Çmimi global i naftës, në nivelin më të lartë

  • 02 April 2019 - 21:13
Çmimi global i naftës, në nivelin më të lartë

Çmimet e naftës bruto kanë arritur nivelin më të lartë të vitit 2019, gjë e cila në masë të madhe vjen nga mungesat e naftës nga Venezuela, Irani dhe shtetet e OPEC-ut si dhe nga ulja e prodhimit në SHBA.

Nafta e papërpunuar Brent ka arritur çmimin prej 69,76 dollarë për fuçi, ndërsa marka amerikane West Texas Intermediate (WTI) shitet me 62 dollarë.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi Iranin dhe Venezuelën kanë prekur ndjeshëm nivelet e prodhimit të naftës, pasi sipas vlerësimeve që ka bërë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (EIA) prodhimi iranian do të bjerë në 2,65 milionë fuçi në ditë nga 3,85 milionë që ishte vitin e kaluar.

Edhe prodhimi i naftës në Venezuelë parashikohet të ulet me 750 000 fuçi në ditë, më saktësisht 1,31 milionë fuçi në ditë.

Ngadalësimi i ritmit në industrinë e shistit argjilor në SHBA është një nga shkaktarët për rritjen e çmimeve të naftës.

Të dhënat e EIA-së flasin për një rënie me 90 000 fuçi në ditë të prodhimit të naftës nga shisti argjilor.

Anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe disa vende aleate joanëtare, gjatë takimit të OPEC-ut në Vjenë që u mbajt në dhjetor, vendosën të reduktojnë prodhimin ditor të naftës për të balancuar tregun global të naftës.

Vendimi për të reduktuar prodhimin ditor të naftës filloi të zbatohet në janar, dhe do të zbatohet në gjashtë muajt vijues.

(Kosova Sot)