“Kosova Sot” ka shkruar historinë e saj me informim titanik

  • 03 April 2019 - 08:32
“Kosova Sot” ka shkruar historinë e saj me informim titanik

Rakaqi: “Kosova Sot” ishte halë në sy të regjimit të atëhershëm të kriminelit të Ballkanit, Milosheviqit

Përfaqësues nga jeta arsimore, kulturore, fetare, politike, dhe qytetarë, lexues të devotshëm të gazetës “Kosova Sot”, theksojnë se, në saje të punës së rëndë, që e bëri në kohën e luftës, kjo gazetë e ka shkruar historinë e saj me informimin titanik, duke u bërë mediumi më i guximshëm si në kohën e luftës ashtu edhe në paqe. Sipas tyre,”Kosova Sot”, edhe pas luftës, vazhdoi me informimin dhe mbeti gazeta më objektive, më realiste, në luftimin e dukurive negative që dolën në shesh pas lufte në Kosovë dhe u bë gazeta lidere në vend

Xhabir Hamiti, ligjërues në Katedrën e Fakultetit te Studimeve Islame

Nga zemra thellë ju përgëzoj për kontributin e gazetës “Kosova Sot”, si para dhe gjatë luftës, por edhe pas luftës, sepse jeni mediumi që në veçanti e ruajti dhe e ngjalli shpresën tek qytetarët, se këtu do të vjen liria së shpejti. Gazeta solli lajme para opinionit vendor e ndërkombëtar për të bëmat e regjimit famëkeq të Sllobodan Milosheviqit, që asokohe kishte dëbuar 1 milion shqiptarë nga Kosova.

Ndaj nuk ishte e rastësishme që Serbia e Milosheviqit e dënoi gazetën tuaj me 300 mijë marka, kurse më pas edhe e dogji shtypshkronjën e gazetës. Por, gazeta “Kosova Sot” vazhdoi me kontributin e saj edhe pas luftës dhe është dalluar nga gazetat e tjera me shkrimet e saja në luftën ndaj të këqijave në Kosovën e pasluftës kundër krimit të organizuar korrupsionit dhe hajnive, duke e ruajtur statusin e mediumit më të lexuar.

Agim Rexhepi, themelues dhe kryesues i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”

Edhe për atë kohë, por edhe tani, mediumi informativ “Kosova Sot” ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, sepse duke ditur që ka qenë një terr informativ, duke ditur që institucionet shtetërore serbe i patën mbyllura të gjitha mediumet, qofshin të shkruara apo elektronike, atëherë roli i gazetës “Kosova Sot” qe ngritur për shkak të raportimit nga zonat e luftës.

Me siguri që kjo konsistencë në informim të drejtë ishte një fakt dhe një element që ndikoi në reagimin e regjimit serb dhe “Kosova Sot” si medium i kohës të ndëshkohej fillimisht dhe më pastaj të rrënohej e të digjej komplet si objekt, sepse regjimi po tentonte të mbyllte të vetmen shpresë të qytetarëve për të raportuar nga zonat e luftës. Është e vërtetë që “Kosova Sot” depërtonte shumë më lehtë në të gjitha zonat e luftës, edhe në ato më të rrezikshme, sepse i kishte korrespondentët gjithandej, por e kishin edhe vullnetin.

Shefqet Vatovci, qytetar nga Prishtina

Gazeta”Kosova Sot” ka qenë dritarja e vetme e informimit në Kosovë gjatë kohës së luftës mbi ngjarjet dhe ndodhitë që ndodhën asokohe. Kjo sepse e njoftoi vendin dhe botën mbi gjenocidin e regjimit të Milosheviqit dhe eksodin e 1 milion shqiptarëve nga dhuna serbe dhe të bëmat e regjimit fashit serb.

Shih për këtë regjimi i Serbisë e dënoi këtë medium më 300 mijë marka gjermane, kurse më pas në ditën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, policia sekrete e Milosheviqit e dogji shtypshkronjën e gazetës ”Kosova Sot”, sepse ajo ishte një shënjestër e regjimit ndaj veprimtarisë së madhe informative që pati ky medium. Serbia pati qëllimin që të krijojë një terr informativ pas mbylljes së asokohshme të “Rilindjes”.

Veç saj, gazeta “Kosova Sot” e vazhdoi këtë traditë edhe pas luftës në Kosovë, duke mos e ndërprerë asnjëherë punën me shkrimet e saja për dukuritë negative, sidomos duhet veçuar shkrimet që po i bënte ndaj krimit dhe korrupsionit. Prandaj e them lirshëm se gazeta “Kosova Sot”, sikurse që ishte një gazetë lidere para luftës, ajo mbetet gazetë lidere edhe pas luftës.

Alarmonte botën për gjenocidin e Serbisë fashiste ndaj shqiptarëve

Ibrahim Delibashzade, qytetar nga Prishtina

Gazeta “Kosova Sot”, në saje të punës së rëndë që e bëri në kohën e luftës, e ka shkruar historinë e saj me informimin titanik që e bëri duke u bërë mediumi më i guximshëm si në kohën e luftës ashtu edhe në paqe. Për informimin që e bënte gjatë luftës ndaj regjimit të Milosheviqit, gazeta u bë cak i falangave serbe që e dënuan me 300 mijë marka, kurse më pas, më 24 mars 1999, edhe ia dogjën shtypshkronjën kësaj gazete.

Me këto veprime makabre, regjimi i Milosheviqit kishte qëllim që të shuhej dritarja e informimit nga Kosova që po alarmonte botën me gjenocidin e Serbisë fashiste. Gazeta ”Kosova Sot”, edhe pas luftës, vazhdoi me informimin e saj dhe roli i saj nuk mohohet në asnjë mënyrë, sepse ishte dhe mbeti gazeta më objektive më realiste në luftimin e dukurive negative që dolën në shesh paslufte në Kosovë duke mbetur gazeta liderë në vend.

Enver Prapashtica, ish-futbollist

Gazeta “Kosova Sot” ka shumë merita, por ajo që duhet dalluar është se kjo gazetë i tregoi Kosovës dhe botës mbi gjenocidin e Milosheviqit që po e bënte gjatë luftës në Kosovë. Prandaj, regjimi serb e dënoi fillimisht gazetën me 300 mijë marka, me akuzën se është vënë në shërbim të UÇK-së, kurse më pas makineria vrastare e Serbisë e dogji shtypshkronjën e gazetës më 24 mars 1999.

E mira është se roli i gazetës nuk ka rënë as pas luftës, sepse mbeti një medium në nivel të detyrës së shenjtë me informimin, ngase “Kosova Sot”, sikurse që e bëri në luftë, ajo veproi edhe në paqe, duke e treguar gjendjen reale në skenën politike të pasluftës. Dhe, si e tillë gazeta “Kosova Sot” ka mbetur një medium i pavarur dhe i paanshëm, që nuk është ndikuar nga politika ditore, duke vazhduar të jetë gazeta lidere e Kosovës.

Gazetë që qan hallet e qytetarëve

Ahmet Gashi, taksist nga Prishtina

Roli i gazetës "Kosova Sot" ishte i madh, në veçanti gjatë kohës së luftës, sepse u bë mediumi që e luante rolin e zëdhënëses së UÇK-së, ngase gazetarët e kësaj gazete nga frontet e luftës e alarmuan opinionin vendor e ndërkombëtar mbi gjenocidin e regjimit të Milosheviqit ndaj 1 milion shqiptarëve autoktonë.

”Kosova Sot” pas luftës e ruajti nivelin e famës dhe vazhdon të jetë në krye të detyrës, duke i qarë hallet e qytetarit dhe skamnorëve, duke i prezantuar dhe duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e pushtetarëve tanë që janë shfaqur pas lufte dhe vazhdojnë të ndodhin. Në saje të kësaj pune, gazeta "Kosova Sot" mbeti një lidere e informimit shqip në Kosovë dhe është më e mira.

Mursel Xhemajli, taksist nga Prishtina

"Kosova Sot" e pati rolin shumë të madh, sidomos gjatë luftës, pasi u bë dritare e informimit për vendorët dhe të huajt. Fillimisht regjimi i Serbisë e dënoi me 300 mijë marka gjermane, më pas po ky regjim e dogji edhe shtypshkronjën e gazetës “Kosova Sot", ngase mediumi ishte dhe mbeti burimi kryesor i informatës se çfarë po ndodh në Kosovë, si në luftë ashtu edhe në paqe. Gjatë luftës “Kosova Sot” ishte një dritare e informimit në vendin tonë dhe informonte opinionin vendor dhe të huaj mbi masakrat e Milosheviqit, që po bëheshin në Kosovë. Pas luftës "Kosova Sot“ mbeti mediumi për të gjitha shtresat dhe një mike e qytetarit dhe cilësohet të jetë gazeta më e mirë.

Milazim Bajraj, profesor dhe poet

Regjimi i Milosheviqit jo rastësisht ndër të parat e ka ndaluar këtë gazetë, pikërisht ditën e bombardimeve të NATO-s, duke goditur fjalën e lirë. Aleksandar Vuçiqi bëri argatin e djallit, duke krijuar terr në Kosovë kundër informimit gazetaresk, përkatësisht ndalimin e gazetës "Kosova Sot", ngase u përgjigjej Mesjeta në Kosovë, që të realizojnë ëndrrën famëkeqe milosheviqjane, “aty ku jeton vetëm edhe një serb, është tokë serbe".

Gazeta "Kosova Sot" e ka larë borxhin ndaj lexuesit, qoftë para lufte, gjatë luftës edhe pas luftës, duke informuar besnikërisht dhe guximshëm, edhe pse e pësoi keqas, për çka u dogj dhe ua shkatërrua. Gazeta i qëndroi besnik lexuesit që ta informojë drejt, guximshëm dhe profesionalisht, me kusht që kurdoherë ta luftojë të keqen, oligarkinë, korrupsionin, zhvatësit e pushtetit, që sa më parë të ndodhë ndryshimi pozitiv.

Sami Rakaqi, drejtor i Qendrës Sociale në Suharekë

Gazetën "Kosova Sot" unë e konsideroj si mediumin më të mirë në Republikën e Kosovës, pasi një kohë edhe unë isha pjesë e këtij mediumi, si korrespodent nga Komuna e Suharekës.“Kosova Sot” ishte halë në sy të regjimit të atëhershëm të kriminelit të Ballkanit, Milosheviqit. Kjo gazetë ka qenë përherë e afërt me popullin, e afërt me Ushtrinë tonë çlirimtare, dhe i doli zot përherë. Menjëherë pas lufte kjo gazetë shumë e dashur për lexuesin filloi aktivitetin e vet dhe u bë gazeta numër 1 në Kosovë.

Rexhë Ukaj

Në marsin e vitit 1999, kur gazeta "Kosova Sot", në një mënyrë, po bëhet zëdhënëse e luftës për lirinë e shqiptarëve nga çlirimi i pushtetit serb, frika e pushtuesit se raportimet nga zonat e luftës në Kosovë do të paraqesin të vërtetën e luftës dhe masakrat që bënin forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë në Kosovë, vendosën të ndalojnë botimin e gazetës, duke dhunuar mendimin e lirinë e të shprehurit, njëherësh për të shkatërruar edhe investimet kapitale që përfshiheshin miliona euro në shtypshkronjën e botuesit të gazetës “Kosova Sot”. Sot, 20 vjet më pas, gazeta “Kosova Sot” vazhdon rrugëtimin me raportimin e së vërtetës për të gjitha ato që ndodhin në vendin tonë, hapësirat shqiptare dhe me gjerë.(vijon)

(Kosova Sot)