndryshme destabilizuese. Ju mund t'i shihni qëndrimet e ministrave e zyrtarëve tanë rreth deklaratave të fundit të ambasadorëve të shteteve mike, të cilët kërkojnë ndaljen e falsifikimeve me veteranët e rrejshëm, ndaljen e krimit të organizuar banditesk e korrupsionit..... të cilët kërkuan edhe largimin e ambasadorëve miq nga Kosova! Kjo tregon se pushtetarët e majmur nga hajdutëria e tyre, nuk duan rend as rregull, drejtësi as ligj këtu, por duan të flenë të qetë nën vjedhje e krim", vijoi më tej Bojaj.

"Ikja masive e qytetarëve është, po ashtu, protestë ndaj sundimit të bandave oligarko-mafioze, por kjo dukuri nuk alarmon askënd në pushtet. Duket se sunduesit tanë i alarmon vetëm e vërteta dhe drejtësia. Republika e Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial, rendi juridik e kushtetues, janë të brishtë, kur dihet se njeriu kryesor në krye të AKI-së,Shpend Maxhuni, është pion dhe dorë e zgjatur e presidentit Thaçi, i cili mund ta kthejë ujin në bazë të interesave të grupeve të forta pushtetare, duke rrezikuar edhe paqen dhe stabilitetin këtu. Sinjalet kërcënuese për Kosovën, vijnë të koordinuara nga sunduesit e krimbur në Prishtinë e Beograd, duke bërë presion për realizimin e planit serb për shkëmbim territoresh, dhe mbylljen e dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia", potencoi ai.

"Ky është pazar i rëndë në kurriz të shtetit të Kosovës, në mënyrë që Serbia dhe Hashim Thaçi të dalin 'faqebardhë' nga akuzat e luftës e të pasluftës. Nuk është i rastësishëm bashkimi - 'strumbullari' i grupeve të shantazhuara e me akuza të rënda në qafë, i njerëzve kryesorë në piramidën e pushtetit të Kosovës, duke përfshirë edhe AKI-në. I gjithë ky angazhim ka për qëllim realizimin e planeve serbomëdha për degradimin shtetëror të Kosovës, të koordinuara me bandat mafioze në vendin tonë e që dërgojnë sinjale destabilizuese për akte e veprime të dhunshme. Kosova është në rrezik e hall të madh me bandat dhe kapësit e shtetit", vlerësoi analisti Ramiz Bojaj për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)